Përmirësimi i cilësisë së ajrit, ministri Koka: Masat të mos godasin ekonominë familjare

422
Sigal

Ministria
e Mjedisit dhe ajo e Transportit po punojnë për hartimin e një akti ligjor, i
cili do të ndikonte në përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka i ftuar në emisionin
televiziv “Natë me Xhaxhiun” theksoi se nisma vjen në kuadër të angazhimeve dhe
objektivat që ka marrë Shqipëria për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Koka renditi disa nga faktorët që ndikojnë në ndotjen e
ajrit, për përmirësimin e të cilëve nevojiten, tha ai, një sërë masash.

“Sot në Shqipëri ndotja e ajrit vjen në masën 48%-60% nga
transporti, automjetet, kryesisht me pluhur dhe PM10. Është dhe çlirimi i CO2
faktor i rëndësishëm. Kemi një flotë të vjetër mbi 500 mijë të tilla mbase, me
moshë mesatare rreth 18.4 vite, e barasvlefshme me Euro 1”, deklaroi ministri
Koka.

Por tha ai, nevojitet një masë ligjore e cila do të çonte
në përmirësimin e treguesve të ndotjes, duke patur parasysh edhe mos goditjen e
ekonomisë familjare. “E rëndësishme është që ne do të konsultohemi dhe
prioriteti ynë është të godasim sa më pak ekonominë e çdo qytetari apo
poseduesi të një makine të vjetër ndotëse të ajrit”, shtoi ministri Koka.

Ne si ministri Mjedisi, vuri në dukje ai, nuk jemi të
mendimit që këto makina nga sot të dalin jashtë përdorimi apo të detyrojmë të
instalojnë po sot katalizatorë, por duhet t’u lëmë qytetarëve kohën e duhur të
përshtasin makinat e tyre në standardin e kërkuar Euro 3.

Standardi Euro 1, i përket viteve 93-97. Shqipëria është
i vetmi vend në Evropë apo rajon ende me Euro 1. Sot Evropa e zhvilluar është
në Euro 6, vendet e rajonit si Mali i Zi apo Bosnja janë në Euro 3 apo 4

Aktualisht, ne jemi duke punuar
me propozimin e nismës që kemi nisur për ta cuar pranë Qeverisë Shqiptare dhe
më pas në Parlament.

Nisma ligjore e ministrisë së Mjedisit në bashkëpunim me atë të Transporteve
parashikon vendosjen e detyrimit për ]do automjet të ri që hyn në Shqipëri si
import të kenë në standardin Euro 5 të reja dhe Euro 4 të përdorurat.

Sipas ministrit Koka, ajo që është problematike dhe që ne
nuk mund të jemi radikalë në vendime janë mjetet Euro 1 deri në Euro 3. “Do të
propozojmë një përshkallëzim”, deklaroi ministri Koka.