Perspektiva europiane, 91% e shqiptarëve pro anëtarësimit në BE

498
TIRANË – Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Fondacioni për Shoqërinë e hapur në Shqipëri, publikuan sot studimin më të fundit të titulluar “ Studimi kombëtar mbi perspektivën evropiane të Shqipërisë – Perceptime dhe Realitete”, studim ky që u krye gjatë periudhës Maj – Tetor 2014.
Në këtë prezantim ishin të pranishëm, Klajda Gjosha, Ministre e Integrimit Evropian, Romana Vlahutin, Ambasadore e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Andi Dobrushi, Drejtor Ekzektuiv i Fondacionit të Shoqerisë së hapur në Shqipëri dhe Klodjan Seferaj, Menaxher projekti, Fondacioni i Shoqerisë së hapur në Shqipëri.
Mnistrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha e pranishme në këtë prezantim u shpreh në fjalën e saj se, ky është një nga studimet më të mira dhe bën që ta shohim më me objektivitet të ardhmen në BE dhe informimin e qytetarëve.
“Në çdo takim më pyesin se sa përqind e shqiptarëve e duan BE dhe me krenari them se 87% e shqiptarëve e duan BE. Por nga ana tjetër shqetësohem a është ky 87% në dijeni të asaj se çfarë është ky proces? A janë të gatshëm për këtë proces? Kur flasim për procesin e integrimit, duhet të kuptojmë se është tejet i vështirë. Vetë institucionet duhet të kuptojnë se kjo është një punë e përditshme. Akoma më e vështirë është t’u shpjegosh qyetrëve se ky proces ka të bëjë me jetën tonë të përditshme, me arsimimin, shëndetësinë”, tha Gjosha.
Gjosha u shpreh se MIE ka organizuar takime me studentë për njohjen e BE si dhe ekspozita të ndryshme reth BE. “Kjo është pjesë e angazhimit që kemi marrë me BE për integrimin e vendit. Kjo punë kërkon angazhim të shoqërisë civile, zgjim të shoqërisë civile”, tha Gjosha e cila shtoi se edhe media duhet të jetë më e fokusuar tek çështjet e integrimit.
“Po punojmë së bashku me delegacionin e BE për një strategji komunikimi, sesi do ta shpërndajmë informacionin. Kjo do jetë pjesë edhe e takimeve me ministritë e linjës”, tha Gjosha.
Më tej ministrja e Integrimit u ndal tek shifra 69% e të anketuarve që mendojnë se Shqipëria mund të jetë që sot pjesë e BE, megjithëse nuk i ka plotësuar ende kushtet. “Kjo shifër është alarmi i këtij studimi, pasi e kemi thënë se integrimi është një proces i bazuar në meritë. Ne ende nuk jemi gati të jemi pjesë e BE. Ne duam të jemi pjesë e BE. Duam të hapim sa më shpejt negociatat, por edhe negocimi i kapitujve është një proces jo i thjeshtë. Këtë vjeshtë do të ndërtojmë një raport për 5 prioritetet kyçe”, u shpreh Ministrja Gjosha.
Ndërsa Romana Vlahutin, Ambasadore e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, u shpreh se një ng pyetjet më të rëndësishme që BE bën është se si t’u shpjegojme qytetarëve shqiptarë se për çfarë shërben BE?
“Vij nga një vend që është anëtarësuar së fundmi dhe këtë problem kemi pasur edhe aty. Procesi i integrimit është i gjatë, dramatik, por do ta ndryshojë vendin tuaj përgjithmonë. Çfarë po ndodh përmes këtij procesi? Shqipëria po merr reformat dhe bazat që i kanë të gjithë vendet e BE dhe pas këtij procesi Shqipëria do të jetë e gatshme të jetë anëtare e BE dhe atëherë të gjithë do ta kuptojnë se për çfarë shërben BE”, tha Vlahutin.
Sipas ambasadores së BE, “ndryshimi do të ndodhë në procesin përpara se Shqipëria të hyjë në BE, jo kur të jetë brenda BE. Pra kjo po ndodh tani në Shqipëri, procesi i ndryshimit. Por nësë ky proces bëhet vetëm për hyrjen në BE, atëher ky nuk është një ndryshim i mirë. Procesi duhet të vijë nga Shqipëria dhe shqiptarët”.
“Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të kërkojnë shërbime nga qeveria e tyre, por kanë edhe detyrime si pagesa taksave, shmangia e korrupsionit etj. Qytetarët europianë japin para për shqiptarët, pikerisht që të ndodhë ky ndryshim. Shqiptarët besojnë tek BE më shumë se çdo institucion tjetër, kjo është një barrë e madhe për ne, por edhe një sinjal që tregon se procesi duhët të vijojë pavarësisht vështirësive”, tha Vlahutin.
Studimi: 91% e shqiptarëve do të votonin për anëtarësimin e vendit në BE
Studimi kombëtar mbi perspektivën evropiane të Shqipërisë – Perceptime dhe Realitete”, që u krye gjatë periudhës Maj – Tetor 2014 u krye për të matur perceptimin që kanë qytetarët shqiptarë mbi BE-në, kaalet e infromimit mbi BE-në, njohuritë mbi BE-në, perceptimin dhe pritshmëritë nga anëtarësimi në BE dhe pritshmëritë e qytetarëve në të ardhmen. Gjithashtu pjesë e studimit ishte edhe matja e perceptimit të korrupsionit nga qytetarët shqiptarë.
Një nga gjetjet kryesore të këtij studimi ishte se nëse nesër do të zhvillohej një referendum mbi anëtarësimin e Shqipërisë në BE, 91% e shqiptarëve do të votonin për të.
Gjithashtu studimi tregon se 77% e shqiptarëve mendojnë se integrimi i Shqipërisë në BE është i rëndësishëm. Ndërsa 87% e shqiptarëve mendojnë se anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të jetë diçka e mirë. Gjithashtu 92% mendojnë se Shqipëria do të përfitojë nga të qënit anëtar në BE.
Ndërkohë sektorët që shqiptarët mendojnë se do të përmirësohen më tepër nga aderimi në BE janë arsimi, ekonomia, mjedisi, eksporti produkteve dhe mirëqeverisja. 53% e shqiptarëve mendojnë se vendi është gati t’i bashkohet BE, ndërsa 69% shprehen se BE duhet të na pranojë si anëtar, megjithëse Shqipëria nuk është ende gati.
Ndërkohë sa i përket pritshmërive për të ardhmen, problemet kryesore me të cilat po përballen shqiptarët sot janë papunësia 45%, krimi 31%, gjendja ekonomike e vendit 30%. Por 71% e shqiptarëve presin që gjendja eknomike e vendit të jetë më e mirë në 12 muajt e ardhshëm. Kjo është shifra më e lartë në Europë duke lënë pas nivelet e optimizimit në Mal i Zi 47.2%, Islandë 43.2% dhe Suedi 40.7%.
Ndërsa, sa i takon perceptimit për korrupsionin, 87% e shqiptarëve mendojnë se korrupsioni në Shqipëri është më i përhapur se në vendet e tjera europiane. Ndërsa 92% mendojnë se korrupsioni është problemi kryesor i vendit.
Prezantimi i rezultateve të botimit të këtij studimi, u ndoq nga një mumër i madh përfaqësuesish të Ambasadave të vendeve anëtare të BE –së në Shqipëri dhe përfaqësues të Institucioneve Shqiptare. Gjithashtu të ftuarit në panel zhvilluan një sesion pyetje – përgjigje me të pranishmit.
Marrë nga ATSH
Sigal