“Përgjimi i Tahirit”, shkarkime në Ministrinë e Brendshme

436
“Përgjimi i Tahirit”, Rama shkarkon zv/ministrin
Zbulohet vendimi i qeverisë, i marrë jashtë mbledhjes së saj normale, që largon nga detyra në Ministrinë e Brendshme, Ilir Marko. Sherret e akuzat me Saimir Tahirin dhe pse vendimmarrja u mbajt e fshehtë
Ilir Marko largohet nga detyra e zv/ministrit të Brendshëm, me një vendim të posaçëm të qeverisë, të marrë jashtë mbledhjes së saj normale, zhvilluar të mërkurën e shkuar. Vetëm dy ditë më pas, më 15 shtator, kryeministri dhe ministrat e tij kanë hedhur firmën në një vendim të qeverisë, që largonte nga detyra Ilir Markon, i njohur për akuzat e ashpra dhe përplasjet publike me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Një përpjekje e ngjashme për ta larguar Markon nga detyra dështoi në muajin qershor, kur kryeministri nuk arriti të bindte edhe ministrat teknikë për kërkesën e tij. Tashmë, me një qeveri tërësisht socialiste, shefi i qeverisë ka vendosur ta largojë të parin zv/ministrin e Brendshëm, ndërsa pritet që të miratohet një listë e re e zv/ministrave, edhe për shkak të ristrukturimit të qeverisë. 

Dy ish-drejtuesit e Ministrisë së Brendshme janë përfshirë në akuza të ashpra ndaj njëri-tjetrit. Saimir Tahiri e akuzoi Markon se ishte përfshirë në një përpjekje për ta përgjuar, ndërsa ish-zv/ministri deklaroi se kjo bëhej nga partnerët ndërkombëtarë dhe nuk ishte e nevojshme që të angazhohej edhe ai. Mes të dy ish-zyrtarëve nuk kanë munguar edhe akuzat për veprime antiligjore. Në këtë debat ndërhyri në muajin qershor edhe kryeministri Rama, duke deklaruar shkarkimin e Markos. Sipas Ramës, Ilir Marko ka shkelur etikën zyrtare dhe normat elementare të komunikimit, duke iu referuar një mesazhi të tij për ish-ministrin Tahiri. “Nuk ishte e nevojshme që të të përgjonim ty, o i mjerë!”, shkruante Ilir Marko në mesazhin e tij në celular. Megjithatë, deklarimi i Ramës për shkarkimin e Markos nuk u kthye në një vendim dhe vetëm pak ditë më parë, kryeministri ia arriti ta largonte nga Ministria e Brendshme.

Denoncimi për “çimkën” në ministri
Pas lajmit për zbulimin e pajisjeje përgjuese gjatë vitit të shkuar në zyrën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe kërkesës për hetime, ish-kryeministri Berisha ka zbardhur skemën e asaj që ka ndodhur. Duke iu referuar oficerit dixhital, Berisha ka shkruar në një status në rrjetet sociale, se pas zbulimit plasi sherri në qeveri. “Më dt. 18 maj, ditën që Saje gjeti çimkën në zyrë, menjëherë akuzoi Ilir Markon si autorin e përgjimit të tij dhe dërgoi skuadër policësh me dy makina dhe e morën thuajse menjëherë në një lokal, duke i thënë se zyra jote po tymon. Pasi Iliri hapi zyrën, çunat e krimit menjëherë rrethuan zyrën e tij me shirit “zonë krimi” dhe filluan bastisjen që zgjati 24 orë, duke hedhur çdo gjë në tokë, madje edhe suvanë për të gjetur aparatin marrës të videos së transmetuar nga zyra, por nuk gjetën asgjë në zyrën e Markos. Ndërkohë Saje qorri takon Ilir Metën dhe i thotë se Ilir Marko i ka bërë atij përgjimin ndaj dhe i kërkon largimin e tij të menjëhershëm nga detyra. Meta i thotë më sill prova që unë të vendos, përndryshe ai do qëndrojë në detyrë për sa kohë të vazhdojë koalicioni. Saje qorri de facto shkarkon Ilir Markon, informon shtypin se është dënuar si një hajdut ordiner makinash dhe i ndërpret pjesëmarrjen në çdo aktivitet publik, si dhe e vendos në survejim të plotë. Kështu që të gjithë ata që mund të ftojnë Markon për kafe duhet ta dinë se ai është në survejim dhe përgjim të gjithanshëm! Pas dy javësh manipulimi dhe fshirjesh të çimkës, Saje qorri nisi në prokurori për ndjekje penale, jo Ilir Markon, sepse ka frikë se i nxjerr videon, por autorin anonim të përgjimit. Ai e bëri këtë sa për të larë duart se gjoja nuk ka frikë se është filmuar cullak etj”, thuhet në postimin e Berishës, referuar “oficerit dixhital”.
Sigal