Përse hesht PDIU-ja e Shpëtim Idrizit, ndaj sulmeve greke, për Prevezën!?

564
Sigal

Anulimi i vizitës së shefit të diplomacisë greke për 100-vjetorin dhe hipokrizia e partisë së çamëve

Gjithë armata e medias greke, gazeta, televizione, radio, sajtet, si edhe gjithë arsenali i politikës greke, iu kundërvunë njëzëri, të bashkuar, Kryeministrit shqiptar Berisha, i cili në fjalimin e vet, të mbajtur në Vlorë, më 28 Nëntor 2012, tha, midis të tjerave: “Do të lexoj këtu, para jush, këto pak fjalë që shkrova në këtë pergamenë: Vlorës, qytetarëve të saj, Ismail Qemal Vlorës e burrave të tjerë të kombit, që shpallën në këtë qytet të përjetshëm, në 28 Nëntor të viti 1912, Pavarësinë e Shqipërisë, pavarësinë e Shqipërisë etnike, Shqipërisë së të gjitha trojeve shqiptare nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë”. Grekët, pa dallim politik midis tyre, u bashkuan njëzëri kundër përmendjes nga Kryeministri Berisha të “ trojeve shqiptare nga Preveza…”. Historikisht, Kryeministri Berisha, këtu i referohet historisë. A nuk kanë qenë troje shqiptare Preveza? A nuk kanë jetuar aty shqiptarë? A nuk ka në tokën e Prevezës varre të shqiptarëve, ende edhe sot? Përse hesht PDIU-ja e Shpëtim Idrizit, ndaj sulmeve të grekëve? Kush, më shumë se PDIU-ja e Shpëtim Idrizit duhet të ngrejë zërin e polemikës dhe të replikojë me grekët për të rivënë në vendin e vet historik të vërtetën? Këto pyetje i drejtojmë Kryetarit të PDIU-së, Shpëtim Idrizi, pasi është detyrimi i tyre politik, jo vetëm ndaj Komunitetit Çam, që ata përfaqësojnë politikisht, por është detyrimi ndaj vetë Historisë. Siç e shihni, zoti Shpëtim Idrizi, grekët, duke filluar që nga partia neonaziste greke “Hrisi Avgi”, e deri te partia e majtë SIRIZA, të gjitha gazetat greke, pavarësisht përkatësisë së tyre politike. Grekët, për çështjet e tyre nacionale e kombëtare bashkohen së bashku, ndërsa ne, zoti Idrizi, këtu në Shqipëri, njëri i bie gozhdës, e tjetri patkoit. Kryeministri, zoti Idrizi, mund të ketë shumë kusure, për çështjet kombëtare, por kësaj here, guxoi dhe pikërisht, në fjalimin më jubilar të festimit të 100- vjetorit të Pavarësisë, ku të gjithë në botë, do ta kenë në dëgjesë këtë fjalë, Kryeministri Berisha përmendi që Prevezën si troje shqiptare. Pavarësisht, nga këndvështrimi historik! Grekëve, kjo u dogji më shumë! Që Kryeministri shqiptar, u përmendi të vërtetën historike, që Preveza ishte troje shqiptare! Padrejtësitë diplomatike dhe politike të Historisë këto i kanë sjellë Shqipërisë, ende pa u lindur shteti i parë shqiptar në 1912! Copëtimin e trojeve shqiptare nga shtetet fqinje. Zoti Idrizi, ju kishit rastin historik t’i kundërviheshit  sulmeve të politikës dhe propagandës greke, duke u argumentuar me tragjeditë e me gjenocidin që ushtruan grekët ndaj popullsisë shqiptare Çame, duke ju përzënë me terror, me vrasje dhe me djegie nga trojet tuaja, të Prevezës.  Zoti Idrizi, a nuk keni në trojet tuaja të Prevezës, varret e të parëve tuaj? A nuk janë në Prevezë, trojet e familjeve tuaja? Përse nuk iu përgjigjeni grekëve? Duke iu përgjigjur grekëve,  zoti Idrizi, nuk pretendohet se do t’ju mbushni mendjen atyre, por  u jepni mundësinë opinionit botëror të njihet me të vërtetën historike, të sensibilizoni dashamirësit shqiptarë, kudo që janë, që t’ju mbështesin në kauzën tuaj për rikthimin në trojet shqiptare të Prevezës. Ju zoti Idrizi keni marrë zotimin se do të çoni në Gjyqin e Të Drejtave të Njeriut në Strasburg, Çështjen Çame, rikthimin e pasurive dhe të tokave të sekuestruara me dhunë e gjenocid nga Greqia, por deri tani nuk keni bërë asgjë. Jeni zotuar edhe për një Rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë, ku edhe pse jeni në maxhorancë, përsëri nuk keni bërë asgjë. Edhe tani, po, duhet të kishit ngritur zërin dhe të thoshit që Preveza kaq qenë troje shqiptare, historikisht.  Mos heshtja juaj, zoti Idrizi, do të thotë, që juve, si kryetari i PDIU-së, u intereson më shumë që, si aleatë politikë të Kryeministrit Berisha, të përfitoni  dhe mjaftoheni me ndonjë post qeveritar, zv/ministrie, apo një drejtori drejtorie, tatimore, doganore më shumë? Propagandës greke, ka vënë në objektiv të zjarrit të saj, jo  thjesht Kryeministrin Berisha, por vetë tjetërsimin e Historisë dhe mohimin e trojeve shqiptare të Prevezës, ndaj heshtja juaj, zoti Idrizi, përballë ekspansionit nacional të grekëve është jo vetëm paaftësi politike, por edhe lind dyshime për rolin tuaj si kryetar i PDIU-së, që përfaqëson politikisht komunitetin çam. Atdhedashuria, -zoti Idrizi,- nuk manifestohet me flamujt e ngulur rrugëve të Tiranës, por me argumentime historike kundër ekspansionit shovinist të grekëve, që duan të mohojnë trojet shqiptare të Çamërisë dhe historinë e komunitetit çam!