Përgjimet, bllokohen hetimet e Prokurorisë. Ç’po ndodh me pajisjen misterioze?

420
Hetimet e nisura nga Prokuroria e Përgjithshme mbi pajisjen Imsi Catcher të sjellë në Shqipëri nga Interforca duket se janë bllokuar. Kjo për faktin se nga pala italiane nuk është pranuar të dorëzohet pajisja dhe as të tregohet vendndodhja e saj. Një burim nga organi i akuzës i tha “Telegraf” se hetimi i nisur do të tregonte nëse pajisja në fjalë, një nga më të sofistikuarat, është përdorur thjesht për trajnime sikundër është deklaruar zyrtarisht nga autoritetet shqiptare dhe nga pala italiane, apo me të është përgjuar. Dyshimet janë se pajisja në fjalë është përdorur edhe për përgjime, por nuk dihet nëse ato janë kryer nga policia apo nga pala italiane. Situata vishet me mister edhe nga fakti se në hetimin e nisur pala italiane nuk ka pranuar të dorëzojë pajisjen në fjalë, sikundër as të tregojë vend ndodhjen. Dy oficerët e policisë italiane që kryen trajnimin e efektivëve mësohet se janë larguar nga Shqipëria, por nuk dihet nëse ato kanë marrë me vete edhe pajisjen që sollën në Shqipëri përmes portit të Durrësit. Burimet nga organi i akuzës thonë se për sa kohë nuk kanë pasur mundësi të kenë në dispozicion pajisjen për të kontrolluar se për çfarë është përdorur ajo, mbeten dyshimet e ngritura edhe publikisht, se mund të jenë kryer përgjime. Po nëse ka ndodhur një veprim i tillë, nga kush është kryer? Burimet nga prokuroria nuk janë në gjendje që të japin një përgjigje për aq kohë sa pajisja nuk është vënë në dispozicion të tyre. Burimet theksojnë se dyshimet që lindin pas refuzimit të dorëzimit të pajisjes kanë të bëjnë me atë që ose ka një përpjekje për ta pastruar atë nga materialet, ose ajo vijon të jetë në punë. 

Letra e Pansa

Ish-Kreu i Policisë Italiane Alessandro Pansa, përmes një letre drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme shqiptare përmende faktin se personeli italian që kishte ardhur në Shqipëri me pajisjen, me mision për të trajnuar policinë shqiptare, gëzonte imunitet dhe për këtë arsye nuk mund të hetohej. Por letra e Pansas nuk është marrë në konsideratë si provë për hetimin e nisur, pasi ajo është një shkresë personale drejtuar Kryeprokurorit Llalla. Por duket se letra ka ndihmuar organin e hetimit në Shqipëri me disa të dhëna, më konkretisht me momentin se kur pajisja është futur në Shqipëri. Gjithashtu përmes letrës sqarohet se pajisja ka hyrë në territorin shqiptar pa u deklaruar, duke anashkaluar në këtë mënyrë procedurat doganore, ndërsa sqaron se dy efektivët e policisë italiane, u pritën nga zyrtarë të Policisë së Shtetit. Nga të dhënat mësohet se pajisja është përdorur në 3 qytete, Tiranë, Elbasan dhe Vlorë, ndërsa zyrtarisht është thënë se me të janë kryer trajnime të punonjësve të policisë. Ish-kreu i Policisë Italiane sqaronte në letrën e tij, se në kohën kur ajo nuk përdorej, qëndronte në zyrat e Inteforce brenda Ambasadës Italiane në Tiranë. 

Hetimi

Burimet e prokurorisë janë shprehur se kanë marrë në pyetje personelin shqiptar të Policisë së Shtetit, por nuk kanë pasur asnjë mundësi për të marrë në pyetje trajnuesit apo punonjës të Interforce që operojnë në Shqipëri. Në organin e akuzës janë thirrur për të dhënë dëshmi drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, mes të cilëve edhe Haki Çako dhe Ardian Çipa, të cilët janë marrë në pyetje nga prokurorja Anisa Qilimi. Gjithashtu në pyetje janë marrë edhe disa punonjës policie që janë përfshirë në trajnim, sikundër edhe drejtues të sektorit të IT në Policinë e Shtetit. Burimet nga organi i akuzës pohojnë se pyetjet drejtuar punonjësve të policisë shqiptare kanë pasur në fokus mënyrën sesi është futur pajisja në Shqipëri, qytetet ku ajo ka lëvizur etj. 

Si funksionon Imsi Catcher

Imsi Catcher vepron si një antenë false e telefonisë celulare dhe çdo telefon pranë saj mund të përgjohet në tekst dhe audio. Por jo të gjithë telefonat pranë pajisjes bëhen pjesë e përgjimit, pasi kontrolluesit e pajisjes në fjalë kanë opsionin e përzgjedhjes së numrave që duan të përgjojnë. Mjafton që telefoni të jetë në gjendje pritjeje dhe që pajisja të jetë e lidhur me operatorin e duhur të telefonisë. Më pas telefonatat audio dhe mesazhet janë të lehta për t’u përgjuar, por tek to nuk mund të ndërhyhet. Në shumë raste një celular nuk jep shenja se po përgjohet. Por disa prej tyre tregojnë një simbol në ekran. Kjo varet edhe nga operatori përkatës i telefonisë celulare. Aplikacioni në Android (AIMSICD) IMSI-Catcher Detector është i vlefshëm në Google play, por jo gjithmonë efektiv. Vetë operatorët telefonikë, gjithashtu janë duke zhvilluar teknologjinë për të zbuluar përdorimin e një pajisjeje të tillë përgjimi. 
Sigal