Përmbytjet, nisi hetimi për palmat e ndërtimet

635
Përmbytja e autostradës, ekspertët zbulojnë shkaqet dhe e cilësojnë të papranueshme
Prokuroria nis hetimin për palmat dhe ndërtimet pa leje, qeveria pretendon se shkaku janë qytetarët, kryebashkiaku i Vorës ia kalon fajin atij të Tiranës
Situata katastrofike në të cilën është përfshirë vendi ynë prej së enjtes në mesditë, përfshiu edhe autostradën Tiranë-Durrës. Për herë të parë që nga koha kur është ndërtuar, në vitin 1930, kjo autostradë, u gjend mbrëmjen e së enjtes nën pushtetin e ujit. Por jo e gjitha. Ka qenë vetëm një segment, ai që bëri të bllokohej kalimi nga njëra anë e aksit Durrës-Tiranë. Niveli i ujit në autostradë arriti deri në 1.5 metër. Ndërkohë dhjetëra makina u shkatërruan, bizneset pranë autostradës pësuan dëme të mëdha, palmat e mbjella nga qeveria Rama u rrëzuan. Pra e gjitha ishte dhe vazhdon të jetë edhe sot, një katastrofë ,e cila sipas ekspertëve, duket se është shkaktuar nga dora e njeriut. Por cilat janë shkaqet që çuan autostradën në këtë gjendje? Pse u bllokua vetëm njëri aks dhe pse pikërisht në atë vend, pra përballë qendrës tregtare City Park? Ndonëse gjetja e fajtorëve të kësaj situate do të jetë tepër e vështirë, pavarësisht premtimeve të qeveritarëve se ata do të identifikohen e do të ndiqen penalisht, ekspertë rrugorë flasin për disa nga shkaqet që, nëse do të ishte ndërhyrë në kohën e duhur, do të mund të evitonin një katastrofë të përmasave të tilla. Gëzim Hoxha, ekspert për aksidentet rrugore, e njeh shumë mirë këtë aks. Ndonëse ai nuk flet si inxhinier i ndërtimit të rrugëve, të cilët do të nxirrnin në pah mangësitë që nga themelet, jep disa shkaqe kryesore. 

Sipas Hoxhës segmenti që u përmbyt mbrëmjen e së enjtes, ka qenë gjithmonë problematik. Ai e vë theksin tek mirëmbajtja e saj, tek firma që ka marrë përsipër të bëjë riparimet dhe tek gjetja e zgjidhjeve nga ana e tyre. Eksperti i aksidenteve rrugore, thotë se ka qenë dëshmitarë i dhjetëra rasteve të vdekjeve që kanë ndodhur në këtë aks, pikërisht si pasojë e rrëshqitjes nga grumbullimi i ujërave. Madje ai sjell edhe një shembull. 

“Gjatë punës sime si ekspert, pohoj se tek kthesa e Sukthit kanë vdekur të paktën 25 veta. Ishte një nga segmentet shumë problematike që mbante ujë sa herë që binte shi. Pasi u pa se rezultatet pas çdo shiu ishin fatale, në këtë segment u arrit të ndërhyhej. Ka tre katër vjet që është riparuar dhe tani nuk ka më probleme”, tha Hoxha. Ndërsa lidhur me përmbytjen para qendrës tregtare në një gjatësi rreth 1 km, Hoxha thekson se kemi të bëjmë me një bllokim të kanaleve kulluese dhe barrierave të ujit. Unë, thotë ai,- shoh atë pjesën e kanaleve të drenazhimit që nuk kanë qenë në gjendje të thithin ujin e tepërt si pasojë e bllokimit të tyre. Por më tej shpjegon se, ndoshta ka të bëjë edhe pjerrësia e rrugës që vjen nga qendra tregtare dhe gjithë ujërat grumbullohen atje. “Shiu nuk bie vetëm në atë pjesë, por në të gjithë rrugën dhe për fat të keq, përmbytja ndodhi vetëm në këtë aks. Pra kjo do të thotë se ky aks ka pasur nevojë për një kanal kullues me qëllim që të mblidhte të gjitha ujërat. Natyrisht, që shkak kanë qenë edhe barrierat e vendosura në rrugë. Barrierat duhet të kenë disa vrima. Dy tre kilometra më andej barrierat nuk i kanë këto lloj elementesh. Kjo situatë kërkon vlerësim që të mos ndodhë. Kjo kërkon një vëmendje dhe duhet të dilet në konkluzion dhe jo vetëm të kalojmë emergjencën”, tha eksperti Hoxha. Sipas tij fakti që ne kujtohemi të bëjmë deklarata vetëm në kohë emergjence dhe më pas kur kalon kjo situatë harrojmë të bëjmë ndërhyrjet përkatëse në akset dhe zonat që përmbyten, është e papranueshme. “Kjo është situatë e pa pranueshme. Nëse do të kapte gjithë segmentin është normale, por kjo është një segmentet dhe kjo është faj. Nëse do të përmbytej e gjithë rruga do të ishte gabim, por në këtë rast kur është përmbytur vetëm një segment kemi të bëjmë me një faj të rëndë që duhet gjetur se kush e ka bërë dhe duhet ndëshkuar.”, tha Hoxha. 
Sigal