Përfundon mbledhja e ministrave të jashtëm/ Nuk ka hapje negociatash për Shqipërinë

195

Ka përfunduar takimi i ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ku duket se nuk është arritur dakordësimi për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në fund të takimit, ministrja e Jashtme e Finlandës, vend që ka presidencën e rradhës së BE, Tytti Tuppurainen, deklaroi se në mbledhje është vlerësuar se Shqipëria nuk mund të trajtohet e ndarë nga Maqedonia e Veriut.

“Vlerësuam që ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut nuk është e duhur. E vetmja gjë që mundëm të arrijmë është që KE do të kthehet mbi këtë çështje. Besojmë që KE do marrë vendim pozitiv për çështjen e integrimit për të dy vendet”, tha ministrja finlandeze.

Ndërsa, eurodeputeti Johannes Hahn tha se 25 vende janë shprehur pro hapjes së negociatave të të dy vendeve, ndërsa nuk janë bindur ende tri vende të tjera.

“Nuk arritëm të gjejmë një marrëveshje, kam luftuar për ta bërë të mundur, ekipi ynë është i angazhuar. Edhe nëse largohem nga kjo detyrë, angazhimi do jetë i vazhdueshëm. Shpresojmë t’i bindim të tjerët, sepse po flasim për diçka jetësore. Unë nuk kam asnjë ndjenjë negative, por procesi është i bazuar në meritë dhe ata i kanë plotësuar kushtet dhe ne duhet të plotësojmë kushtet tona, por nuk e bëmë këtë. 25 vende janë në favor të integrimit”, u shpreh Hahn.

Vendimi për negociatat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të merret në Samitin e liderëve të BE më 17-18 Tetor.