Përplasje verbale te Komisioni i Ligjeve, deputeti braktis mbledhjen: Paskan bërë mirë ata që…

581
Sigal

Deputeti i bërë pjesë e Kuvendit rishtazi dhe njëherësh kreu i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, ka braktisur mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, pas përplasjeve verbale me deputetë të Partisë Socialiste.

Mësohet se shkak i debatit është bërë kërkesa e parashtruar nga Alimadhi për t’u njohur me materialet e rregullores së Kuvendit. Kjo kërkesë është refuzuar nga kryetari i Komisionit, Ulsi Manja, si edhe nga ligjvënësit e tjerë socialistë.

“S’kemi kohë të shikojmë pas, do ecim para.”- është shprehur Manja. “Paskan bërë mirë ata që janë larguar nga parlamenti, ju nuk pranoni asnjë propozim, u jap të drejtë atyre.”- është kundërpërgjigjur nga ana tjetër Alimadhi, i cili braktisi punimet e mbledhjes në mënyrë demostrative.

Në rend të ditës se mbledhjes së sotme të Komisionit të Ligjeve është vazhdimi i shqyrtimit nen për nen të projektvendimit “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe shqyrtimi dhe miratimi i projekt-rezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Departamentit të Administratës Publike mbi gjendjen në shërbimin civil, për vitin 2018”.