Përplasje me maxhorancën, jo më kompromis të pistë

595
Sigal

Kreu i LZHK Dashamir Shehi, paralajmëron opozitën se rruga e vetme për të zgjidhur lëmshin e drejtësisë është ndërrimi i Ramës. Me çadrën u gabua, duhej të dilnim duke negociuar me Evropën dhe jo me Ramën . Presioni i ambasadorëve, deputetët e inkriminuar, heshtja e OPDAT dhe Euralius dhe asgjësimi i Kushtetutës

Jakup B. GJOÇA

Dashamir Shehi, deputet, kryetar i LZHK-së në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet, se Opozita nuk duhet të bëjë më gabimin e prillit 2017, prandaj nuk duhet të kërkojë kompromis për reformën në Drejtësi. Zoti Shehi pohon se, nëse maxhoranca në shtator nuk ulet të diskutojë mbi 7 pikat që ka shtruar opozita, atëherë është më mirë përplasja përfundimtare me opozitën, ndërrimi i Edi Ramës dhe ndryshime kushtetuese, i atyre ligjeve kushtetuese që miratoi maxhoranca socialiste pa konsensusin e opozitës. Zoti Shehi pohon se kjo maxhorancë nuk e do Gjyqësorin të funksionojë dhe se kancelaritë e Evropës nuk mund të gënjehen më nga një aventurier me atlete.

– Zoti Shehi, pse Opozita nuk duhet ta votojë ligjin “Për gjyqtarët e prokurorët” për t’i dhënë një zgjidhje kolapsit në Drejtësi?

Ne, opozita nuk mund ta votojmë atë projektligj, sepse e thellon kolapsin dhe kapjen e drejtësisë nga zoti Rama dhe nga grupi i tyre. Duam që gjithë sistemi I drejtësisë të kthehet tek fryma e kompromisit dhe e konsensusit të 23 korrikut 2016. Gjatë këtyre 2 viteve, u bënë dhe u miratuan shumë ligje, që nuk kishin konsensusin e opozitës, dështuan në shumë sektorë të drejtësisë, sot jemi pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë praktikisht, rrezikojnë të bllokohen edhe gjykatat e Apelit. Ky është një dështim i parashikuar dhe i paralajmëruar nga opozita.

 – Pse nuk u parandalua ky dështim?

– Ky dështim u bë vetëm e vetëm që zoti Rama ta grabitë sistemin e drejtësisë. Ne nuk mund të bëhemi pjesë dhe aktorë të këtij teatri politik të kotë. Ne i kemi ofruar maxhorancës një shtrat, një udhëtim politik mbi të cilin mund të mbështetet mënyra për të gjetur një zgjidhje.

– Çfarë ka ofruar opozita për zgjidhje?

– 7 pikat, që deklaroi edhe sot kryetari i Opozitës, zoti Basha. Ato janë rregullat për të futur në zgjidhje reformën e drejtësisë, në atë që është bërë gabim deri më sot dhe për t’i hapur rrugë në të ardhmen zgjidhjen përfundimtare të procesit. Rrugë tjetër unë nuk shikoj. Janë bërë shumë gabime dhe do të ishte kriminale, nëse ne vazhdojmë akoma.

– Ju si e shpjegoni që Komisioneri i Zgjerimit të BE Hahn para disa ditësh nga Tirana e vlerësoi shumë këtë projektligj dhe i bëri thirrje edhe opozitës që ta votojë?

– Unë gjykoj që Komisioneri Hahn nuk e ka kuptuar asgjë nga ajo që është bërë në drejtësinë shqiptare, sesi mund të korrigjohen çështjet e drejtësisë në Shqipëri, kështu, që nuk i vë ndonjë faj të madh. Nuk është në gjendje të kuptojë një gjendje specifike shqiptare. Kështu, që Komisionerin e BE-së Hahn do ta lija në nivelin e të paditurit.

– Zoti Shehi vërtet edhe ju besoni që Komisioneri Hahn nuk di asgjë për drejtësinë shqiptare apo është tërësisht me qeverinë?

Jo, jo, unë besoj që PS-ja i afron gënjeshtra dhe një njeri i ardhur në Shqipëri nga Evropa, sigurisht, nuk mund të kuptojë maskarallëqet e Shqipërisë, sidomos për sa i përket drejtësisë. Për shembull, zoti Hahn nuk e kupton që Shkolla e Magjistraturës është e gjitha nën kontrollin e PS-së. Ku mund ta dijë zoti Hahn që ai që është drejtor i asaj shkolle, Sadushi, është një ish-komunist i thekur, i familjes së vjetër të Partisë, që ka për borxh të fusë në burg gjysmën e Tiranës që t’i shërbejë partisë. Zoti Hahn nuk mund ta kuptojë që Sadushi është kunati i zotit Xhafaj. Zoti Hahn nuk mund ta kuptojë që këta do të zgjedhin ata 25-30 njerëz, magjistratët shqiptarë, do t’i zgjedhin ata që u shërbejnë nga PS-ja, sigurisht që ata do të emërohen. Këtu hyn procesi i kriminalizimit dhe i politizimit të sistemit të drejtësisë edhe për 30 vite të ardhshme. Zoti Hahn, jam i bindur përtej inteligjencës që ka, nuk mund ta kuptojë realitetin e zi që luhet sot për drejtësinë shqiptare. Të flasim pas kësaj, që KLP dhe KLGJ janë të mbushur të gjithë me ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit, me hetuesit e Diktaturës, me njerëz të ardhur nga ajo kohë, të cilët nuk kanë për detyrë të rregullojnë drejtësinë. Detyra e tyre është e thjeshtë: Ta vënë Drejtësinë nën kontrollin e Edi Ramës personalisht.

– Pse në këtë moment, kur kemi kolaps të plotë në Drejtësi nuk flasin ata që e hartuan?

– Pikërisht, ata ambasadorët që ishin këtu dhe me kaq këmbëngulje e shitën për sukses të tyre këtë reformë në drejtësi, duke u ardhur turp nga dështimi i plotë, tani nuk flasin më. Megjithatë, unë pa ulur rolin e ndërkombëtarëve në këtë mes, gjykoj që nga vjeshta e tutje, mbi këtë platformë që afron opozita, mund të bëjnë ndryshime dhe korrigjime e nevojshme në Kushtetutën e Shqipërisë, edhe në një proces të përshpejtuar t’i hapet rruga ndërtimit të KPL dhe KLGJ, rizgjedhjes së Kryeprokurorit dhe rivendosjes në shina institucionale të sistemit të drejtësisë, si një sistem i pavarur, për të mos qenë i pavarur, të paktën të jetë i balancuar dhe të ngrihen ato institucione kundër korrupsionit, sepse, në fund të fundit, kjo ishte ideja bazë, sepse nëpërmjet kësaj mashe, kësaj leve të madhe të sistemit të drejtësisë do të pastrohej politika, do pastroheshin institucionet e tjera, do të pastrohej drejtësia, të cilat, ne opozita urojmë me shpirt dhe jemi gati të japim gjithë mbështetjen tonë, por nuk mund të biem në kompromise të pista, që PS-ja të kontrollojë të gjithë drejtësinë me ministra të korruptuar, si ministrat socialistë livadhisin të lirë.

– Ju besoni që Komisioni i Pavarur i Vlerësimit të Vettingut punon me lista të parapërgatitura?

– Absolutisht, deri më sot, të gjithë ne e shikojmë që të gjithë njerëzit me origjinë komuniste, ish-hetuesit e diktaturës i shpëtojnë këtij lloj vettingu të sotëm. Në vetting janë futur edhe nga natyra krahinore, janë futur njerëz, që ndoshta edhe e meritojnë, por janë futur njerëz, që sipas periudhave të rekrutimit kanë qenë të kohës së Berishës, t’i heqim, ndërsa të tjetër shikojmë që i shpëtojnë qetësisht vettingut.

– Pse hesht OPDAP dhe ERURALIUS, kur ata ishin garantuesit e reformës në drejtësi?

– Shiko, OPDAP dhe EURALIUS-I bënë shumë zhurmë, sollën disa specialistë pa përvojë, me thënë të drejtën, deri tani nuk kanë bërë ndonjë gjë të veçantë, plus, që edhe këto ranë nën influencën e qeverisë. Sigurisht, nëse do të tregohen në mënyrë të njëanshme, siç kanë vepruar deri tani, ky do të ishte produkti dhe fatkeqësisht, ky produkt është. Këto janë të gjitha problemet, të cila opozita i ka denoncuar 2 vjet me radhë dhe nuk na dëgjuan asnjëherë.

– Mos vallë, drejtësinë, siç e kanë katandisur, kështu e donin?

– Kështu e donin. Që të mos kishte Gjykatë Kushtetuese, sot u munduam të ankohemi për ligjin e e Pushtetit Lokal, për ligjin zgjedhor, për ligjin e Teatrit, nuk kemi ku të ankohemi. Sot, e gjithë Shqipëria ekonomike, e ligjit, administrative, është në duart e Edi Ramës dhe të bandës që e rrethon Edi Ramën.

Zoti Shehi, po ndërkombëtarët i kanë bërë presion Opozitës, që të votojë reformën në drejtësi ashtu siç e ka paraqitur maxhoranca?

– Unë gjykoj që nuk kanë bërë presion, sepse opozita nuk pranuar ndonjëherë, siç nuk e pranon edhe sot. Opozita me dëshirën e mirë pranoi para dy vjetësh konsensusin, sepse jemi të bindur se Shqipëria ka nevojë për reformë në drejtësi. Nevoja për reformë nuk presupozon që të shkatërrojmë çdo gjë, që kishim brenda sistemit të drejtësisë, që ta bëjmë të njëanshëm, ndonjëherë të dukshme dhe ta kthejmë drejtësinë në kohën e Enver Hoxhës.

Ju thatë që opozita nuk duhet ta votojë këtë projektligj, sepse do të jeni bashkëfajtorë. Sot, Ulsi Manja, në emër të maxhorancës deklaroi që nuk kemi kolaps në drejtësi, por nuk do pranojnë kurrë të kthehen në konsensusin e 22 korrikut të 2016-s. Ju si e gjykoni?

– Unë gjykoj që Ulsi Manja është i paditur për të interpretuar një gjë kaq të madhe, siç është drejtësia në Shqipëri. Ky është një ushtar partie. Unë e kuptoj që PS-ja është reduktuar në këtë nivel, që të përfaqësohet nga Balla dhe Manja. PS-ja kishte njerëz, që sigurisht me origjinë të Majtë, por ishin juristë me integritet. Këta tani të PS-së, që flasin për drejtësinë, duan vetëm t’i futin shkopinj drejtësisë. Kaq dinë.

– Mendoni që opozita mund të përsëritë ( e ndodhur nën presion) gabimin e prillit 2017-s?

– Gabimi ynë i prillit 2017-s është që shkuam të negocionim me zotin Rama dhe nuk shkuam të negociojmë me Evropën. Ky është një gabim që unë e interpretoj, edhe pse është një gabim i madh i opozitës i asaj kohe, Evropa na afroi një propozim konkret, të shtyheshin zgjedhjet, të ishim pjesë e qeverisë, të ndryshoheshin shumë gjëra, të cilat ne i refuzuam, dhe pranuam në ekstrem propozimet e zotit Rama. Ky ishte një gabim fatal, i cili na rezultoi edhe humbës për zgjedhjet parlamentare.

Si mund të bindë opozita, që kolapsi në drejtësi është pikërisht qëndrimi i maxhorancës, kur vetë Komisioneri Hahn u shpreh që duhet opozita të japë konsensusin?

– Ne, tashmë i kemi bindur një pjesë të partnerit ndërkombëtar, gjithsesi, edhe ky vit që është përpara do të shërbejë për të sqaruar të gjithë idetë tona. Dhe e fundit fare. Nuk kemi nevojë t’i bindim ne, do të binden vetë, sepse dështimi i reformës në drejtësi është kaq haptazi, saqë unë besoj që edhe qorrat e shikojnë këtë dështim.

A keni bindjen që ky kaos i rendit kushtetues i intereson kryeministrit Rama të ekzistojë edhe deri në qershorin apo dhjetorin e 2019-s, që negociatat të mos hapen dhe faturën t’ia ngarkojë opozitës, që nuk voton kushtet e tij të reformës në drejtësi?

– Ne e dimë shumë mirë, që negociatat nuk u hapën vetëm e vetëm për faj të Ramës, ai nuk e do Shqipërinë në Evropë, sepse pa Evropën Rama livadhis si të ketë qejf, por do bëjmë dhe shpalosim idetë tona, kështu edhe Rama nuk mund të gënjejë vazhdimisht komunitetin ndërkombëtar. Sigurisht, brenda komunitetit ndërkombëtar ka naivë, të painformuar, dhe këtu unë fut edhe zotin Hahn, ka edhe të paditur, ka sigurisht, edhe të korruptuar, por, sidoqoftë, kancelaritë e mëdha të BE-së që marrin vendimet, përfshirë këtu edhe Uashingtonin, janë seriozë, të cilët kanë filluar ta kuptojnë se një aventurier me atlete nuk mund t’i gënjejë vazhdimisht.

– Ardhja e ambasadorëve të rinj të SHBA dhe BE-së në Tiranë do të ndikojë sadopak në sjelljen e maxhorancës?

– Sigurisht, do të ndikojë, por unë gjykoj, që edhe sikur të ishin ata të vjetrit, dështimi, krimi, korrupsioni është kaq i dukshëm në Shqipëri, saqë edhe Lu e Vllahutin kishin filluar ta marrin kthesën. Ky është një realitet i dukshëm në deklaratat e fundit, Zoti Lu më në fund e kuptoi sa keq u tall maxhoranca socialiste me atë për çështjen e Tahirit, me gjithë presionin që bëri ambasada me e fuqishme e Botës, Edi Rama me bandën e tij mbrojtën kolegët e vet të krimit, nuk mbrojtën linjën e SHBA-ve dhe u dhanë sinjal gjithë grupeve kriminale, që “Sa të jemi ne këtu, juve nuk u prek askush, as ambasada amerikane”.

Ka një mendim të tillë. Që pa Gjykatë Kushtetuese, të Lartë i intereson maxhorancës. Ju si mendoni, a i intereson të shpejtojë t’i ngrejë?

– Unë them që maxhoranca nuk është e interesuar të ngrejë Gjyqësorin dhe sa kohë që do jetë ne pushtet ky grup politik i Ramës, Shqipëria do të jetë pa drejtësi dhe pas shtet. Kushti për të zgjidhur gjithë lëmshin e drejtësisë është ndërrimi i Ramës, ose kufizimi i pushtetit të tij, nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, ndryshe vendi do të degjenerojë në situata më të rënda.

– A kemi tjetër rrugëzgjidhje për të risjellë funksionimin e rendit kushtetues në Shqipëri?

– Sot për sot nuk kemi tjetër zgjidhje. E vetmja mënyrë është të dëgjohet fjala e opozitës, të negociohet mbi këto 7 pika, të largohet kjo kryeprokurore e përkohshme, të vendoset një tjetër komform ligjit, të zgjidhet duke ndryshuar Kushtetutën çështja e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe të hiqet dorë nga ky sistem gënjeshtar, korruptiv i Magjistraturës, sepse edhe në rrafshin praktik, kjo është një tallje e madhe për qytetarët shqiptarë. Magjistrati i parë do mbarojë pas 3 vitesh. Edhe 3 vite, kështu do rrijë Shqipëria pa gjykata? Dhe herën e parë do mbarojnë 100 veta. Këta janë bërë gati të heqin 300 me vettingun dhe do minimalisht 5-6 vjet të ripërtërijnë sistemin. Është një lloj utopie, nëse zgjidhjen e kërkojnë brenda kësaj formule të magjistratëve të rinj. Kjo më kujton edhe gjullurdinë që bëmë edhe ne, kur ishim në pushtet, të Plepave, por, u përmbys regjimi në sistem, jo brenda sistemit politik. Këta magjistratët e rinj, nuk janë më të Plepit, por janë të Shelgut. Kanë më shumë ujë tani brenda, sepse ata të Plepit, e kishin boll nga një diplomë përpara.

– Cila është zgjidhja e vetme që ju propozoni?

– Rikthimi, atakimi i Kushtetutës. Ato nene që u bënë gabim, emërimi i KLP dhe KLGJ, sipas propozimeve opozitare, sepse ato duhet të zgjedhim, brenda sistemit.

Këto zgjidhje që ju mendoni, do të vijnë brenda raporteve politike aktuale, apo me zgjedhje të parakohshme?

– Fati më fatlum de ishte zgjedhje të parakohshme dhe largimi i grupit të kriminalizuar të Ramës. Ky do të hap edhe një debat politik në vjeshtë dhe ndryshimi i Kushtetutës aty ku u gabua. Rivlerësimi i atyre 6 ligjeve që u votuan pa konsensus nga Opozita. Kjo do të jetë rruga teknike. Rruga politike gjithmonë është një konsensus i madh. Drejtësia nuk mund të jetë e një pale të vetme.

– Cila është ndjesia juaj? Do të arrihet kompromisi i kërkuar?

– Po të ishte për mendimin tim, mund të provoja një përplasje të madhe, sepse shpeshherë, kompromisi në Shqipëri, në vend që të jetë një kompromis politik, principial, ka qenë një Pazar kuotash dhe që fatkeqësisht e kemi pranuar edhe ne, krahu i opozitës, e Djathta, edhe kur ishim në qeverisje, edhe tani në opozitë.

– E keqja është kjo maxhorancë apo kryeministri Rama?

– E keqja është kryeministri Rama, vetë kjo maxhorancë është pjellë e kryeministrit Rama.

– Është gati opozita e sotme që të qeverisë?

– Unë besoj që, ndoshta në shtator jo, por në harkun e një viti, do të përmbushen të gjitha kushtet që edhe opozita të ketë platformën e vet politike, programin e vet dhe njerëzit e vet.

– Faleminderit!