Përgjimet e ‘Bild’/ Basha: Rama në pushtet falë aleancës me krimin

591
Sigal

Në një komunikim nga selia blu, pas publikimit të përgjimeve nga “Bild”, kreu i PD Lulzim Basha është shprehur se, tashmë shteti dhe krimi janë bërë një, ndërsa akuzoi edhe një herë kryeministrin Edi Rama se erdhi në pushtet falë aleancës me krimin.

“Lidhjet e Ramës me krimin kanë filluar që para se të bëhej kryeministër. Që kur ishte kryetar bashkie u bë lavatriçe për pastrimin e parave të pista. Përmes lejeve të ndërtimit Rama ndërtoi një elitë politike në Tiranë dhe bleu drejtimin e PS. Bashkëpunimin me krimin e ktheu në model politik. Me anë të aleancës PS-krim mori pushtetin në 2013.

Siç e ka dëgjuar tashmë Europa dhe Bota, sot në Durrës nuk ka asnjë vijë ndarëse mes krimit dhe PS. Bandat janë shtabe elektorale të PS, kokat e krimit shefa të administratës publike, ndërsa drejtues socialist kordinojnë çdo veprim me kriminelët. Kjo është shkrirje e krimit dhe politikës në një.

Rama lejoi kanabizimin e vendit. Ishte një projekt i vetëdijshëm pasi Rama e sheh krimin si faktor ekonomik. Me të cilat ndërton pallate. Këtë model zbatoi në të gjithë Shqipërinë duke lejuar dhe bekuar kanabisin”, u shpreh Basha.