Përfundon takimi me Flenckestein, Basha: Prioritet zgjedhjet

435
Sapo ka përfunduar takimi mes eurodeputetit Knut Flenckestein dhe kreut të PD-së Lulzim Basha në selinë blu. Basha në një prononcim për media tha se me eurodeputetin ka folur për sfidën më urgjente atë të zgjedhjeve, të cilat po afrojnë. Sipas Bashës, dy janë problemet kryesore të qeversisjes Rama-Meta, shitblerja e votës dhe kontigjenti kriminal si kandidat. “Tema kryesore e bisedës sonë ishte sfida më urgjente demokracia zgjedhjet që po afrojnë dhe nevoja për të punuar me BE-në dhe SHBA-në për të garantuar që oligarkia e lidhur me shtetin të mos cënpojnë votën. Të garantojë që vota e shqiptarëve të mos preket dhe të sigurojë çmontimin e dy problemeve kryesore nënqëverisjen Rama-Meta. Shit-blerja e votës dhe kontigjenti kriminal si kandidat dhe jo vetëm. Kjo ka marrë kohën më të madhe të diskutimit”, tha Basha. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot Raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian z.Knut Fleckenstein. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, zbatimi në gërmë dhe frymë i ligjit të dekriminalizimit, lufta kundër korrupsionit dhe ngritja e një sistemi drejtësie të pavarur kanë qenë disa nga temat e diskutuara në takimin mes liderit të opozitës Lulzim Basha dhe eurodeputetit Fleckenstein.


“Tema kryesore e diskutimeve me zotin Fleckenstein ka qenë sfida më urgjente e Shqipërisë dhe shqiptarëve: demokracia, zgjedhjet të cilat po afrojnë dhe nevoja për të punuar së bashku me Bashkimin Europian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndërtuar të gjithë garancitë që oligarkia dhe krimi i lidhur me pushtetin të mos cenojnë votën e shqiptarëve.

Në këtë kuadër, Partia Demokratike ka hartuar një platformë së bashku me aleatët mbështetur mbi parime dhe mbi zgjidhje europiane të cilat do të mundësojnë që vota e shqiptarëve të mos preket, që shqiptarët të votojnë të lirë, të paintimiduar. Kjo platformë do të mundësojë sprapsjen dhe çmontimin e dy problemeve kryesore në zgjedhjet shqiptare nën qeverisjen Rama-Meta që janë shitblerja masive e votës dhe influenca e krimit, përdorimi i kontingjentit kriminal, jo vetëm si kandidat por edhe si kontingjente intimiduese të qytetarëve dhe administratës zgjedhore.
Ashtu sikundër edhe në Uashington me personalitetet më të larta të administratës dhe ligjvënësve amerikanë edhe me zotin Kukan dhe personalitete të tjera të Parlamentit Europian dhe të Komisionit Europian, çështja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është kthyer fuqimisht në fokusin e tyre, si një çështje urgjente me të cilën Brukseli dhe Uashingtoni po merren dhe përmes të cilës do të mbështesin përpjekjet e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme,”- theksoi zoti Basha.

Dekriminalizimi ishte një tjetër çështje e diskutuar në takimin Basha –Fleckenstein. Zoti Basha ka shprehur shqetësimin e emërimit si koordinatorë të PS të personave me të shkuar kriminale. Është e domosdoshme, theksoi kryetari i Partisë Demokratike largimi i kriminelëve jo thjesht nga institucioni por edhe nga infrastruktura politike e vendit.
“Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit dhe më tej zbatimi i dekriminalizimit në frymë, pra largimi i kriminelëve jo thjesht nga institucioni por edhe nga infrastruktura politike e vendit, ku për fat të keq sot ata kanë një influencë të jashtëzakonshme.
Siç janë rastet e emërimit të kriminelëve me damkë si koordinatorë të Partisë Socialiste në shumë degë të Partisë Socialiste në Shqipëri. Siç është rasti flagrant i Emiliano Shullazit, këtij banditi me nam, lordit kryesor të drogës në Shqipëri, kërcënuesit të bizneseve, të qytetarëve, gjobëvënësit, i cili e ka ushtruar këtë aktivitet pikërisht për shkak të mbështetjes së drejtpërdrejtë që ka marrë nga qeveria e Edi Ramës dhe në veçanti nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Dhe në këtë kuadër padyshim arrestimi i tij mund të jetë një pikë kthimi. Mes 1001 përpjekjeve të një grupi prokurorësh me integritet për të luftuar krimin dhe lidhjet politike, duket se lidhjet politike ia kanë dalë të sprapsin hetimet. Shpresoj që kjo të jetë një pikë e fuqishme kthese në këtë drejtim pavarësisht prej përpjekjeve të lidhjeve politike të Emiliano Shullazit. Një test i monitoruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Bashkimi Europian, që të shërbejë në të vërtetë si hapi i parë kuptimplotë, rezultati i parë i reformës në drejtësi.
Unë e shoh si një sfidë që shpirti i reformës në drejtësi të fillojë të japë rezultatet edhe pa u miratuar paketa ligjore. Dhe në fakt kjo ka rëndësi sepse paketa ligjore është një copë letër e vdekur në qoftë se nuk ka rezultate në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.”
Korrupsioni i shtrirë në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe që ditë për ditë po rëndon më shumë mbi ekonominë e çdo familje shqiptare ishte çështje e diskutuar në takimin mes liderit të opozitës Lulzim Basha dhe eurodeputetit Knut Fleckenstein. Zoti Basha, ndërsa ka theksuar se vitin e shkuar fatura e korrupsionit arriti në 1 miliard euro, theksoi se edhe këtë vit janë miliona euro që po iu merren shqiptarëve. Për këtë, zoti Basha bëri të ditur se do të informojë qytetarët në detaje.
“Krimi dhe korrupsioni kanë faturën e tyre dhe kjo faturë nuk është thjesht politike por është financiare. 1 miliard euro është fatura e korrupsionit qeveritar vitin e kaluar. Një faturë e tmerrshme financiare po paguhet nga shqiptarët këto tre muajt e parë të këtij viti, për të cilin shpresoj të kem rastin t’ju informoj së shpejti përmes një materiali të detajuar që është përgatitur nga Partia Demokratike dhe që do të pasqyrojë para shqiptarëve me shifra, me emra, me fakte të pakundërshtueshme gjakpirjen që një grup oligarkësh të lidhur me qeverinë e korruptuar shqiptare po ju bëjnë qytetarëve shqiptarë në këtë kohë krize. Duke ju vjedhur edhe në këto tre muaj të parë të këtij viti miliona euro përmes tenderave me negocim dhe pa konkurrencë, përmes tenderave korruptivë dhe koncensione korruptive, duke shkatërruar më tej sistemin shëndetësor, duke eliminuar shanset e ekonomisë për rigjallërim, duke shkatërruar vende pune dhe duke kredhur në një mjerim dhe varfëri të mëtejshme Shqipërinë dhe shqiptarët”.
Ndonëse Fleckenstein i përket një spektri tjetër politik nga zoti Basha kjo nuk e ka penguar kryetarin e Partisë Demokratike t’i paraqesë platformën e demokratëve për nxjerrjen e vendit nga kriza, për tu mundësuar qytetarëve shqiptarë zhvillim dhe punësim.
“PD nuk ka vetëm një angazhim të qartë, të fortë dhe të vendosur për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por edhe një angazhim për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Dhe padyshim ndonëse i përket spektrit tjetër politik me zotin Fleckenstein, Raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian ndava edhe pikëpamjet tona, platformën tonë për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike si hapi i parë, nga kriza “Rama”. Dhe së dyti, për të siguruar nxjerrjen e Shqipërisë nga varfëria, rivitalizimin e ekonomisë shqiptare përmes platformës tonë, përmes taksave të ulëta, luftës kundër korrupsionit, luftës kundër krimit dhe rigjallërimit të portofoleve të investimeve publike që hapin vende pune dhe vende pune me paga më të mira për shqiptarët”.
Sigal