Përmbytjet, Basha thirrje qeverisë: Mobilizohuni, shmangni viktima të tjera

462
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar në rrjetin social “Facebook”, lidhur me situatën e vështirë që po kalojnë qytetarët në Fier dhe Vlorë, për shkak të shirave të dendur që kanë shkaktuar përmbytje masive prej mbrëmjes së djeshme. Kreu i demokratëve shpreh ngushëllime për familjen e Luan Qarrit, i cili humbi jetën, pasi makina e tij u rrëmbye nga vërshimi i ujërave të një përroi në Vlorë. Basha i bën thirrje qeverisë që të marrë masa për të shmangur viktima të tjera në njerëz, duke theksuar se jeta e qytetarëve është prioritet absolut.

“Situatë e rëndë për qindra familje në Fier e Vlorë, por dhe në qytete e fshatra të tjera të Jugut ku shirat e dendur kanë krijuar përmbytje e pasoja dramatike. Për fat te keq ujërat e rrëmbyer kane shkaktuar edhe vdekjen e kryefamiljarit Luan Qarri. Dua ti shpreh ngushëllimet më të ndjera të afërmve të tij. I kërkoj qeverisë të mobilizohet me gjithçka që ka në dispozicion për të shmangur viktima të tjera në njerëz. Jeta e qytetarëve është prioritet absolut. Të veprohet me shpejtësi dhe te zbresin në terren me te gjitha forcat dhe mjetet, aty ku bashkëqytetarët tanë janë mbuluar nga uji dhe balta, ku rrugët janë bllokuar e ku koha nuk pret asnjë minutë për të shmangur fatkeqësi të tjera”- shkruan Basha.
Sigal