Përgjimet e ndërkombëtarëve/ Janë mbi 400 disqe të dosjeve 339 dhe 184, në të cilat rezulton e implikuar politika dhe drejtësia

580
Sigal

Emri i Prelës, si edhe i 10 zyrtarëve të tjerë të drejtësisë gjenden në hetimin që ka nisur Prokuroria e Tiranës

Janë mbi 400 disqet e dosjes 339 që mund të djegin Edi Ramën

Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dosja voluminoze 339, e hapur në vitin 2016, shihet me sy, por nuk po preket me dorë. Me apo pa urdhër politik, kreu i kësaj prokurorie po bën çmos që çështja të mbahet pezull, nën deklaratën se gjoja po hetohet, por pa arritur në asnjë përfundim.

Dosja 339, e vërteta e shitblerjes së votave

Brenda fshihet e vërteta e madhe e dyshimit për shitblerjen e votave në të paktën katër qarqe të vendit, në Tiranë, Durrës, Lezhë dhe Dibër. Deri tani janë zbardhur vetëm një pjesë e vogël e përgjimeve telefonike. Megjithatë janë edhe 400 CD të tjera të cilat janë ende pa u zbardhur dhe nga burimet nga grupi hetimor mësohet se janë implikuar një numër i madh zyrtarësh të nivelit qendror dhe lokal nga pjesa e mazhorancës. Zbardhja në kohë dhe në mënyrë të paanshme e të gjithë bisedave dhe sigurimi i provave të tjera, mund të shembin njëherë e përgjithnjë “kalanë e letrës” që ka ngritur kryeministri se zgjedhjet e vitit 2017 as janë shitur dhe as blerë prej tij. Fakti që prokuroria detyrohet të shtojë edhe katër Oficerë të Policisë Gjyqësore në zbardhjen e bisedave nga dy që kishte deri më tani mund të jetë një kërkesë ndërkombëtare. E ndodhur ngushtë para këtij presioni, kryeprokurorja Arta Marku dhe drejtuesja e Krimeve të Rënda Donika Prela, të paktën sa për imazh po tentojnë të japin idenë se janë të angazhuara në zbardhjen e kësaj çështje.

Akuza e PD-së

Pak javë më parë Partia Demokratike akuzoi Prelën se ishte në përgjime me grupin “Avdylaj” në Shijak, por ky pretendim u rrëzua nga prokurorët e çështjes. Në një rast të paprecedent dy prokurorët dolën në qëndrim zyrtar. “Në lidhje me njoftimin publik të bërë të ditur nga konferencën për shtyp datë 28.01.2019 nga Z Enkelejd Alibeaj, se Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda znj. Donika Prela rezulton e përfshirë në përgjimet e dosjes Nr. 339 në komunikim me anëtarë të grupit të Avdylajt, ju bëjmë me dije se faktet e deklaruara janë të pavërteta”, shkruhej në deklaratën e prokurorëve Vladimir Mara dhe Dritan Prençi.

Pikëpyetjet e hetimeve

Pikëpyetjet që u ngritën e ende mbeten janë se së pari prokurorët nuk duhet të shprehen zyrtarisht për një çështje që është nën hetim dhe e dyta që është më e rëndësishme, përderisa ende nuk janë zbardhur edhe 400 disqe me biseda, ku e kanë sigurinë që të mos jetë përfshirë edhe shefja e tyre? Tregues i rëndësishëm është se Marku dhe Prela detyrohen të vihen në lëvizje për një çështje që ishin kujdesur ta mbanin të varrosur. Një pjesë e skemës së shitblerjes së votës dhe lidhjes së krimit të organizuar me politikën në pushtet dyshohet se gjendet në këtë dosje me numrin 339.

Dosja “339”/ Donika Prela justifikohet se “nuk kishte dijeni për përgjimet”

Publikimi i disa përgjimeve të dosjes “339”, si edhe ato që paralajmëron kryetari i PD-së, Lulzim Basha nga dosja “184”, e kanë vënë në vështirësi drejtuesen e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela. Ajo nuk po arrin të menaxhojë daljen e dokumenteve kompromentues për mazhorancën e Edi Ramës. Përgjimet e dosjes hetimore “339”, në të cilat rezulton se një kryebashkiak komunikon me anëtarë të grupeve kriminale të Shijakut për blerje vote, shërbyen si bazë për opozitën që të djegë mandatet e saj parlamentare. Edi Rama dhe mazhoranca e tij po mundohen ta përballojnë me propagandë dëmin e madh që u erdhi nga publikimi i këtyre detajeve, të tilla që rrezikojnë seriozisht pushtetin e tij.

Kërkohet përgjegjësi për rrjedhje informacioni

Zyrtarët qeveritarë, të gjendur në vështirësi të mëdha, po kërkojnë tek shefja e Krimeve të Rënda, Donika Prela, përgjegjësinë për publikimin e akteve të përgjimit. Kjo e fundit, sipas burimeve konfidenciale nga Prokuroria, mësohet të jetë justifikuar se “nuk ka pasur dijeni për këto përgjime”. Të njëjtat burime deklarojnë se, pas publikimit të përgjimeve tek “Zëri i Amerikës”, shefja e Krimeve të Rënda ka mbledhur menjëherë pjesëtarët e grupit hetimor, prokurorë dhe oficerë të Policisë Gjyqësore, për të kërkuar llogari mbi “dekonspirimin” e hetimit. Pasi nuk ka arritur të zbulojë gjë nga kontaktet me vartësit e saj, ajo ka urdhëruar që të bëhet referimi pranë Prokurorisë së Tiranës për “nxjerrje të sekretit hetimor”. Ndërkohë, Prela ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të detajeve të dosjes dhe aq më tepër të elementëve që inkriminonin zyrtarë të lartë të PS-së. Por, përtej këtij qëndrimi, ka një detaj që e nxjerr zbuluar këtë pretendim të supozuar të Donika Prelës. Emri i saj, si edhe i të paktën 10 zyrtarëve të tjerë të drejtësisë që kanë pasur kontakt me dosjen “339”, gjenden në hetimin që ka nisur prej më shumë se një muaji Prokuroria e Tiranës. Në këtë mënyrë, konfirmohet se Donika Prela ka pasur kontakt me dosjen dhe me përgjimet e publikuara, për sa kohë ajo është një ndër personat e dyshuar dhe nën hetim nga kolegët e saj të prokurorisë së kryeqytetit.