Përgjimi, Llalla: Hetime prej 5 ditësh

390
Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka raportuar sot në Komisionin e Sigurisë lidhur me çështjen e pajisjes së përgjimit. Llalla bëri me dije se prokuroria ka nisur hetimet për çështjen e pajisjes përgjuese pas ardhjes së informacioni për ekzistencën e saj. Sipas kryeprokurorit, Prokuroria është në fazën e kryerjes së veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe se përgjuesi do të procedohet për shpërdorim detyre.
Sipas kryeprokurorit, hetimet kanë nisur 5 ditë më parë, pas një informacioni gojor të dhënë nga kreu i SHISH dhe informacioneve të tjera të grumbulluara, përfshi ato mediatike. Llalla theksoi se do të jetë hetimi që do të zbardhë gjithçka lidhur me këtë çështje, ndërsa shtoi se është detyrë e prokurorisë të nisë një hetim sa herë që ka dyshime mbi një vepër penale, aq më tepër në rastin konkret kur bëhet fjalë për sigurinë kombëtare.
“Hetimi ka filluar ndër të tjera nga informacioni i SHISH dhe të dhëna të tjera të grumbulluara, edhe mediatike. Hetimi ka 5 ditë që ka filluar, prokuroria ka ngritur disa grupe pune për të përfunduar sa më shpejt hetimin. Dua të theksoj faktin se kodi penal parashikon edhe veprën e kryerjen veprimeve të pengimit të së vërtetës, nëse ndodh, nisim në çdo moment një procedim për cilindo zyrtar që pengon hetimet. Sa herë që ka dyshime, është detyrë e prokurorisë të nisë hetimet, aq më tepër në këtë rast, ku bëhet fjalë për sigurinë kombëtare. Hetimi do zbardhë si është futur pajisja”, tha Llalla.
Sigal