Përmbytjet, Peleshi: Ja pse s’u shpall gjendja e emergjencës

443
Sigal

TIRANE – Nëse qeveria do të kishte shpallur gjendjen e emergjencës si pasojë e përmbytjes së një zone në jug të vendit, do të ishte paralizuar veprimtaria në të gjithë qarkun. Me këtë argument zëvendëskryeministri Niko Peleshi argumentoi nga foltorja e Kuvendit se përse qeveria nuk shpalli gjendjen e jashtëzakonshme përballë përmbytjeve në jug të vendit, veçanërisht në komunën e Novoselës në Vlorë dhe në disa fshatra të Fierit. Në emër të kryeministrit Rama i cili udhëtoi sërish drejt Novoselës për të parë nga afër situatën e përmbytjeve, Peleshi tha se qeveria do të bëjë vlerësim real të dëmeve dhe do të kompensojë çdo familje të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore.
 
Deklarata e zëvendëskryeministrit vjen si përgjigje ndaj thirrjeve të vazhdueshme të opozitës e cila ka kërkuar shpalljen e gjendjes së emergjencës në jug të vendit.
 
Ekipet janë në gatishmëri dhe në terren. Në emër të qeverisë gjithë struktura është sot e gatshme në terren nuk do lë pa ndihmuar asnjë qytetar të vetëm. Spekulimi me gjendjen e jashtëzakonshme nuk ka kuptim. Qytetarëve nuk i intereson statusi në letër i intereson se çfarë bën qeveria në terren, nuk kemi lënë pa bërë asgjë ka vetëm një çështje teknike, është bërë për arsye për të mos paralizuar veprimtarinë në të gjithë qarkun për shkak të një zone të përmbytur. Pa e vendosur të gjithë rajonin në gjendje emergjence do të ishte i preferuar dhe jo i kundërshtuar siç e shisni ju. Vlerësimi i drejtë dhe real dhe kompensimi i çdo dëmi sapo të kemi larguar emergjencën e përmbytjes që sot është prioritet i qeverisë”, u shpreh Peleshi.

Paloka: Qeveria nuk shpallen emergjencën se nuk do të paguajë dëmet
Për kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, qeveria nuk e shpalli gjendjen e emergjencës pasi nuk do të paguajë dëmet.

“I japim mbështetje çdo njeriu që ndihmon zonat e përmbytura, por nuk mund të mashtrojmë qytetarët. Rama gjeti sot ditën të iki të bëjë cirk mediatik në Vlorë, gjithë ditët e tjera hante byrek në Vlorë ose shëtiste në Facebook. Shpresojmë të interesohet vërtetë për qytetarët, se ku është situata në kontroll e dinë vetëm këta, Peleshi nuk dha shifra, por tha fjalë të përgjithshme, disa zona në Berat kanë qenë të përmbytura, Peleshi shkoi para ca muajsh në Berat dhe i tha se do t’i bënte një ishull artificial, paratë e taksave do t’i bëjmë ishull”, tha Paloka.

Peleshi: Te gjitha strukturat ne terren, basha ben show me cizme
Zëvendëskryeministri Niko Peleshi nga foltorja e Kuvendit  informoi qytetarët në lidhje me atë se çfarë ka ndodhur në vendit me nisjen e reshjeve intensive të shiut që shkaktuan përmbytjet në jug. Ndërsa bëri një panoramë të situatës aktuale dhe të angazhimit të të gjithë strukturave në shpëtimin e jetëve të njerëzve, Peleshi tha se në ndryshim nga rezultatet reale në terren që po jep ky angazhim, opozita në anën tjetër bën show.
 
 “Kryeministri është sot jo për herë të parë në terren pranë zonave të përmbytura dhe nuk është vetëm kryeministri për të bërë atë që bën kreu i opozitës për të bërë show me çizme në ujë ,por janë të gjitha strukturat në gjendje pune pranë të gjithë qytetarëve. Përmbytja nuk mundit të shmangej totalisht. Kemi një lajm të mirë sot, si rezultat i ndërhyrjes së autoriteteve, nuk kemi asnjë jetë të humbur. Prioritet, shpëtimi i jetës së njerëzve i pasurisë së qytetarëve të kërcënuar, kjo seancë meriton të fillojë me një transparencë. Sot qytetarët përpara debateve tona politike presin solidaritet qe mbase për herë të parë pas shumë kohësh të marrin gjeste bashkëpunimi përtej kufijve politikë”, tha Peleshi. 

Paloka: Rama të vijë të flasë në Kuvend për përmbytjet…por “surprizohet” nga Peleshi
Ishte kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka i cili që në nisje të seancës kërkoi që qeveria të japë një paraqitje të situatës së përmbytjeve…por kjo pa e ditur se zëvendëskryeministri Peleshi kishte kërkuar fjalën dhe kishte përgatitur përmbledhjen e të gjithë situatës.

“Rama të vijë këtu të raportojë me detaje për çdo gjë që lidhet me këtë situatë. Deputetët që kanë qenë atje duhet të informojnë për situatën në jug të vendit. Në këtë seancë duhej fillimisht Rama të vinte të raportonte mbi situatën. Të dalë këtu jo për të na përsëritur formulën e zakonshme se sa krenar ndihet me bëmat e qeverisë së tij. Se i është bërë zakon sa ndodh një skandal del Rama thotë jam krenar për ministrin e Brendshëm kur Shqipëria hidhet në erë me tritol. Jam krenar për ministren e Mbrojtjes kur bie avion droge. Ndenji një orë te bunkeri i Enverit, foli për kullën e Korçës, Muzeun e Vrimave, vuri tre lapsa me ngjyra në xhep në Francë tha unë e ndjej veten më shumë si piktor francez se kryeministër shqiptar. Nuk del dot se nuk  përballet dot me realitetin”, u shpreh Paloka.

Zëvendëskryeministri Peleshi bëri një panoramë të situatës aktuale dhe të angazhimit të autoriteteve në terren.
Dita 6
17 mijë ha tokë, bujqësore e zona të banuara nën ujë
5 mijë ha shtëpi, zona të banuara ku janë përqendruar ndihmat
500 qind familje të evakuara
Evakuim është bërë konviktet e shkollave të Vlorës dhe Fierit, por pjesa më e madhe kanë zgjedhur të shkojnë pranë familjarëve të tyre
2500 pako ushqime janë shpërndarë për familjet në zonat e mbytura
2100 forca e qindra mjete, emergjencat civile, policitë lokale, Delta Force, FNSH Fier, RENEA, FA, shërbimet e zjarrfikësve, bordet e kullimit, qendrat vullnetare të emergjencave civile janë angazhuar

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi tha se për herë të parë në 24 vjet strukturat e emergjencave civile paralajmëruan situatën dhe nisën përgatitjet për të përballur situatën. Ai tha se në shumë raste banorët kanë refuzuar evakuimin duke e vështirësuar punën e ekipeve të shpëtimit.

“Më 28 janar, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave civile u njoftua nga metereologët për situatën e rënduar të reshjeve që do prekte vendin, brenda 28 janarit u përcoll informacioni tek të gjithë prefekturat. Më 29 janar u ngrit Shtabi i Emergjencave Civile, u ngritën shtabet në çdo prefekturë, u njoftuan banorët për rrezikun. Më 30 janar nisi largimi i banorëve përgjatë lumit Vjosë në zonën e Memaliaj dhe të zonave të tjera që rrezikoheshin, një pjesë nuk pranuan të lëvizin, në mjaft raste është kërkuar në mënyrë të përsëritur të largohen. Ka vazhduar evakuimi i detyruar në fshatrat e komunës së Novoselës, të komunës Frakull e Levan. Ka pasur rezistencë nga të gjithë banorët, ka vijuar kjo situatë deri në orët e para të datës 1 shkurt. U ndalua qarkullimi në zonat e përmbytura. Më 2 shkurt me qetësimin e situatës nisi ndarja e pakove me ndihma ushqimore, strukturat e Ministrisë së Brendshme hapën gropat për groposjen e bagëtive të ngordhura, Panariti është në terren për të ndjekur këtë proces. Zjarrfikëset kanë nisur pastrimin e ujit dhe dherave nga banesat. Situata e emergjencës nuk ka kaluar përfundimisht madje priten reshje në ditët në vijim. Ekipet janë në gatishmëri dhe në terren”.