Përgjimet e Zaev, Gjosha: Rama ka devijuar nga interesat e kombit

427
Sigal

Nga Klajda Gjosha.

Përgjimet e Kryeministrit Zaev me komedianët nxorrën në pah disa të vërteta të trishta që ndoshta të gjithë i dinim, diku i dëgjonim nën zë, por që ishte e vështirë të mbaje një qëndrim duke drejtuar gishtin mes personazheve të njohur të shpalosjes së idesë të shkëmbimit të kufijve të Kosovës, por edhe projekteve të tjera të rrezikshme si Serbia e Madhe!

Politika e Jashtme e Ballkanit Perëndimor duket se po devijon qartë nga perspektiva e përbashkët europiane dhe ky është rreziku më i madh që i kanoset qytetarëve të rajonit tonë por edhe vetë Bashkimit Europian. Aventurierët politikë që i shërbejnë sot interesave të ngushta personale, kanë harruar t’i shërbejnë me transparencë dhe përgjegjësi popujve të tyre! Ndoshta këtu kryeministri i vendit tonë do të thyente edhe rekordin!

Ballkani kërkon njerëz vizionar që në shekullin ku ne jetojmë të mos mendojnë për ndarje apo rishpërndarje kufijsh por mbi çdo gjë tjetër për gjetjen e vlerave të përbashkëta, bashkëpunimin ekonomik pa pengesa dhe respektimin e të drejtave të njeriut në cilindo vend ku ata jetojnë.

Ballkani i izoluar në vetvete dhe me lidera që mendojnë të ruajnë vetëm pushtetin dhe status quo-n e tyre, duke shkelur çdo prioritet kombëtar e rajonal, mund të kthehet shumë shpejt në një rajon që vë në rrezik stabilitetin dhe sigurinë europine!

Samiti i Berlinit duhet në mënyrë urgjente të pasojë me hapat e rradhës për të parandaluar këtë skenar që mund të na cojë drejt hapjes së “Kutisë së Pandorës”!