Përplaset KLD-MD, Nasip Naço: Vendim skandaloz, s’mund të bashkëpunojmë

404
Sigal

Flet av. Saimir Vishaj: Anëtarët e KLD-së të japin llogari për gjendjen e gjyqësorit

Vendimi i KLD-së dy ditë më parë për të rrëzuar kërkesën e ministrit Naço, për shkarkimin nga detyra të gjykatësit të Apelit Gjin Gjoni, ka hapur një ‘front’ të ri përplasjesh mes Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë. Në një konferencë për mediat, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço e cilësoi skandaloz dhe qesharak vendimin e KLD-së për gjyqtarin Gjin Gjoni, i cili është nën hetim nga Prokuroria e Elbasanit, për fshehje të pasurisë, pasi u denoncua nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Reagimi i ministrit Naço ishte tepër i ashpër, pasi ai foli për pamundësi të Ministrisë për të bashkëpunuar me këtë KLD. “Shfajësimi që ky Këshill i dha zyrtarëve që skandalizuan mbarë opinionin publik është fakt më i fortë se sistemi i drejtësisë në Shqipëri është kthyer në një rrjet ky gjyqtarët mbrojnë njëri-tjetrin. Vendimmarrja e djeshme flagrante e KLD-së, shpreh dhe njëherë bindjen se, qeveria nuk mund të bashkëpunojë me këtë Këshill”,- deklaroi ministri. Duke iu referuar propozimeve për ndryshimet në ligjin për funksionimin e KLD-së, ministri Naço tha se: “tashmë u takon deputetëve të Kuvendit, të zgjedhur nga vota e popullit të vendosin se çfarë do të bëjnë me anëtarët e KLD-së. Do të mbyllin sytë apo do të ndahen përfundimisht nga kjo vendimmarrje skandaloze”. Ministri Naço u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të denoncojnë gjyqtarët që fshehin pasurinë. “Gjyqtarët janë bërë si ‘Sude’, duke fshehur pasuritë. Numri im si ministër i drejtësisë është i hapur për të gjithë. Ftoj qytetarët të denoncojnë”,- u shpreh ministri Naço.

ÇUÇI: QEVERIA MBËSHTET DEKLARATËN E MINISTRIT TË DREJTËSISË

Qeveria dhe Kryeministri mbështesin plotësisht deklaratën e Ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço si edhe çdo veprim që ai do të ndërmarrë për të çuar deri në fund luftën kundër korrupsionit në drejtësi. Në një deklaratë për mediat nga kryeministria, Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, njëkohësisht Koordinatorit Kombëtar në Luftën Kundër Korrupsionit, Bledi Çuçi reagoi pas vendimit të një dite më parë nga KLD, dhe në emër të qeverisë i bëri thirrje Parlamentit që të merret vendim për përfaqësuesit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. “Dje, në Shqipërinë tashmë kandidate për në BE dhe ndërkohë që e gjithë shoqëria e partnerët ndërkombëtarë presin me padurim rezultate konkrete në përmirësime rrënjësore në sistemin e drejtësisë, përpjekja e Ministrit të Drejtësisë për të luftuar korrupsionin ka marrë shuplakën e radhës nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë”, – deklaroi Çuçi. Në të njëjtën kohë, tha Çuçi, Qeveria shqiptare i bashkohet thirrjeve të Ministrit Nasip Naço drejtuar Parlamentit shqiptar dhe deputetëve për të marrë një vendim se çfarë ata do të bëjnë me përfaqësuesit e tyre në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, në kushtet e vendimmarrjes së paprecedentë që ndodhi dje në mbledhjen e radhës së KLD-së.

KLD: QEVERIA SYNON KONTROLLIN POLITIK TË INSTITUCIONIT KLD

Këshilli i Lartë i Drejtësisë hedh poshtë deklaratat e ministrit Nasip Naço lidhur me vendimmarrjen e KLD-së, e cila hodhi poshtë shkarkimin nga detyra të katër gjyqtarëve.

Zëdhënësi i KLD-së Elis Kuçi theksoi se, veprimtaria e institucionit është kryer konfrom kuadrit ligjor në fuqi. Sipas Kuçit, sulmet ndaj KLD-së janë “hapi i radhës në skenarin e përgatitur nga qeveria për kontrollin politik të sistemit gjyqësor në Shqipëri”. “Sot, Ministri i Drejtësisë bëri agjitacion e propagandë, duke dhënë publikisht vendim fajësie për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe të gjithë gjyqtarët e këtij vendi, me justifikimin e luftës kundër korrupsionit. Stili i tij propagandistik do t’i bënte zili edhe ish-byrosë politike të Partisë së Punës së Shqipërisë. E vetmja gjë qesharake në seancën e djeshme plenare të KLD, ishte në fakt performanca e Ministrit të Drejtësisë, i cili nuk arriti dot të provonte faktet e pretenduara ndaj gjyqtarëve në procedim disiplinor si dhe përmbushjen e kushteve ligjore për shkarkimin e tyre nga detyra. Ministri gënjeu publikisht për rrethanat dhe faktet e çështjeve të trajtuara dje në Këshill, Ministri gënjeu publikisht kur tha se kishte paraqitur prova për fajësinë e gjyqtarëve në seancën e djeshme të KLD. Ministri gënjeu publikisht kur tha se nuk ka transparencë në KLD pasi nuk mbahen procesverbalet e mbledhjeve. Ministri gënjeu publikisht edhe kur tha se ka marrë mendim nga Komisioni i Venecias për ndërhyrjet antikushtetuese në ligjin për KLD”, – deklaroi zëdhënësi i KLD-së. “Sqarojmë opinionin publik se e gjithë kjo fushatë denigrimi ndaj institucionit kushtetues të KLD, e mirëllogaritur dhe e nisur prej kohësh, është një farsë tragjikomike e cila fsheh në vetvete qëllimin për të kontrolluar politikisht çdo institucion dhe çdo individ që ka sot një detyrë publike. KLD i bën thirrje qeverisë të ndalojë sulmet politike publike dhe të lejojë gjyqësorin të zhvillojë i pandikuar proceset gjyqësore ndaj eksponentëve politikë të maxhorancës”- deklaroi Kuçi.

PR/LIGJI PER FUNKSIONIMIN E KLD

Projektligji i hartuar nga ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimet në organizimin dhe funksionimin e KLD-së, u është dërguar për mendim, KLD-së, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, gjykatave të të dyja shkallëve në vend, Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ndryshimi më thelbësor lidhet me anëtarët që zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, të cilët, krahas ushtrimit të detyrës në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ushtrojnë dhe funksionin e gjykatësit, të cilët, sipas këtij projektligji nuk mund të promovojnë vetveten, sikurse ka ndodhur përgjatë këtyre viteve.

BOX

 

Saimir Vishaj: KLD, deklaratat të turpshme e antiligjore

Deklaratë antiligjore e ka quajtur reagimin e KLD-së kreu i shoqatës së Avokatëve Penalist, av. Saimir Visha, duke mbështetur njëkohësisht reagimin e bërë nga ministri Naço. “Unë mbështes mendimin e ministrit Naço sepse aktualisht KLD ka kaluar në një organ politik, nuk mundet një institucion kushtetues të bëj politikën. Rezulton që KLD është një organ politikbërës. Zëdhënësi i KLD-së sot duhet të ketë qenë i intoksikuar me atë deklaratë që ka bërë. Nuk mund të flas KLD me terma maxhorancë, politik, opozitë., ndërkohë që për ne si jurist, politika e vetme është jurispendenca dhe drejtësia. Nuk ekziston në literaturën tonë fjala opozitë apo maxhorancë, por ne njohim fjalën ligj. Nuk mundet KLD të raportoj me atë gjuhë ose me ndonjë fjalim të përgatitur nga ndonjë zyrë politike të, ndërsa ministri Naço është jurist, është profesionist. Ne aktualisht jemi bërë pjesë e familjes evropiane nëpërmjet statusit të vendit kandidat, dhe detyra që na ka lënë BE duhet të zbatohen. Ndërkohë, ky këshill, me anë të zëdhënësit të vet tregoi që është një organ që i përket politikës dhe aspak drejtësisë”,- është shprehur për “Telegraf” z. Vishaj. Për sa i përket rrugës që duhet të ndiqet për t’i dhënë zgjidhje këtij ngërçi që ka kapluar gjyqësorin, avokat Vishaj shprehet se: “ së pari, parlamenti duhet që në mënyrë imediate të t’i kërkojë llogari zv.kryetarit të KLD-së dhe anëtarit, se nuk mundet që të dy anëtarët e KLD-së të marrin mandate të zëvendësuesve. Që në momentin që ata kanë marrë mandat të ri janë antikushtetues. Ata nuk kanë punuar as një herë në praktikë gjyqësore, nuk kanë qenë as avokat dhe as prokuror e gjyqtar. Të tre anëtarët kanë detyrim që të japin llogari para Parlamentit dhe komisionit të Ligjeve llogari për gjendjen e mjerueshme, në të cilën është gjyqësori sot. Deklarata antiligjore e zëdhënësit të KLD-së është e turpshme