Përplasje në Komisionin e Jashtëm për marrëveshjen e detit. Presidenti: Jam i gatshëm të sqaroj deputetët

620
Presidenti i Republikës pranon të dëshmojë në Komisionin e Jashtëm për të shpjeguar qëndrimin e tij. Thirren edhe krerët e Ministrisë së Mbrojtjes. Bushati: Marrëveshja nuk është negociuar 

Vazhdojnë polemikat lidhur me marrëveshjen e detit mes Shqipërisë e Greqisë dhe mënyrës se si po e trajton atë qeveria shqiptare. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, nuk dha asnjë detaj në lidhje me negociatat me Greqinë, sepse sipas tij, marrëveshja teknike mbetet për t’u negociuar. Dalja përpara Komisionit të Jashtëm parlamentar i dha mundësi ministrit të replikojë në distancë me Presidentin e Republikës për autorizimin për plotfuqinë dhe faktin që Kreu i Shtetit, sipas ministrit, ka qenë në dijeni të çdo hapi të hedhur nga pala shqiptare. “Kam bërë një konsultë me të. Më vjen mirë që mbrëmë është detyruar të pranojë se është takuar me mua, ndryshe nga konferenca për shtyp kur tha se nuk kishte informacion. Para kërkesës, kam bërë konsultën. Edhe para Korçës, jam takuar me Presidentin. Nuk lëshon plotfuqishmëri Presidenti, edhe ai i shkreti e dinte gabim. Filloi të thoshte autorizim“, tha Bushati. Deklarata e ministrit është kundërshtuar nga opozita. “Ministri Bushati foli në shkelje të etikës ndaj deputetëve dhe Presidentit. Që në fillim të fjalës sime do të bëjë kërkesën në emër të deputetëve të opozitës që mbas kësaj mbledhje në një ditë të përshtatshme të organizojmë mbledhje të dytë dhe të thërresim presidentin e Republikës, do e paraqesim dhe me shkrim këtë kërkesë. Sepse u bënë shumë lojëra fjalësh mbi të, shumë akuza”, tha Tritan Shehu. “Kjo nuk është kafja e Kodrës së Diellit ku mblidhemi pasdite dhe mundohemi të kurojmë paranojat e njëri-tjetrit”, tha Bushati më pas. Ndërkohë zëdhënësi i Presidentit i tha medias se presidenti i Republikës, Ilir Meta, është i gatshëm të përgjigjet në komision, ndonëse kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë dhe do të përbënte precedent. Ndërkohë, me kërkesë të opozitës në komision do të thirren edhe drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të shërbimit inteligjent të ushtrisë.

Autorizimi dhe plotfuqia
Ndërkohë në komision, ministri Bushati këmbënguli se Presidenti jep autorizimin, por plotfuqishmërinë e ka ministri i Jashtëm për negociatat për detin. “Presidenti i Republikës nuk jep plotfuqishmëri. Ligji që keni miratuar ju, 43/2016 përcakton qartë se kush e jep plotfuqishmërinë. Presidenti i Republikës jep autorizimin, plotfuqishmëria është kompetencë e ministrit të punëve të jashtme. Për këtë lloj negocimi është shumë e vërtetë që unë si ministër i Punëve të jashtëm i kam kërkuar presidentit dhënien e autorizimit për plotfuqishmërinë. Për ta kuptuar, fare thjeshtë i kam kërkuar Presidentit autorizim për të filluar punën konkrete. Me dëshirën dhe synimin për të arritur një marrëveshje me Greqinë për këtë çështje. Me Presidentin kam komunikuar në rrugë institucionale, dhe do të vazhdoj t’i shfrytëzoj sepse na imponon ligji dhe Kushtetuta të kemi bashkëpunim. Presidentit i është bërë kërkesa nga ana ime, para se të procedoj me kërkesën për autorizim. E vërteta është që institucionet kërkojnë autorizim për dhënie plotfuqishmërie nga Presidenti”, tha Bushati. Ai shtoi se opozita dhe Presidenti kanë qenë në dijeni të zhvillimeve me palën greke. Sot, tha ministri, flasim për një marrëveshje të re. “Dua ta theksoj një marrëveshje të re, sepse një pjesë e mirë e kolegëve që sot janë në të majtën time deri në shtatorin e vitit të kaluar kanë qenë të ulur bashkë me ne në të njëjtat karrige qeveritare sikundër presidenti i Republikës ka qenë kryetari i Kuvendit dhe është zgjedhur me votat e mazhorancës së kaluar dhe ka qenë pjesë apo në dijeni të këtyre diskutimeve dhe zhvillimeve që janë bërë me palën greke. Them marrëveshje e re, sepse dihen qëndrimet për këtë çështje, qëndrim dhe faktet janë të njohura për opinionin publik”, tha Bushati. Ai tha se qëndrimi i palës greke ka qenë konstant dhe për palën shqiptare vendimi i Gjykatës Kushtetuese është vija e kuqe për çdo lloj qeverie. “Qëndrimi i palës greke ka qenë thuajse konstant për të zbatuar marrëveshjen e arritur me Shqipërinë asokohe. Qëndrimi ynë gjithashtu ka qenë konstant, sipas të cilit vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i padiskutueshëm dhe përbën vijën e kuqe të çdo lloj qeverie në Shqipëri që kërkon ti japë një zgjidhje në të ardhmen kësaj çështje. Shqipëria ka detyrime dhe nga e drejta ndërkombëtare dhe kur i referohemi korpusit të të drejtës ndërkombëtare në fushën e detit, pika kryesore është konventa mbi të drejtën e detit, apo e Montego Bay-it, që përcakton parime dhe ofron një metodologji për mënyrën se si palë të ndryshme, shtete të ndryshme mund ti japin zgjidhje këtyre çështjeve”, tha Bushati më tej. Ministri i Jashtëm përjashtoi dhe idenë e arbitrazhit ndërkombëtar të hedhur si ide nga opozita. “Në arbitrazh ndërkombëtar, në bazë të statutit të gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë shkohet vetëm kur dy palët e kanë ezauruar ciklin e negocimit mes tyre dhe nuk kanë rënë dakord për një marrëveshje, dhe kur bien dakord të dyja palët drejt një arbitrazhi ndërkombëtar”, tha ai.
Meçollari, agjent apo ekspert?
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka treguar në Komisionin e Jashtëm certifikatën e sigurisë së Artur Meçollarit, i cilësuar nga opozita si i papërshtatshëm për të qenë pjesë e grupit negociator me palën greke për çështjen e kufirit detar. Bushati në seancën dëgjimore në Komisionin e Jashtëm ka thënë se për Artur Meçollarin, një prej negociatorëve me Greqinë ka marrë nga NATO certifikatën e sigurisë. “Po ju them unë për Artur Meçollarin. Ja ku është certifikatë për informacionin e klasifikuar NATO Cosmic. Meqë kam dëgjuar disa jovertebrorë në media, që thonë ca është DSIK, që s’ka informacione të klasifikuara se është në funksion të Edi Ramës. Po NATO në kontroll të Edi Ramës është, që i ka dhënë këtij certifikatën e sigurisë?! NATO Cosmic është informacion që e kanë vetëm një rreth i ngushtë zyrtarësh. Ja certifikata e sigurisë për këtë person, e DSIK, ja dhe certifikata e Stoltembergut për këtë person”, deklaroi Bushati. Por, opozita këmbënguli me anë të deputetit Edi Paloka në qëndrimin e saj. Paloka tha se negociatat me Greqinë u janë lënë në dorë spiunëve. “Jemi këtu sepse u është lënë në dorë spiunëve me gjithë letrat që paraqet ky, që të negociojnë dhe të shesin interesat e Shqipërisë, prandaj jemi këtu”, u shpreh ai.
Deputetët, në dosjet e SHIU-t
Komisioni parlamentar i Sigurisë ka zhvilluar një takim me Shërbimin Informativ të Ushtrisë, ku ndër të tjera është diskutuar edhe për emrin e Artur Meçollarit. Për mediat, kryetarja e Komisionit Ermonela Felaj tha se nga SHIU u theksua se për këtë person nuk ka pasur asnjë çështje të ngritur deri në këto momente. “Përgjigja ishte shumë e qartë nga ana e drejtuesve të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (ish-SHIU). Personi në fjalë është ndër pesë personat që disponojnë certifikatën më të lartë të sigurisë në Shqipërie, është një certifikatë që jepet dhe mbështetet nga strukturat e NATO-s. Kjo agjenci tek e cila ne ishim, asnjë shqetësim në lidhje me personin në fjalë. Dua të vë në dukje këtë fakt, të mos biem në batakun e shpifjeve që ngrihen shpesh herë me qëllime të caktuara politike. Është një proces shumë i rëndësishëm që është duke kryer vendi ynë, përfundimi i një marrëveshje me një shtet fqinj siç është Greqia, e cila shënon një moment të rëndësishëm për faktin e vetëm se Shqipërisë krahas të tjerave i duhet që të mos ketë probleme me fqinjët në momentin e çeljes së bisedimeve për anëtarësim në BE”, tha Felaj.
Sigal