Përgjimet çojnë në pranga 2 ish-deputetë socialistë

591
Sigal

Petraq BARJAMI

Ja akuzat, që rëndojnë mbi ish-drejtorin e Burgjeve dhe ish-deputetin socialist

Dy ish-deputetë të Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Arben Çuko, u arrestuan sot nga Policia e Shtetit. Ndoka, ish-deputet i Qarkut të Lezhës, akuzohet për tjetërsim pronash me anë të falsifikimit në Lezhë dhe Kurbin, ndërsa, Çuko, ish-deputet i Qarkut të Fierit dhe ish-drejtor i përgjithshëm i Burgjeve, për korrupsion pasiv kundrejt pagesës për transferimin e një të burgosuri, të njohur si vrasës me pagesë. Arrestimet erdhën si pasojë e hetimeve disamujore nga ana e Policisë së Shtetit.

PARALAJMËRIMI I MINISTRIT

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, gjatë një një konferencë për shtyp (18 tetor) së bashku me presidentin e policisë federale gjermane, Dieter Romann, befasoi jo pak kur tha në mbyllje të saj: “Dhe t’u jap një këshillë, gjatë këtyre ditëve dhe javëve rrini afër me Bitën dhe Gentin se do ketë lajme interesante. Se kur bashkëpunohet ka dhe gjëra të mira. Të tjerat dalëngadalë”. Në harkun e tri ditëve, pra dje, Policia e Shtetit arrestoi dy ish-deputetët socialistë, Arben Çuko dhe Arben Ndoka.

AKUZAT NDAJ ÇUKOS

Arrestohet me akuzën e korrupsionit, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko. Prokuroria mësohet se e akuzon Çukon si të përfshirë në korrupsion pasiv, gjatë kohës që ushtronte detyrën shtetërore. Emri i Arben Çukos ka dalë rastësisht në muajin gusht gjatë përgjimit të anëtarëve të një bande që hetohej për trafik droge. Nga përmbajtja e hetimeve ka rezultuar se ish-Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve kishte kryer favorizim ndaj të paktën një të dënuari për vepra të rënda penale kundrejt ryshfetit. Favorizimi është bërë në transferimin e tij në institucionet e burgjeve ku është bërë e mundur që i dënuari të mbajë celular në qeli. Ekzekutimi i urdhrit të lëshuar nga Krimet e Rënda është bërë pasditen e së dielës, 21 tetor 2018. Arben Çuko drejtoi burgjet për rreth një vit ndërsa u shkarkua nga detyra, në datë 3 shtator të 2018 me urdhër të Ministres së Drejtësisë.

AKUZAT NDAJ NDOKËS

Sipas Policisë së e Shtetit, ndaj ish-deputetit 46-vjeçar Arben Ndoka, Gjykata e Krimeve të Rënda kishte caktuar masën “Arrest në burg”. Ai dyshohet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash. Hetimi disa mujor ka mbledhur prova dhe se ky grup kriminal dyshohet si i implikuar në abuzimet me troje shtetërore në zonën e Lezhës dhe Kurbinit, përmes falsifikimit të dokumenteve e vulave etj.

NË PRANGA EDHE VËLLAI I NDOKËS

Policia e Shtetit mësohet se përveç ish-deputetit socialist të Lezhës, Arben Ndoka ka vënë në pranga edhe vëllanë e tij. Ai quhet Xhevahir Ndoka, i cili është pjesë e së njëjtës çështje për të cilën është ndaluar Arben Ndoka. Pak kohë më parë njërit prej vëllezërve Ndoka, Aleksandrit iu bë një atentat në hyrje të shtëpisë që i mori jetën. Autorët nuk janë zbuluar ende. Për 46-vjeçarin Arben Ndoka, gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën “Arrest në burg”. Ai akuzohet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash.

Reagimet politike

Deputeti Vasili: Rama i mbyll çështjet me një ndjesë në ‘Facebook’. Po këtyre ish-deputetëve a ju lejohet?!

Pas lajmit për arrestimin e dy ish-deputetëve socialistë, ka reaguar edhe kryetari i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili: “Edi Rama ka dy drejtësi, një për vete dhe një për të tjerët” – shkruan Petrit Vasili. “Edi Rama i mbyll veprat e tij penale me falje në facebook, po këta ish-deputetët a munden???? Edi Rama ka një drejtësi dhe standard për vete dhe një për të tjerët. Edi Rama bleu prokurorinë dhe, kur u akuzua se i bëri thirrje policisë të hidhte uniformat për të bërë vota, kreu vepër të rëndë penale dhe pastaj kërkoi falje në facebook dhe ia mbyllën çështjen. Edi Rama mashtroi dynjanë me audiopërgjimin e Agron Xhafës dhe prokuroria ia mbylli prapë çështjen. Po këtyre ish-deputetëve të arrestuar, po të kërkojnë falje me facebook, si Edi Rama, a ju mbyllet çështja???” – shkruan deputeti Petrit Vasili në rrjetin e vet social.