Përplasjet MD-KLD, KEKGJ: Akuzat ndaj gjyqtarëve, përkeqësojnë imazhin e gjyqësorit

433
Sigal

Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore reagoi dje në lidhje me përplasjet e fundit mes Ministrisë së Drejtësisë dhe KLD-së lidhur me funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në një deklaratë për mediat thuhet se: “Këshilli shpreh shqetësimin e të gjithë gjyqtarëve të të gjitha niveleve, në lidhje me disa deklarata e qëndrime publike të ditëve të fundit, të cilat i drejtohen në masë e pa dallim të gjithë gjyqtarëve”.

1. Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore, si organi përfaqësues i Konferencës Gjyqësore Kombëtare është i ndërgjegjshëm për sfidat dhe detyrat që shtrohen përpara pushtetit gjyqësor. Ato përcaktohen qartë edhe në Progres Raportet e BE si prioritetet të punës sonë të përditshme. Në këtë kuadër, është mëse urgjente të angazhohemi për forcimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, për rritjen e efektivitetit, përgjegjësisë dhe llogaridhënies si dhe luftës pa kompromis  kundër korrupsionit.

2. Për arritjen e objektivave të mësipërme, pushteti legjislativ dhe ekzekutiv kanë në dorë mjetet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore për reformimin e mëtejshme të pushtetit gjyqësor. Por, në këtë proces është e nevojshme bashkëpunimi me të gjithë operatorët e sistemit të drejtësisë. Pushteti gjyqësor mbështet këto nisma, mbështet reformimin  dhe shpreh gatishmërinë të kontribuojë  në këtë proces të rëndësishëm dhe jetik për vendin.

3. Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore shpreh shqetësimin e të gjithë gjyqtarëve të të gjitha niveleve, në lidhje me disa deklarata e qëndrime publike të ditëve të fundit  të cilat i drejtohen  në masë e pa dallim  të gjithë  gjyqtarëve. Deklarata të tilla  vetëm sa e përkeqësojnë  imazhin e gjyqësorit dhe përbaltin misionin e punën e përditshme  të gjyqtarëve. Nuk duhet harruar se  shumica  e gjyqtarëve në ushtrim të funksionit të tyre janë të përgjegjshëm e punojnë me përkushtim e integritet, duke përballuar tensionet e një pune  delikate e  voluminoze,   pavarësisht se përballë tyre janë çdo ditë  njerëz që kanë probleme me ligjin, persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, palë në konflikte civile  me njëri – tjetrin,  shtetin, etj.

4. Etiketimi  i masës së përgjithshme  të gjyqtarëve dhe identifikimi i tyre  në tërësi  me fenomenet negative  e vështirëson  punën  e çdo gjyqtari, cenon  pavarësinë   e pushtetit gjyqësor dhe  dëmton misionin e dhënies së drejtësisë.

5. Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore,  distancohet qartësisht dhe dënon me forcë  çdo shfaqje korruptive në sistemin e  drejtësisë. Ai i bën apel institucioneve dhe organeve shtetërorë të të gjitha pushteteve, medias e opinionit publik që të kontribuoje për të luftuar pa kompromis këtë fenomen të shëmtuar që cenon rëndë interesat e shtetit dhe të qytetarëve. Kjo luftë kërkon masa e veprime konkrete, ndaj personave e individëve përgjegjës, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjin, pa bërë përgjithshme  denigruese.

6. Nga sa më sipër,  Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore,  mori  në konsideratë  edhe mundësinë e thirrjes në të ardhmen të Konferencës Gjyqësore Kombëtare.