Përparim Spahiu: Ne si LSI kemi qenë shumë sensitivë sa i takon biznesit të vogël

531
Sigal

Z. Spahiu e ndoqët me
interes protestën sot besoj, apo ajo?

Normalisht
do të kisha dëshira të isha edhe unë prezent sepse është një çështje shumë
sociale. Unë e kam ndjekur edhe vetë si çështje. Jam deputet i një prej zonave
më të mëdha të minierave në Shqipëri. Nuk më vjen mirë që ka një protestë për këtë
çështje, sepse duhet të ishte një çështje tashmë e zgjidhur, edhe përpara
prezantimit të draftit nga ana ime. Ishte një draft i dakorduar mes
sindikatash, i premtuar prej vitesh nga i gjithë spektri politik.

 

Po pse nuk ishit në
protestë?

Unë
jam deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe nuk doja që protesta të
merret ngjyra politike. Është një protestë e tyre. Ata po kërkojnë diçka për
veten e tyre kështu që mendova që këtë herë më mirë të rrija larg.

 

A ka pasur zhvillime të
tjera që nga momenti kur propozimi që bëtë ju u rrëzua në Kuvend? A ka ardhur
një variant i ri nga qeveria?

Ajo
që po i shitet sindikatave është i njëjti mashtrim që personalisht më ndodhi
dhe mua. Pra, është ngritur gjithmonë një grup pune, është një draft që
qarkullon te ministritë e linjës dhe vazhdojnë diskutimet. Një çështje pa
mbarim dhe pa fund që po zgjat prej vitesh. Ndaj edhe unë e mora iniciativën
vetë dhe për t’i vënë para faktit Parlamentin dhe qeverinë për miratimin e
Statusit të Minatorit. Para disa ditësh ka pasur edhe një protestë tjetër nga
një grup tjetër sindikatash.

 

Në fakt doja t’ju
pyesja edhe për këtë, pse janë dy grupime, çfarë interesash i ndajnë?

Me
sa kam vënë re në këtë periudhë që jam në politikë sindikatat marrin kahe
politike. Në shumicën e rasteve janë me qeverinë. Sindikata në kuptimin e
vërtetë pothuajse nuk ekzistojnë. Ndaj edhe doja t’i përshëndesja të gjitha
minatorët që ishin sot, z. Fiqiri Xibri dhe sindikatën “Minatorër 91” për
fillimin e një proteste, që unë besoj se do të shkojë edhe më tutje.

 

Ata morën një premtim
sot nga koordinatorja për bashkëqeverisjen që javën e ardhshme do të takohen me
Kryeministrin e vendit. Mendonin se do të arrijnë gjë?

Ishte
një lëvizje e zgjuar. Në fakt nuk kishte pse një polic të reagonte në atë
mënyrë që pamë edhe në media me një minator. Ndërkohë që takimi mund të ishte
edhe pak më përpara, që të mos agravonte çështja. Ishte një zgjidhje e momentit
dhe unë besoj që minatorët nuk do ta lënë me aq. Unë shpresoj që të ulen dhe të
bëhet një draft sa më i mirë. Unë e kam thënë se që nga data që Kuvendi e hodhi
poshtë Statusin e Minatorit, ata janë borxhlinj me këta njerëz. Unë mendoj se
ishin të gjitha mundësitë që ai projektligj të kalonte. Me të gjithë deputetët
po të flisje jashtë kamerave ishin dakord. Ke të drejtë, por s’kemi çfarë të
bëjmë janë interesa politike. Nuk e di përse çështje sociale duhet të lidhen me
interesa politike. Para dy ditësh, ne patëm aksident të rëndë sërish me humbje
jete. Ai person mbi 60 vjeç, në vend të ishte në pension, punonte për të
realizuar disa të ardhura. Mendoni tani që ai nuk jeton më, familja nuk ka më
të ardhura. Është një profesion shumë i rëndë. Kur ky është një proces që ka
ndodhur për ish-ushtarakë, për naftëtarë, përse të mos ndodhë për minatorët.

 

Qeveria e rrëzoi ligjin
dhe tha se do të ngrihet një grup pune nga Ministria e Infrastrukturës dhe
Energjisë. Jeni në dijeni, është ngritur ky grup pune?

Është
një histori që fillon që me prezantimin e statusit nga ana ime. Po të merret
statusi është një format standard me disa nene normale që një status duhet të
ketë. Thjesht mund të ishin diskutime të vogla për dakordimin për diskutimin
nen për nen, por në parim duhet të ishte dakorduar dhe Parlamenti duhet ta
kishte kthyer në Komisionin e Shëndetësisë. Megjithatë nuk e bëri. Ishte një
rrëzim politik i statusit, thjesht për faktin që është një deputet i LSI.

 

Mendoni se nuk do bëhet
fare?

Do
isha shumë i lumtur dhe do merrja pjesë në të gjitha diskutimet që do bënte
Komisioni i Ekonomisë (si komision për dhënie mendimi) për një qasje sa më
korrekte dhe për një status funksional.

 

Ju e keni mekanizmin
për të kërkuar llogari se çfarë po bëhet?

Argumentet
e rrëzimit të statusi ishin fare pa baza. Ishte një faqe e gjysmë që nuk jepte
asnjë argument. Normale që një status është i veçantë sepse ka disa specifika,
ka efekte financiare në buxhet. Nuk kishte përse të mos miratohej këtë herë.
Megjithatë, shpresoj që statusi të miratohet sa më shpejt që borxhi i tyre të
mos shkojë më larg me këtë shtresë heroike, heronjtë e punës ditët e sotme, si
puna më e vështirë që unë njoh.

 

Si po qeveris
mazhoranca e qeverisë Rama për sa i takon çështjeve ekonomike?

Po
qeveri shumë keq, për të mos thënë që nuk po qeveris fare. Pa ide se ku po
shkojmë, pa kokë, pa plane as afatmesme, afatgjata. Kanë gjetur një teori
taksa, rritje. Por dhe rritja ka limitet e veta që them se shumë shpejt do japë
efektet. Kemi dhe raportin e fundit të FMN, ku shqetësimet që ne kemi ngritur
edhe kur kemi qenë në bashkëqeverisje, qeveria po na çon në një kolaps, ose
ngecje të ekonomisë.

 

FMN në një dalje për
media dha alarmin për Partneritetin Publik-Privat, që dhe LSI shpeshherë ka
ngritur. Çfarë shqetësimi real ka me PPP?

Shqetësimi
është që në fillesë. Dhe FMN e cilësoi, që të ndalojmë kërkesat e bizneseve për
investime të tilla pa pasur një kërkesë nga ana e qeverisë, se ç’prioritete ka
qeveria dhe ç’sektorë të zhvillohen. Ka shumë probleme me transparencën e tyre,
e këtij mekanizmi. Ka shumë mangësi në efektet financiare sa i takon borxhit
publik. Është e gjitha në një rreth të mbyllur mes disa njerëzve që vendosin
për PPP në kafene. Pastaj bëhet procedura, se votat janë.

 

FMN shprehu një tjetër
shqetësim për aplikimin e TVSH për bizneset mbi 2 milionë lekë.

E
kemi kundërshtuar edhe në miratimin e buxhetit të vitit të kaluar. Ne si LSI
kemi qenë shumë sensitivë sa i takon biznesit të vogël. Është sektori që
mundëson punësim më të madh, është sektori që mban në një nivel bazik jetese
një sërë familjesh, pasi shumica e bizneseve të vogla janë familjare. Në një
moment heq taksën, pastaj premton që s’do ketë taksa fare, pastaj rikthen
taksën sërish, pra është një moment tepër kaotik edhe për bizneset, të cilat
nuk fare të qarta se çfarë do të ndodhë me ta. Është shumë e vështirë për këto
biznese të vogla të edukohen me vendosjen e TVSH-së, është një mekanizëm shumë
i vështirë. Edhe për bizneset që kanë eksperiencë me TVSH-në, kjo është kthyer
në një problem mjaft të madh si për vetë bizneset ashtu edhe për ekonominë. Ka
pasur vonesa. Ne kemi denoncuar edhe raste ku flitet që kërkohet edhe 30 për
qind për të marrë biznesi paratë e veta mbrapsht me rimbursim. Ky është një
shqetësim i të gjithë bizneseve. Jemi për një kontakt sa më të vogël të zyrës
së taksave me bizneset. Nuk po e bëjnë këtë gjë. Kërkojnë që të kontrollojnë
gjithçka, ta mbajnë nën presion. Pra, mund t’ju them që situata është vërtet e
rëndë.

 

Ju thoni që do të ketë
një impakt të madh te biznesi dhe se kjo situatë e rëndë do të shpërthejë në
një moment të caktuar, për shkak të keqqeverisjes së kësaj qeverie. Çfarë po
bën LSI-a konkretisht për këtë çështje, për të shmangur këtë presion që ju
sipër-cituat?

Mund
t’ju them që protesta e atyre minatorëve, që për mua nuk ishin pak, pasi doja
të theksoj se nga Bulqiza aty nuk kishte asnjë përfaqësues. Është një pjesë
pensionistësh që e kanë të pamundur të vinin në protestë. Është një pjesë
tjetër që janë nën presionin e punëdhënësit të tyre nëse marrin pjesë në
protesta të tilla. Por, ata pak njerëz që ishin aty na dhanë një shembull mjaft
të mirë që protesta e 27 janarit, aq paqësore dhe aq qytetare, të jetë po aq e
madhe, por jo aq paqësore.

 

Ndërkaq, çfarë po bëhet
me frontin opozitar, me bashkëpunimin mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe
Partisë Demokratike? Çfarë po ndodh aktualisht? A kemi ndonjë zhvillim të ri?

Sa
i përket kësaj çështjeje, LSI-a e ka shprehur qëndrimin e saj që në ditët e
para pas zgjedhjeve, që është një parti opozitare. Normalisht ka pasur një sërë
organizimesh të përbashkëta me Partinë Demokratike, që kulmoi me protestën e 27
janarit. Një bashkëpunim politik mes LSI-së dhe PD-së kërkon që të ketë atë
alkiminë e vetë, sidomos për sa i takon programeve. Mund t’ju them që afrohemi
shumë bashkë në programin ekonomik, kemi dhe ndajmë të njëjtat shqetësime.
Besoj fort që fronti opozitar do kalojë në një marrëdhënie politike mes palësh.

 

A është momenti dhe a
po diskutohet ndoshta nënshkrimi i ndonjë marrëveshjeje opozitarizmi mes LSI-së
dhe PD-së?

Deklarimet
kanë qenë të hapura. Deklaratat e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë qenë të
qarta nga Kryetarja dhe media ka qenë gjithashtu e qartë. Pastaj se çfarë
diskutohet nëpër kafene, nuk e di.

A duhet të kishte
filluar përgatitjet LSI për zgjedhjet vendore, ku të identifikojë kandidatët e
saj potencialë?

Besoj
që është një moment mjaft i rëndësishëm që të shkohet në këtë marrëveshje, por
nëse nuk ka një të tillë atëherë ne të fokusohemi që LSI do kandidojë e vetme
përsëri. Mendoj që jemi pak vonë me organizimin e përzgjedhjeve të zgjedhjeve
të 2019. Zgjedhjet lokale janë zgjedhje mjaft të rëndësishme administrative,
kanë të bëjnë me bashkitë e vendit e sidomos me reformën administrative të
2014-ës. Kjo, jep mundësinë e një reagimi politik me votë. Besoj se do jenë
zgjedhje ndryshe nga ato që ndodhën në qershor, ku e dimë mjaft mirë se si
manipuluan, vodhën e grabitën.

 

Ju dhe PD keni
denoncuar, pasi PS nuk pretendon për deformim votash.

Kishte
deformim vote, deformim sistemi dhe i të gjithë procesit. Normalisht, u
çorientua gjithë opinioni publik dhe partitë politike me ato marrëveshjet të 17
majit. Gjithsesi, ky është një diskutim i gjatë.

 

Po ju adresoj Reformën
Zgjedhore që po bëhet, LSI si gjendet e përfaqësuar?

Sistemi
zgjedhor është problemi kyç, ku them se duhet ndërhyrë që të kemi një sistem
korrekt. Unë po ju kujtoj rastin e Dibrës dhe 4000 votave për mosmarrjen e
mandatit të dytë. Gjithashtu në Korçë u dogjën 1500 vota sepse nuk arriti për
pak vota ta merrte mandatin. Po e njëjta gjë ndodhi edhe në Vlorë. Pra, është
një sistem tejet i diskutuar, ku duhet shkuar në një sistem të ri. Besoj që
partitë politike, sidomos 2 të mëdhatë, nuk do ulen për këtë çështje sepse u
intereson veç kryetarit të partisë që ta mbajë këtë sistem të tillë. Ne kemi
qenë për sistem proporcional kombëtar, ku të marrin pjesë sa më shumë parti, ku
të kenë përfaqësitë e tyre në parlament.

 

Si po ecën puna me
bashkinë e Dibrës pas problemeve të fundit që pati atje?

Me
bashkinë e Dibrës nuk kam asnjë marrëdhënie. Atje është një kryetar bashkie,
një mjek shumë i mirë me të cilin kam pak kontakte. Duhet thënë që Dibra është
shumë e lodhur nga politika. Normalisht që elektorati i Dibrës ka ende një
pozicion tejet të ulët, saqë është shumë e vështirë të kërkosh diçka sepse nuk
ka shpresë, por ne duhet ta bëjmë patjetër Dibrën. Duhet të krijohen kushte
normale për një zhvillim zgjedhor, ekonomi tregu, konkurrencë, pra kushte që ky
vend të jetë normal ashtu siç duhet e jo ashtu siç do Kryeministri.


Intervista e deputetit të LSI-së, Përparim Spahiu, në televizionin “Oranews”