Përfundon mbikëqyrja për Kosovën, Ahtisari: Plani im utopik, sot fakt

506
Sigal

Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpalli dje përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. “Pas vlerësimit të tij më datë 2 korrik 2012 se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (PGJS) është zbatuar në mënyrë substanciale dhe duke vënë re se në përputhshmëri me zotimet e tyre, institucionet e Kosovës tani i kanë miratuar pakot e ndryshimeve të Kushtetutës dhe të legjislacionit primar duke i përfshirë në mënyrë të kënaqshme elementet e mbetura të PGJS-së brenda kornizës kushtetuese dhe juridike të Kosovës, Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpall sot përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe përfundimin e mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar”, thuhet në deklaretn e grupit. “Pas përfundimit të detyrave të nevojshme administrative të brendshme, Zyra Civile Ndërkombëtare do të mbyllet në fund të vitit 2012. Me efekt të menjëhershëm, PGJS-ja nuk ekziston më si fuqia juridike e veçantë dhe më e lartë, dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës tani përbën bazën e vetme të kornizës juridike të vendit”, vijon deklarata. Edhe  pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare, në Kosovë do të vazhdojë prania ushtarake e misionit paqeruajtës të KFOR si dhe misioni i EULEX-it, mandati i të cilit është shtyrë në javën e kaluar me një vendim të Kuvendit të Kosovës, në seancën, në të cilën janë miratuar ndryshimet kushtetuese, që mundësojnë heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë.

Obama: Arritje historike, por ka ende punë për të bërë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka “mirëpritur dhe mbështetur fuqishëm vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar se mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës i ka ardhur fundi”. Në një njoftim për shtyp, presidenti amerikan citohet të ketë thënë se “pas pothuajse katër vite e gjysmë, përmbushja e propozimeve të Planit Gjithëpërfshirës është arritje madhore për të gjithë qytetarët e Kosovës”. “Me optimizmin, energjinë dhe vendosmërinë karakteristike të popullit të saj, Kosova ka arritur përparim thelbësor në fuqizimin e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve të një shteti modern, shumëkombësh, përfshirës dhe demokratik”, ka thënë presidenti Obama.  Obama thekson se ka ende punë për t’u bërë në Kosovë. “Ka ende punë për t’u bërë, ndërkohë që liderët e Kosovës tani marrin përsipër përgjegjësinë e plotë për të siguruar se parimet e deklaratës së pavarësisë dhe kushtetutës zbatohen për çdo qytetar’, ka thënë zoti Obama.  Sipas presidentit amerikan, Kosova duhet të vijojë punën në zgjidhjen e çështjeve të raportit me Serbinë. “Kosova gjithashtu duhet të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive me fqinjët e saj dhe të punojë në zgjidhjen e çështjeve të hapura, veçanërisht ato në raport me Serbinë”.

Mbikëqyrja e Kosovës, Nishani: E shkuara e hidhur ndahet nga e ardhmja e begatë

PresidentI i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani me rastin e përmbylljes së mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës, ka uruar ditën e shënuar për mbarë shqiptarët.  Kreu i shtetit shqiptar në mesazhin e urimit dërguar bashkëkombasve, thekson se sot e  shkuara e hidhur ndahet nga e ardhmja e sigurtë plot begati që pret qytetarët e Kosovës. “Ju drejtohem në një moment solemniteti dhe reflektimi, kur e ardhmja dhe e shkuara e Kosovës ndahen dhe bashkohen njëherësh. Ndahen e shkuara e hidhur nga e ardhmja e sigurtë plot begati për të gjithë qytetarët e Kosovës, të çfarëdo etnie dhe përkatësie fetare. Bashkohen përpjekjet dhe përkushtimi për liri, demokraci dhe prosperitet.