Përplasja Basha-Xhafaj, opozita: Veting për ministrin

719
Votohet në parim projektligji, ndërsa kreu demokrat kërkon kontrollin e politikanëve. Ministri i Brendshëm: Kini durim!
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj u përfshinë në akuza dhe kundër-akuza në Kuvend, gjatë diskutimit të projektligjit për vetingun në policinë e Shtetit. Kreu i opozitës deklaroi se vëllai i ministrit Fatmir Xhafaj është i dënuar në Itali dhe mbrohet nga qeveria. Gjithashtu, Basha i kërkoi Kuvendit të përfshinte dhe amendamentet e opozitës në ligjin e vetingut të policisë. Në fjalën e tij, Basha tha se duhet veting edhe i vetë ministrit të Brendshëm, zv/ministrave, drejtorit të SHKB-së dhe atij të pastrimit të parave. “Ne kemi propozuar një zgjidhje, nga ana teknike le t’i grupojmë këto rregulla, por janë një vrimë në ujë, nëse kërkohet vetingu i policit roje në Ersekë, po në krye të Ministrisë së Brendshme ka njerëz të lidhur me krimin si ministri, zv.ministrat, drejtori i Pastrimit të Parave, në Ministrinë e Financave e shumë të tjerë. Kjo është dilema që duhet të zgjidhim sot. Doni ju veting, përfshiheni amendamentin tonë, votojeni që si pjesë e vetingut të policisë së shtetit të bëhet veting i thelluar i ministrit, zv/ ministrave, drejtor i SHKB, pastrimit të parave dhe të tjerëve të rëndësishëm në luftën kundër krimit, që në këto pesë vite e ka kthyer në dasmën e krimit të organizuar”, tha Basha. Ai akuzoi kryeministrin se policia e shtetit është projekti personal i Edi Ramës, gjatë kohës që Ministrinë e Brendshme e drejtonte Saimir Tahiri. “Krijoi policinë e tij personale duke emëruar ministrin e Brendshëm një njeri që me vetëdije ishte pjesë e këtij plani, lehtësisht të përdorueshëm”, tha Basha. Kreu demokrat shtoi se “vetë vëllai i ministrit të Brendshëm është i dënuar me vendim të formës së prerë në Bolonja për trafik heroine dhe i shpëton dënimit vetëm falë manipulimit të Kodit Penal”.

Nga ana e tij, Xhafaj replikoi, duke sfiduar kreun e PD-së. “E kam thënë dhe nuk i lëviz asnjë presjeje, ta bësh atë (vetingun e politikës) është gjë shumë e mirë. Merre nismën. Duhet të kesh më shumë durim që të presësh, për shumë gjëra, edhe për atë që ke kohë që flet, edhe për SPAK-un edhe për BKH, edhe aty ka nevojë për një ndryshim, që procesi i tyre të nisë së pari nga unë, pastaj dhe tek ty, përfshirë edhe familjet tona, pasuritë tona. Do ta marr unë nismën shumë shpejt dhe besoj që do ta shohësh rezultatin sesi do të dalë, prandaj ki durim Lulzim”, tha ministri Xhafaj. Basha reagoi, duke akuzuar Xhafajn për metoda komuniste. “Harroje se mund të na impresionosh! Ti vetëm tregon se je pjesë e problemit, jo e zgjidhjes. Lëri dërdëllimat kot këtu. E ke fare të thjeshtë ti zotëri, këtu në ligj tani fut vetingun e ministrit. Ti mos na bëj si gardian i Kushtetutës, se ti ke emëruar pa veting Prokuroren që të mbyllësh çështjen e vëllait tënd. Ke ndryshuar kodin që yt vëlla të mos ekstradohet. Problemi është që ky është sistemi mafioz që tha sot prokurori i antimafies. Duke vënë figura kryesore të mafies për të bërë vetingun e policisë. As mos u skuq, as mos u zverdh, prano amendamentin e opozitës sot që ministri i Brendshëm të jetë i pari që bën vetingun. Jepi provën, shko arresto paraardhësin tënd dhe jep llogari për tët vëlla që gjezdis i lirë”, tha Basha.
Vetingu votohet në parim
Parlamenti votoi në parim projektligjin për rivlerësimin kalimtar të policisë, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Çështjeve të Brendshme në Ministrinë e Brendshme. Deputetët ranë dakord të përfshijnë në projektin e paraqitur nga Ministria e Xhafës dhe qeveria edhe disa sugjerime të bëra nga deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në seancën e ardhshme pritet të bëhet edhe votimi nen për nen i projektit për vetingun e policisë. Në sitën e vetingut do të kalojnë 13 mijë punonjës të policisë, në 3 faza të ndryshme. 
Sigal