Personazhet e përgjimeve në dosjet 339 dhe 184?

458
Sigal

Kryeministri Rama nga foltorja e parlamentit akuzon: Vjedhja e votave u bë nga LSI

Ish-ministri i Drejtësisë: I luteshe e i jargaviteshe LSI-së për të vazhduar koalicionin

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në foltoren e Kuvendit ka deklaruar se nuk ka pasur probleme me vjedhjet e votave nga PD-ja. Sipas kryeministrit Ramës, problemi i vërtetë ka qenë LSI-ja. Kryeministri Rama: Kanë dalë në rrugë dhe thonë ju blini votat, ndërkohë që ne, në vitin 2017 – le të çohen të gjithë deputetët këtu, le të çohet dhe Myslym Murrizi, nëse e ka me gjithë mend, – një problem kishim, si të ruajmë votat, se do na i blejë fallxhorja. Asnjë problem tjetër. Kur është folur për blerje e për shitje votash, për hir të së vërtetës nuk kemi pasur problem PD-në, por kemi pasur problem simotrën tonë, LSI-në. Tani del daja Titi dhe këndon çdo ditë këngën, të shpëtojmë Shqipërinë nga ata që na blejnë vota. Po shpëtojeni pra! Gjysmën e punës e keni bërë, keni dalë në rrugë, tani nga rruga shkoni në shtëpi dhe Shqipëria ka shpëtuar. Mjafton kaq! Bëjeni provë, të rrijë LSI-ja një turn pushim dhe mos të hyjë në zgjedhje, nuk ka blerje votash, nuk ka shitje votash, se s’ka kush i blen, s’ke kujt t’ia shesësh. Bëjeni pra! Do shpëtojmë Shqipërinë nga blerja e votës.

Kundërpërgjigjet Manjani: I luteshe e i jargaviteshe LSI-së për të vazhduar koalicionin

Pas deklaratës së djeshme në Kuvend të kryeministrit Edi Rama, i cili deklaroi se partia që ka manipuluar votat është LSI. Deklaratës së kreut të qeverisë i është kundërpërgjigjur ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani. Manjani i kujton Ramës faktet që kanë dalë nga përgjimet e prokurorisë lidhur me zgjedhjet në Durrës, Dibër dhe qytete të tjera. Postimi i plotë i Manjanit: Interesant! Kryeministri ka thënë sot se: “shitblerjen e votave e bën LSI. Duhet larguar ajo parti që të ndalohet shit-blerja e votave…” Një Kryeministër, pa dyshim di shumë gjera, ndaj po e marr të mirëqenë për një moment atë që Ai thotë. Por kjo nuk më ndihmon ti përgjigjem drejt këtyre pyetjeve:

  1. Këto personazhet që u zunë në përgjime, (dosja 339 dhe 184) nuk janë të PS?! Janë të LSI?!
  2. Po pse i lutej e i jargavitej LSI për të vazhduar koalicionin?! A ishte LSI “e keqja” e zgjedhjeve?
  3. Mos ka pasur gjë idenë se donte të bënte koalicion me “blerësit e votave”?!
  4. Kush nga LSI bleu vota?! Pse qeveria që tashmë ka drejtësinë e Policinë që do, nuk e arreston dhe dënon blerësit e votave?
  5. Këtë nxjerrjen nga loja të LSI e ka si vendim qeverie apo pjesë të kulturës moniste që tashmë e karakterizon? Akoma nuk zuri mend nga gabimi me batutën “ndjesë pastë LSI”?!..

Shumë përçart duket kjo logjikë…

P.S. Nuk e di se çfarë mendon LSI për këtë deklarim të Kryeministrit, por desha thjesht të ndihmoj çuarjen deri në fund të logjikës së “fajtorit që kërkon ta hedhë fajin e vet ku të mundet”.

Ish-ministri i Drejtësisë Petrit Vasili: Përgjigje e detyruar Ylli Manjanit!!!

Meqë kryeministri Rama e përmendi me emër ish-ministrin e tij të drejtësisë Petrit Vasilin, kur tha se është LSI-ja që vodhi votat në 2017, dhe se tani “Titi këndon çdo ditë”, i menjëhershëm është edhe reagimi i ish-ministrit të Drejtësisë Petrit Vasili: Ylli Manjani pyet pak më parë se: A janë të PS personazhet e dosjes 339 dhe 184? Përse vdiq ky Edi Rama të bënte aleancë me LSI-në, kur paska qenë e keqja? Manjani, them se gabon me pyetjet e tij, sepse:

Gabon se përdor logjikën, ku flet për Edi Ramën.

Gabon, se kujton se Edi Rama është kryeministër dhe mund të arsyetojë si i tillë.

Gabon, kur i drejtohet edhe moralisht Edi Ramës, duke menduar se ka moral.

Meqenëse Manjani pyet edhe se çfarë mendon LSI për këtë, ja përgjigja ime:

  1. Për Edi Ramën logjika nuk ekziston, nuk e ka, se për të logjika është siç thotë populli “Ku di derri, ç’është nderi”.
  2. Edi Rama nuk është kryeministër, është thjesht një karikaturë moniste, që i flet një parlamenti kalbësire moniste, pra është një i lajthitur që flet me vete.
  3. Edi Rama s’ka moral politik dhe moralin politik as e njeh hiç, për moralin e tij vlen thënia popullore vuniotase: “Gjalpë në lëkurë të qenit”.
  4. Por ky derëziu është edhe monist, edhe frikacak për vdekje.
  5. Frikacakun nga dosja e “Unazës së Re”, nga dosja “339”, nga dosja “184’ nuk e shpëton dot njeri në botë, se dosjet i kanë të gjithë dhe ai dhe Rilindja janë kapur me presh në dorë, si hajdutë të zgjedhjeve bashkë me kriminelët dhe do përgjigjet deri në një.
  6. Që Edi Rama me Rilindjen bleu zgjedhjet me kriminelë këtë nuk e luan topi dhe këtë e di dhe shqiptari më i fundit. Drejtësia vonon, por nuk harron kurrë dhe Edi Rama do ta vuajë rëndë këtë faj ku dhe të tijtë do dëshmojnë kundër tij, siç kanë filluar ta bëjnë….
  7. Ky monisti karikaturë bashkë me guakët, bretkosat dhe shkollëpaktët, që ka përpara dhe nga mbrapa…janë thjesht një sindikatë e të marrëve, që s’ka lidhje me politikën, por thjesht me një Lej Fenizëm idiot.

Ndaj Manjan, në respekt maksimal të logjikës dhe koherencës tënde të lakmueshme, kiji parasysh, për sa ta gjykosh edhe këto që unë mendoj për karikaturën moniste apo hajdutin e zënë me presh në dorë.