Përjashtimi i deputetëve, Monika Kryemadhi paralajmëron Edi Ramën

526
Mazhoranca vetëm me votat e saj në Byronë e Kuvendit, përjashtoi për dhjetë ditë, shtatë deputetë, katër të PD-së dhe tre të LSI-së
Mazhoranca nuk është mjaftuar vetëm me “forcën” e saj brenda Kuvendit, që përmes kartonëve vulos çdo ligj apo vendim që asaj i duket i drejtë. Pasi emëroi vetëm me 69 vota, Prokuroren e Përkohshme, përmes një procedure, e cila u kundërshtua nga opozita, dje ka hedhur hapin tjetër. Vendosi që përmes Byrosë së Kuvendit, të ndëshkojë shtatë deputet të opozitës, me argumentin, se ushtruan dhunë në Kuvend, fyen deputetët dhe kryeministrin, madje tentuan të godisnin shefin e qeverisë me çizme. Kërkesa për përjashtimin e shtatë deputetëve me dhjetë ditë, u firmos nga një grup deputetësh të majtë, menjëherë pas përfundimit të seancës, ditën e hënë. Në krye të deputetëve që u përjashtuan, ishte Monika Kryemadhi. Tre deputetë të LSI-së dhe katër të PD-së, u vendos sërish me votat e mazhorancës, të mos jenë për dhjetë ditë në Kuvend. Monika Kryemadhi, Endrit Brahimllari, Kejdi Mehmetaj, Flamur Noka, Ervin Salianji, Bardh Spahia dhe Endri Hasa. Deputetët u thirrën dje paradite në Byronë e Kuvendit. Ata u pyetën nga anëtarët e Byrosë së Kuvendit. Masa ndëshkuese ndaj tyre fillon më 15 janar, kur edhe fillon legjislatura e re e parlamentit. Sakaq ndaj 10 deputetëve të opozitës ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për prishje të rendit publik dhe kundërshtim të policisë gjatë protestës së 18 dhjetorit, në seancën e votimit të Kryeprokurores së Përkohshme. Ndonëse mbledhja ishte me dyer të mbyllura nga brenda saj doli menjëherë një video. Deputetët e majtë pyesnin Kryemadhin, lidhur me qëndrimin e saj të mbajtur ditën e hënë në Kuvend dhe, nëse e konsideronte të gabuar veprimin kur tentoi të godasë me çizme kryeministrin. Pas daljes nga Byroja e Kuvendit, Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi dhe një deklaratë ku sqaroi qëndrimin e saj dhe vendimin e përjashtimit, për të cilin tha se nuk i interesonte aspak.
Kryemadhi: Çizmja ishte paralajmërim 
“Njerëzit të cilët donin që ta përdornin këtë sistem drejtësie ditën e hënë e shkelën Kushtetutën. Sa i përket çizmes, meqë e kanë me merak të madh, ashtu siç ritheksova në sallën e Byrosë, çizmja është simboli paralajmërues për këtë juntë të krimit dhe të drogës që po vendoset në Shqipëri”, u shpreh Kryemadhi. Më tej ajo theksoi se nuk ka për t’u ndaluar, sepse sipas saj nuk kanë për t’u ndaluar shqiptarët, sepse shqiptarët e kanë vendosur drejtësinë në mes të Parisit, jo më në Tiranë. “Më shqetëson varfëria që po pllakos shqiptarët, të cilët sa më të varfër të jenë, aq më lehtë nënshtrohen nga Rama. Kjo është një arsye, që Rama po varfëron shqiptarët për t’i pasur skllevër dhe argatë të plantacioneve të drogës. Luftë kundër drogës dhe kundër atyre që duan t’i kthejnë shqiptarët në spaçator”, tha ajo. Monika Kryemadhi tha se Rama ishte përgjegjësi kryesor për bllokimin e procesit të integrimit të Shqipërisë. “Statusin për hapjen e negociatave e ka shkatërruar Edi Rama, ai është përgjegjësi kryesor. Ai nuk ka dashur dhe ka sabotuar në çdo moment Reformën në Drejtësi. Ai është i vetmi përgjegjës, i cili e solli në këtë situatë për të zhvilluar seancën e ditës së hënë, sepse nuk do të ngrihet Byroja e Hetimit, KLP, Prokuroria kundër korrupsionit, sepse është një nga njerëzit më të korruptuar”, përfundoi Kryemadhi.
Deputetët e përjashtuar
LSI
Monika Kryemadhi
Endrit Braimllari
Kejdi Mehmetaj
PD
Flamur Noka
Ervin Salianji
Bardh Spahia 
Endri Hasa.
Sigal