Përse Bushati nuk denoncon ata që fshehën ekspertizën juridike ndërkombëtare dhe shitën detin?

457
Sigal

Prokuroria ka në dosjen e hetimit një ekspertizë të zyrës juridike ndërkombëtare, e cila këshillonte MPJ që të mos pranonte kufij në ishuj të pabanuar

Rikthehen në skenë edhe një herë,  hetimet për paktin detar Shqipëri- Greqi, i cili u përfol që në vitin 2009 dhe që Gjykata Kushtetuese e cilësoi si antikushtetues, pasi cenon rëndë interesat kombëtare të Shqipërisë.

Në sirtarët e MPJ-së fle ekspertiza e zyrës juridike ndërkombëtare

Sipas burimeve zyrtar që ka siguruar gazeta “Telegraf”, mësojmë se  pjesë e hetimeve që ka nisur prokuroria shqiptare, për të gjetur se cilët janë ata negociatorë, politikanë dhe diplomatë që  hartuan marrëveshjen e përbashkët dhe që këshilluan për firmosjen e saj, është edhe një ekspertizë nga një zyrë juridike ndërkombëtare, e cila, para se të fillonin negociatat, ka këshilluar palën shqiptare, d.m.th., MPJ-në, që të mos caktonin kufijtë detarë në ishuj të cilësuar të pabanuar, pasi, sipas të drejtës ndërkombëtare, ishujt e pabanuar nuk mund të jenë kufijtë ndarës të dy shteteve. Sa për histori, sipas marrëveshjes të firmosur nga Shqipëria dhe Greqia në 2008-n, kufiri detar ndarës midis dy shteteve përcaktohet në ishull të pabanuar, që është dhjetëra metra larg tokës shqiptare, te Ksamili dhe disa dhjetëra kilometra nga toka greke.

Në dosjen voluminoze që prokuroria ka mbledhur për këtë çështje, është i përfshirë edhe memorandumi prej 30 faqesh, memorandum ky që i’ u tregua në atë kohe Ministrisë së Jashtme, se pakti nuk ishte në favor të Shqipërisë. Sipas këtij memorandumi, ishujt e vegjël, përjashtoheshin tërësisht nga matematika e përllogaritjes së vijës mesore nga ana e të dyja palëve, gjë që nuk u realizua mes qeveris asaj kohe dhe shtetit grek. Lidhur me këtë fakt, Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë nisi hetimet, për veprën penale “Marrëveshje për dorëzim territori”, pas kallëzimit të bërë nga Ministria e Jashtme në muajin maj të vitit të kaluar. Pakti detar mes Shqipërisë dhe Greqisë u rrëzua me vendim të Gjykata Kushtetuese, me 15 prill të vitit 2010.

Përgjegjësia (penale) e drejtorisë juridike të MPJ-së

Ky dokument i zyrës juridike ndërkombëtare i është dorëzuar MPJ-së, por jo vetëm që është shpërfillur nga negociatorët dhe më pas, kuptohet, edhe nga politikanët, të cilët firmosën marrëveshjen detare Greqi-Shqipëri, sipas së cilës, Greqia shtynte kufirin e saj detar më pranë tokës shqiptare, por kjo ekspertizë u mbajt në sirtarët e MPJ dhe konkretisht në sirtarët e drejtorisë juridike të MPJ-së dhe nuk u publikua asnjëherë. Shumë pyetje të dyshimta lindin paskëtaj, pasi po zbardhet ky informacion. Çfarë bëri drejtoria juridike sapo erdhi kjo ekspertizë e zyrës juridike ndërkombëtare, e cila  këshillonte Shqipërinë se cili mund të ishte kufiri ndarës midis Shqipërisë dhe Greqisë? Nëse drejtoria juridike, atëherë, ia bëri të njohur negociatorëve dhe politikanëve, a mundet sot, të pohojë këtë? Nëse drejtoria juridike nuk e ka bërë të njohur këtë ekspertizë të zyrës juridike ndërkombëtare, që këshillonte Shqipërinë se si dhe ku mund të caktohej kufiri ndarës detar me Greqinë, atëherë duhet që të përgjigjen (penalisht) përse e mbajtën në sirtar? Kujt i shërben kjo fshehje e kësaj ekspertize, kaq jetike për të përcaktuar kufijtë detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë?

Jo thjesht përgjegjësi penale të papërgjegjësisë

Pjesë e hetimeve të prokurorisë, e cila heton dosjen e shitjes të detit Greqisë, duhet të jetë edhe cila është përgjegjësia penale e drejtorisë juridike të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, në fshehjen e kësaj ekspertize të zyrës juridike ndërkombëtare? Është përgjegjësi penale e papërgjegjësisë në kryerjen e detyrës? Apo qëllimisht nga drejtoria juridike e MPJ-së, kjo ekspertizë u mbajt e fshehur në sirtar, në mënyrë që marrëveshja e diktuar nga pala greke të firmosej pa kundërshtime e pretendime nga MPJ-ja shqiptare?

 Lajmi i orës së fundit/Dështim i politikës Bushati

Ministrja e Jashtme e BE-së, Federica Mogherini ka anulluar vizitën e saj në Tiranë, për të marrë pjesë në konferencën e CEECP-së, që kryeson Shqipëria. Kjo vizitë është anulluar në minutat e fundit dhe, gjithsesi, përbën një tjetër dështim të rradhës për ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati. Edhe pse kjo konferencë ishte planifikuar që të merrnin pjesë ministrat e vendeve përkatëse, deri tani shumë vende e kanë bojkotuar në një farë mënyre, pasi shumë ministra nuk do të vijnë, por do të përfaqësohen me zyrtarë të rangjeve më të ulta, çka dëshmon qartazi shpërfillje dhe nënvlerësim të kësaj konference të organizuar në Tiranë nga ministri Bushati.

Petraq Barjami