Përleshjet e çakejve të sindikatave për pronat, kanë kthyer sindikalizmin në “plaçkë” politike

447
Sindikatat në Shqipëri nuk ekzistojnë më si veprim. Ato figurojnë në letra gjykatash si shoqata me kryetar të regjistruar përjetësisht me mandate të plaçkitur me vota tip e lloj “biletë telebingoje”, përdorur si bixhoz në kongrese “mejhane” me çeta e grupe private e pirate! Ka një fakt: Sindikatat në Shqipëri janë një nevojë emergjente si forcë për veprim, por ato nuk veprojnë, nuk flasin asnjë fjalë. Edhe kur flasin, hapin gojën me urdhër të partive politike, të cilave u shërbejnë si “uturakë”! Sindikatat që duhej të bënin namin, po bëjnë “nani-nani”, ndërkohë që shqiptarët po përballen prej 25 vitesh me kriza social-ekonomike, me papunësi e mjerim ekstrem, me ekonomi të zhdukur totalisht, me drejtësi të kapur prej krimit, me arsim të degraduar, me mjekësi të zhytur në korrupsion, me ilaçe të skaduara, me energji elektrike, ushqime e transport me çmime 10 herë më të larta se në Europë, me shërbime publike të plaçkitura prej ministrave, bandave të mafies ekonomike financiare, prej shtetarëve e politikanëve të çdo krahu në çdo rotacion pushtetesh e ortakëri mes tyre.

 Qëndrimin e tyre, sindikatat e katandisën deri në atë derexhe si grupime, deri në atë turp e inekzistencë, sa nuk i përfill më shoqëria e madje edhe vetë punonjësit, të cilëve kur u përmend emrin “sindikatë” u vjen “për të vjell”, nisin e tallen gjithë neveri për ata që i kanë uzurpuar dhe i kanë kthyer në manekinë të politikës. Shteti u ka “kyçur” derën sindikatave, mbasi kuptoi që “çifligarët” e tyre lëpiheshin e lëpihen neveritshëm e pa asnjë skrupull pas “bishtit” të partive politike e qeverive të tyre për “kocka” privilegjesh për familjarët e tyre. U lëpiheshin e u lëpihen pushteteve politike si “langua”, për t’i shpëtuar drejtësisë për krimin e vjedhjes dhe shkatërrimit të pronave të sindikatave. sindikatat nuk kanë “kohë” e ‘fuqi” të merren me papunësinë, me varfërinë dhe me shetësimet e punonjësve, mbasi nuk i shikoj ë këto halle punonjësish, sepse vazhdojnë të “notojnë” në pasuri e llogari bankare të shumta, të siguruara prej qirave të objekteve dhe shitjeve mafioze që u bën këtyre pasurive gjigante, të dhëna për shërbime social-ekonomike-kulturore për punonjësit, anëtarë të sindikatave.
 Ajo që i mungon sot shoqërisë shqiptare është edhe lëvizja sindikale, jo si numër, jo si emra kryetarësh, por si veprim. Sindikata ka e madje të shumta në numër. Pse nuk janë veprim sindikatat? Pse nuk po e dëgjojmë më zërin e tyre? Punonjësit kanë mbetur pa mbështetjen dhe mbrojtjen sindikale, ata janë braktisur deri në shpërfillje nga kupolat drejtuese sindikale. Në përleshje çakejsh e hienash për pronat, sindikatat janë bërë “copa-copa” deri edhe në konflikte fizike brenda e mes njëra-tjetrës për vula, për zyra, për lista fiktive, anëtarësh, për zona dominimi e përfaqësimi nëpër institucione, ndërmarrje, njësi shërbimi e firma private. Punonjësit shqiptarë, i njohin mirë individët që drejtojnë këto “çeta sindikale” dhe i kanë shkëputur përfundimisht raportet me ta, megjithëse këta individë të vetmuar vazhdojnë ta quajnë veten “sindikata”. Megjithëse vazhdojnë të tundin klubeve e kioskave vula dhe akte themelimi. Në Shqipëri, nëse janë dy zyra-sindikata të me emrat BSPSH e KSSH. Këto lloj “sindikata-tabela” të “ngujuara” nëpër garsoniere e bodrume pallatesh dhe që ekzistojnë vetëm në dosjet e gjykatave, kanë humbur përfundimisht përfaqësimin e tyre në masën e punonjësve. Këto vërtetë kanë vulat e këtyre sindikatave por nuk mund të bëhen dot faktor, mbasi e kanë humbur personalitetin duke u tjetërsuar ne kukulla politike.
Sigal