Përplasjet politike, 6 gushti në dyshim

501
Sigal

Imuniteti, Totozani: AP kërkon trajtim të barabartë me institucionet e tjera të pavarura

Avokati i Popullit, Igli Totozani sqaroi dje qëndrimin e tij lidhur me çështjen e imunitetit. Në deklaratën e shpërndarë për mediat, thuhet se Avokati i Popullit ka bindjen e palëkundur që ndryshimet kushtetuese për heqjen apo kufizimin e imuniteteve janë tepër të rëndësishme për plotësimin e angazhimeve në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, do të ndikojnë pozitivisht dhe drejtpërdrejt, në luftën kundër korrupsionit dhe në respektimin e parimit të barazisë para ligjit për të gjithë qytetarët, pavarësisht funksioneve që ata mbajnë.  Në deklaratë nënvizohet fakti se Avokati i Popullit kërkon trajtim të barabartë me institucionet e tjera të pavarura kushtetuese, “që do të thotë se nëse sot ai ka imunitet të njëjtë me Gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, të njëjtin trajtim duhet të ketë edhe me këto ndryshime kushtetuese.”

 Imuniteti, PD: “Rama, hiq dorë nga pazaret”!…

Partia Demokratike i ka bërë sërish thirrje opozitës të votojë në seancën plenare të 6 gushtit heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë.  Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi, tha se “Rama deklaroi se nuk do të pranojë heqjen e imunitetit për zyrtarët, duke kërkuar si pazar të tyre vendosjen në Shqipëri të Kushtetutës së pakicës bllokuese, apo Kushtetutës së sundimit të pakicës”.  Duke vlerësuar opinionet e ekspertëve një dite më parë, në mbledhjen e Këshillit të legjislacionit, PD i kërkon liderit të opozitës të heqë dorë nga pazaret dhe të dëgjojë zërin e qytetarëve.  Sipas Bardhit, “për rrëzimin e murit të imunitetit, këshilli i miliarderëve kërkon të vendosë në zyrat e Fidelit, Presidentin e Republikës, Kryetarin e Gjykatës së Lartë, asaj Kushtetuese dhe gjykatësit e tyre, Prokurorin e Përgjithshëm dhe kryetarin e KLSH-së, që kjo kupolë të ketë të garantuar pasurimin e paligjshëm dhe pavarësisht, se për cilën forcë politike votojnë qytetarët, ata të bëjnë ligjin me Kushtetutën e sundimit të pakicës”.  Më tej, zëdhënësja e PD-së, theksoi se “muri i imunitetit është muri i korrupsionit, është mburoja e pasurimit të paligjshëm dhe kriminal të imunitarëve të vendit në kurriz të qytetarëve të thjeshtë.” “PD-ja i bën thirrje Ramës të dëgjojë zërin e qytetarëve që duan barazi para ligjit me zyrtarët e tyre dhe të votojmë së bashku me 6 gusht heqjen apo sipas rastit, kufizimin e imunitetit si një histori suksesi për çdo qytetar”, -u shpreh zëdhënësja e PD-së.

 Imuniteti, Rama: Të diskutohen ndryshimet që kemi propozuar

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të selisë blu, në lidhje me çështjen e imunitetit. Ai i ka cilësuar të neveritshme deklaratat e bëra sot nga të djathtët, në një reagim të tijin në Tëitter.  “Çfarë neverie përsëri sot propaganda e Saliut për imunitetin! Kërkon konsensusin e opozitës, duke përgojuar deputetët tanë e tallur shqiptarët”, thotë ai.  Kryesocialisti ka thënë, ndër të tjera se, opozita është pro heqjes së imuniteti,t vetëm kur të diskutohen propozimet e PS-së.  “Qëndrimi ynë për imunitetin i qartë: Jemi pro, por vetëm pasi të diskutohen të gjitha ndryshimet që kemi propozuar mbi një vizion reformues”, nënvizoi Rama.

 LSI: Në 6 gusht të përmbyllim reformat, të fitojmë kohën e humbur

Pas miratimit të reformës zgjedhore në Kuvend, në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili bëri apel që seanca plenare e 6 gushtit të shërbejë për përmbylljen edhe të dy kushteve të tjera thelbësore për marrjen e statusit kandidat për në BE, çështjen e imunitetit dhe reformën parlamentare.  Në një konferencë për shtyp nga selia e LSI-së, nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim theksoi rëndësinë e përmbylljes së reformave, në mënyrë që të maksimizohen shanset që Shqipëria të marrë në vjeshtë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian.  Vasili kërkoi publikisht që paralelisht me punën e filluar për imunitetet, ditët në vazhdim të rimerret në shqyrtim edhe reforma parlamentare, duke bërë 6 gushti të kthehet në një ditë të rëndësishme për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.  “Duke synuar që do të fitohet koha e humbur, inkurajojmë të mbyllen me 6 gusht të dy këto çështje, në mënyrë që në rivlerësimet që bëhen në Europë lidhur me këto çështje në fillim të muajit shtator, Shqipëria t’i ketë përmbushur këto dy detyrime të kërkuara me insistim nga ndërkombëtarët dhe që pritet me padurim nga vetë shqiptarët, sepse integrimi lidhet drejtpësëdrejti me të ardhmen e tyre”, deklaroi Vasili.