Përgjegjësia është shtetërore, Kodheli të japë dorheqjen

480
Sigal

Ushtarakët shqiptarë, pjesë e rrjeteve mafioze ndërkombëtare të drogës

 Një pilot aktiv shqiptar, me gradën Major, ndërron jetë pasi helikopteri me drogë që ai drejtonte nga Maroku në Spanjë për llogari të mafies ndërkombëtare, rrëzohet gjatë ndjekjes nga policia spanjolle. Shënohet kështu një rast pa precedent për ushtritë e vendeve anëtare të NATO-s. Por fatkeqësisht, edhe ky skandal i përmasave të tilla synohet të kalohet ‘lehtë’, ashtu si dhjetëra të tjerë, pikërisht nga ata që janë përgjegjësit kryesorë: Jeronim Baze, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe Mimi Kodheli, ministre e Mbrojtjes. Baze deklaron se ‘…Majori ishte me lejë, por jo për të dalë jashtë Shqipërisë!’, ndërsa Kodheli pohoi se ‘…piloti ishte me punë private’. Nisur nga këto qëndrime, nuk bëhet më fjalë për ndjenjë përgjegjësie për detyrën, për detyrimin ligjor ndaj taksapaguesve për të qenë të përgjegjshëm, por shkohet deri në absurd se e quajnë ngjarjen e rëndë si ‘private’. Minimalisht, të dy duhet të japin dorëheqjen, ndërsa fenomeni duhet të jetë objekt i një analize dhe në qeveri… Por çuditërisht, asnjë nga këto nuk po ndodh…!!! Po deri kur kështu!?

ÇFARË NDODHI NË SPANJË

Një helikopter që transportonte drogë nga Maroku drejt Spanjës, është rrëzuar të mërkurën nga strukturat e Gardës Civile të Spanjës, ku për pasojë kanë mbetur të vrarë dy pilotët, njëri prej tyre major i Shqipërisë. Lajmi u bë fillimisht publik dje nga kryeministri Edi Rama në sallën e Kuvendit. Më pas u mësua identiteti i majorit të vrarë, Sokol Feka, i cili ishte instruktor në bazë ajrore të Farkës. Burime për ‘Telegraf’ pranë Forcave Ajrore, po dje mësuan se piloti Sokol Feka është diplomuar në vitin 1993 dhe aktualisht ishte efektiv i Regjimentit të Helikopterëve në Farkë. ‘Që nga data 12 Janar 2015, Major Sokol Ferko, ka marrë lejen e zakonshme. Leja i përfundonte më 31 Janar 2015. Ai ka deklaruar se lejen do e kryente pranë familjes në Tiranë dhe nuk ka pasur lejë të veçantë të deklaruar për të shkuar jashtë shtetit – shtojnë burimet e mësipërme për ‘Telegraf’. Nga burimet spanjolle është konfirmuar se helikopteri transportonte 1 ton hashash nga Maroku drejt Spanjës, dhe tragjedia ndodhi pas përplasjes së tij me një shtyllë elektrike.

Helikopteri që tentonte të transportonte kontrabandë një ton hashash në provincën e Malagës në Spanjë, është rrëzuar pas përplasjes me një shtyllë të energjisë elektrike ndërsa ndiqej nga policia. Autoritetet kanë rikuperuar trupat, të cilët janë tepër të dëmtuar pranë malit Cortes de la Frontera, ndërsa janë dërguar në institutin mjeko-ligjor të Malagës. Policia spanjolle deklaron se po punohet për të përcaktuar sasinë e saktë të hashashit që po transportohej’- konfirmojnë të njëjtat burime.

DETAJE TË TJERA TË TRAGJEDISË

Nga Spanja, vendi i tragjedisë, konfirmohet se policia u vu në ndjekje të helikopterit pasi ai lëvizte pa autorizim. ‘Incidenti ndodhi pasi helikopteri në ngjyrë të zezë ndiqej nga një helikopter i Rojës Civil-Guardia Civil, ndërsa kryente fluturim të paautorizuar. Gjatë kërkimit, oficerët spanjollë humbën gjurmët e helikopterit dhe iu desh të rikthehen në bazë. Të nesërmen pasi u kthyen në pozicionin e fundit të helikopterit, Guardia Civil zbuloi mbeturinat e helikopterit’-shtojnë burimet. Fillimisht, policia spanjolle njoftoi ngjarjen e rëndë, por për shkak të dëmtimit të trupave, u desh kohë që të identifikoheshin trupat e dy pilotëve të vrarë, ku njeri prej tyre rezultoi të jetë i Major Ferkos nga Shqipëria. ‘Në identifikimin e trupave ndihmuan dhe dokumentet e tyre personale që u gjetën te vendi i aksidentit. Gjithashtu, në mjediset e mbeturinave të helikopterit të shkatërruar, u gjet dhe një sasi mbi një ton hashash e paketuar. Nga hetimet e para rezulton se dy viktimat dyshohet të jenë pjesë e një trafiku të organizuar ndërkombëtar të trafikut të drogës, me aktivitet kriminal në disa kontinente. Po punohet për zbardhjen e plotë të pistës’-shtojnë burimet e mësipërme.  Ndërsa në Shqipëri, njoftimi i identitetit të viktimës Ferko, u bë nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, pas informacionit zyrtar që mori nga homologia e saj spanjolle.

MINISTRIA PËRGJEGJËSE

Përtej humbjes së jetës tragjikisht të pilotit Ferko, dhimbje e rëndë për familjen e shoqërinë, rasti i përfshirjes së një ushtaraku shqiptar në aktivitete kriminale ndërkombëtare, shkelja e një sërë ligjesh e procedurave në këtë rast si dhe raste të ngjashme të kësaj natyre të kohëve të fundit, shtrojnë shumë pikëpyetje mbi përgjegjësinë e strukturave përkatëse të shtetit shqiptar, përkatësisht, të Ministrisë së Mbrojtjes e kryesisht të titullarëve të saj. ‘Është një rast flagrant dhe i rëndë, për një ushtri e vend që është pjesë e NATO-s. Ky nuk është rast i vetëm që ushtarakë të lartë braktisin vendin në kundërshtim me ligjet (ka pasur dhe ndëshkime), duke rrezikuar dhe sigurinë kombëtare. Për ne, përgjegjëse është Ministria e Mbrojtjes, e konkretisht Mimi Kodheli e Jeronim Baze. Në këtë institucion, vendin e specialistëve po e zënë militantët, ndërkohë që ushtarakët, përherë e më shumë po mënjanohen nga të besuarit e titullarëve’-shtojnë specialistët e lartë ushtarakë.

SKANDALI QË KËRKON PËRGJEGJËSI

Burime të rezervuara të ‘Telegraf’ shtojnë dyshimin se piloti i aksidentuar të ketë lëvizur dhe herë të tjera jashtë vendit, pa autorizim special. Po përtej këtij fakti, që u takon hetimeve dhe analizave të hollësishme që shpresohet të bëhen, fenomeni, sipas pohimeve të ushtarakëve të lartë të karrierës, ka shumë mistere e pikëpyetje që ndoshta shkojnë përtej një përgjegjësie individuale (dorëheqje) të titullarëve të Ministrisë së Mbrojtjes apo dhe të institucioneve të tjera të rëndësishme. Janë shumë pikëpyetje, zbardhja e të cilave mund të hedhë dritë mbi një situatë tepër kritike për sa i përket aktivitetit kriminal. Në opinion e media, deri dhe në parlamentin shqiptar(ditën e djeshme), përfliten lëvizje enigmatike të helikopterëve në zonën e Kakavijës, Qafë Thanës, bregdetit të Vlorës etj. Janë publikuar raste të implikimit të ushtarakëve e policëve në trafik droge e aktivitet tjetër kriminal, brenda e jashtë vendit. E në këto raste, ka një heshtje të strukturave përgjegjëse shtetërore që ose i anashkalojnë, ose në rastin më të keq, i minimizojnë… Por asnjëherë nuk mbajnë përgjegjësi. Ka ardhur koha të vihen pikat mbi ‘i’. Në të kundërtën, sipas specialistëve e ushtarakëve madhorë të kontaktuar mbrëmë nga ‘Telegraf’, shteti(ose segmente të tij) mbeten pjesë, direkt apo indirekt, e këtij aktiviteti kriminal. E nëse është kështu, gjë që ka shumë gjasa, reagimi duhet të jetë i menjëhershëm, sa të mos jetë tepër vonë…!

Ushtarakët Madhorë: Përgjegjësia është shtetërore. Kodheli të japë dorëheqjen!

 Për ushtarakët madhorë të vendit, rasti i tragjedisë në Spanjë, ku viktimë e tragjedisë së helikopterit të narkotrafikëve ndërkombëtar është piloti shqiptar, nuk është i vetëm e përgjegjësia është shtetërore, për të cilën Kodheli e të tjerë përgjegjës, minimalisht duhet të japin dorëheqjen.

Gjeneral Vladimir Qiriazi, ish Komandant i Forcave Ajrore:

Përtej humbjes tragjike, ngjarja është e rëndë dhe përgjegjësia nuk është individuale, në rastin konkret e viktimës, familjes së të cilit i shprehim ngushëllimet. Ushtaraku, në çdo rast, është ushtarak dhe ka detyra e përgjegjësi specifike dhe kur është në detyrë e jashtë saj. Ikja e tij jashtë shtetit pa lejen e veçantë të eprorëve, është e pajustifikueshme. Por dhe eprorët, kanë përgjegjësi shtetërore të dinë në çdo moment vendndodhjen e vartësit, aq më tepër të pilotit që çdo vend i ka si ‘dritën e syrit’. Jo ta marrin vesh kur ndodh tragjedia, pas 16 apo 17 ditësh. Nëse raste të tilla (largime me e pa vend, në kundërshtim me ligjet e rregulloret e ushtarakëve jashtë vendit), së fundi, siç po dëgjojmë po shtohen, përbën një problem shqetësues dhe tregon se situate në këto institucione të veçanta që lidhen me sigurinë e vendit, duhet vlerësuar më drejt. Se në çdo neglizhim, pasojat mund të jenë shumë të rënda. Kur oficerë madhorë të ushtrisë apo policisë gjenden në aktivitete kriminale me shtrirje ndërkombëtare, është pak që të bien kambanat e alarmit. Mendoj se një analizë, deri në Këshillin e Mbrojtjes, është më se e domosdoshme.

 Kolonel Zyhdi Kroj, President Nderi i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve

Ushtria nuk është han, jeton me rregullore e ligje. Ushtaraku ikën sot dhe jashtë vendit, por vetëm me leje, e komanda eprore, me rregullore, në raste të tilla, merr masa shtesë dhe në çdo minutë e di ku është ushtaraku jashtë vendit. Përgjegjësi kanë drejtuesit e ministrisë. Se nuk është rasti i vetëm ky. Ja, ka ndodhur kështu dhe me një titullar të Mbrojtjes, ushtarakun e lartë H.D, i cili, me kokën e tij e pa lejë, iku disa herë jashtë shtetit. Dhe Kodheli, me të drejtë mori masën përkatëse, largimin nga ushtria. Janë disa pyetje e pikëpyetje me këto ngjarje që po ndodhin, përfshirje të ushtarakëve në aktivitete kriminale me shtrirje ndërkombëtare. A mbahen nën kontroll (në kuptimin e mirë, të zbatimit të ligjit) ushtarakët që ikin jashtë vendit me studime, me kurse!? Se agjenturat punojnë… Këtu nuk është fjala për izolim apo kthim në të shkuarën’, por ashtu e ka gjithë bota. Si ikën 2 javë apo më shumë ushtaraku a piloti jashtë shtetit dhe eprorët nuk dinë gjë? Përgjegjësia, në raste të tilla është individuale, por shkeljet janë me pasoja të rënda për vendin.

  Kolonel Pëllumb Zaimi: Ish ushtarak Madhor në Forcat e Armatosura

 Për mua, Kodheli, me gjithë respektin, duhet të japë dorëheqjen për ngjarjen në Spanjë, e jo vetëm për këtë. Ngjarja është e rëndë dhe Kodheli duhet ta dijë se ushtria nuk është kooperativë bujqësore të mbledhësh agronomë apo specialistë pyjesh. Ushtrinë e mbajnë në këmbë rregullat. Për më tepër, dhe qëndrimi sot(ditën e mërkurë) në kuvend ndaj Topallit nuk është dinjitoz, por fyes dhe për shikuesit. Bëhet fjalë për një pilot që u vra në një aktivitet të jashtëligjshëm që Kodheli e vartësit e saj nuk e dinin se ai kishte 17 dit që kishte ikur pa lejë jashtë vendit. Nuk kam gjë me Jozefina Topallin, apo më saktë me akuzat për shpenzimet e karburantit nga dhëndëri i saj apo ku di unë. Mirë këto akuza që ja bën… Po pse sot? Ku ishte ajo deri dje? Apo janë akuza që dalin fiasko si ato të Imamit. Ka dhe raste të tjera të kësaj natyre në institucionin që drejton Kodheli. Përgjegjësia është e saj dhe e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Pa kanë dhe Shërbimin Informativ të Ushtrisë, që nuk e ditka ku shkojnë pilotët. Kodheli e të gjithë përgjegjësit poshtë saj, të japin dorëheqjen. Dhe të bëhet analizë e thellë. Si ushtarakë, ne kuptojmë se ka shumë probleme. Ndaj duhet vepruar sa më shpejt.

 

Disa pyetje që kërkojnë përgjigje:

-Kush i ka dhënë lejë pilotit shqiptar dhe pse nuk janë zbatuar procedurat ligjore për ikjen e ushtarakëve të funksioneve speciale jashtë shtetit? Cila është përgjegjësia e komandës së Regjimentit të Farkës, të komandës së FA, Shtabit të Përgjithshëm e ministres Mimi Kodheli?

-A ka një evidencë të saktë të daljes së pilotit jashtë vendit jo, çfarë informacioni ka SHIU dhe hapat që janë ndërmarrë?

-Përflitet se ditën e hënë të kësaj jave, dy helikopterë kanë fluturuar afër Kakavijës…. Cili ka qenë misioni i tyre?

-Në ditët e para të janarit, janë parë dy helikopterë që kanë lëvizur(thonë dhe që janë ulur) në zonën kufitare me Maqedoninë, përkatësisht midis Qafë Thanës e piramidës Nr 29. Cili ka qenë misioni i tyre?

-Janë parë shpesh lëvizje helikopterësh në lartësitë e bregdetit të Vlorës (Karaburun)… Mos vallë ata janë transportues të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë?

-Burime nga Ministria e Mbrojtjes thonë se në drejtori e funksione të larta, përfshirë shërbimet kryesore, janë mënjanuar specialistët dhe janë sjellë njerëz të afërt të Mimi Kodhelit, anëtar të shtabit të saj në zgjedhje apo militantë partiak. Pse nuk bëhet transparencë në këtë drejtim?

-Në rastin e pilotit që dha jetë në përmbushje të misionit të mafies ndërkombëtare të drogës, cila është përgjegjësia e titullarëve të Regjimentit të Farkës, të Shërbimit Informativ të Ushtrisë(SHIU)?

-A ka lëvizur dhe herë të tjera piloti Sokol Feka jashtë vendit dhe sa?!

-Për Jeronim Bazen, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë: Mbrëmjen e djeshme, pas publikimit të skandalit, pohuat se ‘…Majori ishte me lejë, por jo për të dal jashtë Shqipërisë!’. Zoti Baze: Kur e mësuat këtë ju, pas 17 ditësh?! Pse nuk dhatë alarmin (keni të gjitha strukturat vartëse e përgjegjëse) për zhdukjen e majorit pilot, gjë të cilën duhet ta kishit mësuar në çështje orësh?

-Çfarë duhet të ndodhë tjetër që Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë të dalë publikisht të sqaroj ngjarjen e rëndë (pasi bëhet fjalë për një pilot të një vendi anëtar i NATO-s), e minimalisht të japë dorëheqjen?

-Po Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, përse nuk jep dorëheqjen? Çfarë duhet të ndodhë tjetër pas këtij skandali të fundit që ajo të kuptojë se tashmë, propaganda për ‘suksese në Forcat e Armatosura’ nuk shkon më e ajo duhet të largohet nga ky funksion?

-A nuk është momenti i duhur, sa mund të jetë dhe vonë, që përballë fakteve të tilla, që ushtarakë madhorë e punonjës policie janë të përfshirë në rrjetet ndërkombëtare të trafikut të drogës e mafies, të ndalojë qeveria posaçërisht?

-Së fundi: Po Presidenti i Republikës pse nuk mbledh Këshillin e Mbrojtjes (ka vite që nuk mblidhet), për këtë situatë të rëndë?

Agron LIKU