Përfundon takimin me Ramën, Meta: PD t’i kthehet tryezës së ekspertëve

407
Krytari i Kuvendit Ilir Meta I bën thirrje ekspertëve të PD-së të mos vetëpërjashtohen por të përfshihen në tryezën e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë.
Këtë thirrje Meta e bëri tre herë gjatë deklaratës së tij
“Na vjen keq dhe gjej rastin t’i bëj thirrje të rikthehen dhe të mos vetëpërjashtohen për një çështje apo disa çështje të caktuara. Të ruajmë këtë frymë bashkëpunimi dhe në fund do të shkohet drejt komisionit të posaçëm parlamentar. Të përfundojmë draftinn e rishikuar”

Deklarata pas takimit të Ramës me Metën tek Vila 30.
Ne sot kemi diskutuar edhe me Kryeministrin, edhe me Kryetarin e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi në Kuvend, z. Xhafaj, edhe me Ministrinë e Drejtësisë, me kryetarët e grupeve parlamentare lidhur me ecurinë e gjithë punës për të reflektuar sa më shpejt dhe për të përmbyllur draftin përfundimtar në bazë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias. 
Dua të përgëzoj punën e madhe që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë ekspertët vendas dhe ndërkombëtare, dhe në këtë drejtim dua të vlerësoj edhe përfshirjen e ekspertëve të opozitës. Do t’u bëja thirrje që të mos bojkotojnë për një çështje të caktuar apo për çdo çështje të caktuar këtë punë kaq të rëndësishme, sepse koha nuk pret dhe të përfshihen deri në fund dhe më pas çdo mendim tjetër alternativ ta diskutojmë në komisionin e përbashkët parlamentar për reformën në drejtësi. 
Unë besoj që është bërë një punë e jashtëzakonshme gjatë më shumë se një viti, mbetet ende për të bërë dhe në këtë drejtim jemi fatlum, sepse kemi një platformë tashmë të përbashkët, që është pikërisht fryma e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, për të cilat gjithë aktorët janë shprehur pozitivisht dhe tani nuk mbetet gjë tjetër veçse të vazhdojmë deri në fund të mbetemi të përfshirë në këtë proces që ta përmbyllim këtë proces.
Z. Meta, sa vlerë ky draft pa ekspertët e Partisë Demokratike?
Ekspertët e Partisë Demokratike kanë bërë një punë për t’u përshëndetur, kanë bërë mjaft pyetje për Komisionin e Venecias. Pra, kanë qenë të përfshirë vazhdimisht në gjithë këtë proces, kanë qenë të përfshirë në gjithë rishikimin e draftit në frymën e rekomandimeve të Venecias. Na vjen keq dhe prandaj gjej rastin edhe një herë t’u kërkoj që të rikthehen në tryezën ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, të mos vetpërjashtohen për një çështje apo për disa çështje të caktuara. Ta ruajmë këtë frymë bashkëpunimi nën rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe në fund fare, patjetër që do të shkohet drejt Komisionit Parlamentar të Posaçëm për këtë reformë, ku natyrisht të gjithë do të kenë mundësinë dhe të drejtën të shprehin opinionet e tyre.
PD deklaroi edhe njëherë dje se është lënë jashtë reformës në drejtësi ndërkohë që ka përsëritur se i janë kufizuar kompetencat në një sërë ligjesh të hartuara nga mazhoranca?
Unë nuk dëshiroj të shprehem këtu për çështje të caktuara. Edhe një herë vlerësoj punën e madhe që është bërë deri më tani dhe ftoj ekspertët e opozitës të vazhdojnë të mbeten të përfshirë në këtë proces me ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë dhe çdo mendim alternativ do të kemi mundësinë që ta diskutojmë në fazën e dytë e cila është shumë e shpejtë.
Kur ftoni PD-në që të kthehet në tryezën e ekspertëve, i shuani çdo mundësi të kërkesës së kësaj force, por dhe të Ministrit të Drejtësisë për një tryezë politike? Dhe a do t’i dërgohet drafti i Komisionit të Venecias pa mendimin e PD? Venecia ka kërkuar një draft konsensual z. Meta…
Nuk dëshiroj që të ndërhyj në teknikalitete që nuk më takojnë mua. Mendoj që të ruajmë këtë frymë bashkëpunimi. Jemi në nivelin kur grupi i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, ku janë të përfshirë dhe kanë qenë të përfshirë deri më tani dhe mjaft aktivë edhe ekspertët e opozitës, ta përfundojnë draftin e rishikuar mbi frymën e rekomandimeve të Venecias. Natyrisht, më pas do të ecim edhe drejt këtij procesi politik dhe parlamentar, i cili është i domosdoshëm për të finalizuar këto ndryshime.
Nuk bëhet fjalë për një tryezë politike? Ka pasur një ftesë nga Presidenti…
Ju lutem, nuk bëhet fjalë për t’ju larguar tryezave të tjera politike. Por bëhet fjalë që ekspertët e opozitës t’i rikthehen tryezës së ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë që të vazhdojmë punën.
Do të negociohet me PD-në?
Do të bëjmë çdo përpjekje me konsensus dhe konsensusi arrihet duke u ulur bashkë dhe jo duke u larguar nga tavolina.
Sigal