Përplasja institucionale për bashkëpunëtorët e Sigurimit në Drejtësi

466
Sigal

Komisioni i Monitorimit: Kuvendi të thërrasë Autoritetin e Dosjeve

Komisioni i Monitorimit të Reformës në Drejtësisë, kërkon verifikimin e rastit të ish-prokurorit Bujar Sheshi, aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ky Komision, shkruan se sipas Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Bujar Sheshi “figuron në dokumente të Sigurimit të Shtetit si bashkëpunëtor, Sektori V, drejtimi Inteligjencë-Rini, por nga verifikimet e tanishme nuk disponojmë dokumente që vërtetojnë aktivitetin e tij”. Nisur nga këto, Komisioni i Ligjeve dhe të Drejtave të Njeriut të ushtrojë kompetencat e parashikuara duke thirrur në seancë të posaçme, anëtarët e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit, duke kërkuar shpjegime për arsyet dhe shkaqet e vonesës në shqyrtim dhe verifikim të rastit si dhe raport të plotë për afatet e shqyrtimit dhe kthimit të përgjigjeve për të gjitha kërkesat e marra nga Autoriteti.

Autoriteti i Dosjeve reagon për prokurorin Bujar Sheshi: Ka deklaruar të dhëna kontradiktore

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka dalë në një deklaratë zyrtare lidhur me verifikimin e figurës së pastërtisë së prokurorit Bujar Sheshi, i cili është anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në deklaratën zyrtare të AIDSSH, thuhet ndër të tjera: “Për rastin në fjalë, nga administrimi i dokumentacionit që disponojmë dhe nga verifikimet e kryera në fondet arkivore, të cilat përmbajnë dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat ruhen në godina të ndryshme, shumë larg nga zyrat aktuale të AIDSSH, u ndeshëm me ekzistencën e dokumenteve kontradiktore për sa i takon të dhënave për shtetasin Bujar Sheshi, si dhe me faktin e njohjes me dokumentin e tërheqjes në bashkëpunim të shtetasit Bujar Sheshi në moshë të mitur (nën 18 vjeç). Në këtë kontekst, u zhvillua dhe procesi i riverifikimit, përmes Drejtorisë së Gjendjes Civile, të gjeneraliteteve të shtetasit Bujar Sheshi (kontradiktore me të dhënat e shënuara në Formularin e Aplikimit nga vetë z. Sheshi).

Prokuroria: Deklarata e prokurorit nuk është e ngjashme me atë të AISSH

Prokuroria e Përgjithshme reagoi lidhur me rastin e prokurorit Bujar Sheshi. Prokuroria informon se nga dokumentet që vetë prokurori ka dorëzuar ai figuronte se nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor apo i favorizuar i ish-Sigurimit të Shtetit deri më datë 02 Korrik 1991. Më 26 tetor 2018, Prokurori i Përgjithshëm i është drejtuar AIDSSH, për të verifikuar kandidaturën e prokurorit Bujar Sheshi. Por ky institucion ka kthyer përgjigje jashtë afateve, konkretisht tre ditë më parë. “Pikërisht vonesa në kthimin e përgjigjes nga AISSH dhe plotësimi i deklaratës individuale të nënshkruar prej prokurorit Bujar Sheshi, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, që nuk përputhet në përmbajtje me Vendimin e AISSH, janë objekt i një hetimi të thelluar nga prokuroria kompetente” informon prokuroria e Përgjithshme.

Petrit Vasili: Komisioni i (Pa)varur i Monitorimit të Reformës në Drejtësi sheh gjurmët, por jo ujkun.

Ky komision është banalizuar në veprimin e tij, duke bërë thjesht alibinë e Prokurores së Përgjithshme. Prokurorja e Përgjithshme ka shkelur haptas dhe në mënyrë skandaloze ligjin dhe detyrimet e nenit 279. Komisioni i pavarur i Monitorimit i hedhur si gomë shpëtimi i prokurores së Përgjithshme na tregon rrugën “e lagu s’e lagu bishtin dhelpra” me komisione ligjesh, me gjoja verifikime vonesash etj., dëngla si këto. Ka vetëm një fajtor, që është prokurorja e Përgjithshme. Ka vetëm një skandal, që është shkelja e ligjit dhe miratimi i kandidaturës së prokurorit Sheshi pa kryer verifikimet. Ka vetëm një zgjidhje, që është shkarkimi i saj dhe fillimi i çështjes penale për shpërdorim të detyrës shtetërore. Ka vetëm një institucion të shpëlarë nga vlera, që sheh gjurmët, por nuk sheh ujkun, që është Komisioni i (Pa)varur i Monitorimit të Reformës në Drejtësi.