Perëndimi: Arrestoni 35 drejtues, largoni 21 kandidatët e inkriminuar

461
Kanë mbetur edhe 10 ditë nga “leja” ligjore, për të nisur zyrtarisht fushata zgjedhore, paçka se politika e ka nisur këtë proces dhe po e vazhdon me “zjarr”. Në datën 22 maj 2015, bashkë me çeljen e fushatës elektorale, sipas informacioneve të gazetës “Telegraf”, do të ketë edhe një “lajm” tjetër, në lidhje me listën përfundimtare emërore të kandidatëve që do të mbeten në garë. Është fjala, për një seleksionim të emrave që kanë precedentë penalë, ose që janë dënuar nga drejtësia, por që janë kandiduar nga partitë politike, ose si kandidatë të pavarur. E jo vetëm kaq, por ka edhe një lëvizje tjetër, që ka lidhje me disa arrestime drejtuesish bashkie e komunash, të cilët rezultojnë me prova si abuzatorë me fondet publike, nëpërmjet tenderëve dhe shpenzimeve të tjera nga buxheti i shtetit. Sipas burimeve të gazetës “Telegraf” nga Prokuroria e Përgjithshme, në listën e parë të arrestimeve, janë futur 35 kryetarë bashkie e komunash, ndërkohë që nga 387 drejtues bashkie e komunash aktualë, janë listuar 98 drejtues, të skeduar si të përfshirë në korrupsion e abuzim me detyrën në fondet publike dhe pasuritë lokale, kryesisht në abuzime me ndarje tokash, licenca pyjesh, rezervuarësh, tenderë shkollash, rrugësh lokale etj. Skema për dekriminalizimin e pushtetit dhe politikës ka nisur prej 6 muajsh, por kjo nuk u bë ligj, mbasi siç duket, politikës nuk i interesonte që të futej me këtë ligj në zgjedhjet lokale, për shkak se, sipas provave, ka bërë pazare më parë me disa nga individët që ka kandiduar. Dhe ndodhi, që në 61 bashkitë, nga të gjithë forcat politike, janë kandiduar edhe emra të lidhur me krimin, të dënuar, të padënuar por në ndjekje penale e analfabetë, të cilët partitë politike i kanë përzgjedhur si kandidatë të “preferuar”. Sipas listës që ka skeduar prokuroria në bashkëpunim me SHBA dhe BE, 21 kandidatë të bashkive nga të gjithë spektri politikë dhe të vetëshpallurit të pavarur, rezultojnë me “dosje të zeza”. Këta deri tani, janë në garë. Por data 22 maj, duket se është caktuar si data e “sitës” për të nxjerr jashtë garës “krundet” që janë brenda në dosjet e drejtësisë. E ndërsa partitë, po vazhdojnë prezantimet e kandidatëve “me dualle” nëpër qytete, SHBA dhe BE po bënë presion për të pastruar individët e inkriminuar, ndërkohë që KQZ po pret urdhër prej politikës, se cilët duhet të nxjerr nga lista. Faktikisht, në listat e kandidatëve ka emra që janë të lidhur me krimin, si nga ata që kandidojnë për herë të parë edhe nga ata që kandidojnë për herë të dytë e të tretë. Seleksionimi i tyre, që nuk u bë nga partitë politike, do të bëhet në KQZ, kjo e fundit e detyruar prej SHBA dhe BE, me listë të gatshme individësh që duhen nxjerr nga gara për krye-bashkiakë. Personat e listuar për tú nxjerr nga gara janë nga të gjithë zonat e vendit. Ndoshta u mendua dhe po mendohet ende, se punët e zgjedhjeve vendore janë mbyllur vetëm me shpallje emrash për kandidatët e përcaktuar deri tani dhe me prezantimet që po u bëhen me “tam-tame” nëpër sheshe e salla elektorale. Në fakt, listat e emrave të shpallur nga koalicionet, subjektet politike që do futen të vetëm në zgjedhje dhe kandidatët e pavarur, sipas skemës spastruese dekriminalizuese, të diktuar nga SHBA dhe BE, si diktat ndaj forcave politike, do të kalojë në “filtër”. Kjo punë seleksionuese ka nisur nga KQZ e cila po regjistron, por nuk po certifikon kandidatët, mbasi pret “dosjet” e secilit prej tyre. Gazeta “Telegraf”, ka publikuar disa ditë më parë, faktin, që KQZ do të përdoret si “sitë” e kandidatëve, duke nxjerr jashtë gare individët e lidhur me krimin. Është fakto, që emrat e kandidatëve që kanë dalë deri tani nga partitë politike majtas e djathtas, janë përfshirë në një betejë të ashpër deri individuale me deputetët, drejtuesit e partive në bazë e në qendër e madje edhe mes tyre. Por emrat e atyre që janë shpallur deri tani, sipas skenarit që është gati për zbatim pas 22 majit 2015 kur të mbyllen zyrtarisht kandidimet, nuk do të jenë “lista përfundimtare”. Burimet e gazetës “Telegraf” nga brenda dy krahëve politikë dhe nga brenda KQZ, kanë informuar se do të ketë një seleksionim dhe nxjerrje nga listat e kandidimit të 21 disa emrave. Partitë kanë ngritur ekipe hetimore speciale, për të gërmuar mbi biografitë e kandidatëve që kanë ftuar në listë për t’i eliminuar nga listat që kanë shpallur. Ky “hetim” i biografive do të shkoj deri në adoleshencën e kandidatëve, më troç deri sa të gjenden “njolla të zeza”, që të përdoren prej KQZ si shkak eliminimi. Si pikë referimi rreth këtij eleminimi do të shërbejnë edhe burimet hetimore të ardhura nga shërbime inteligjente ndërkombëtare. Puna për të zbatuar të dhënat e “viktimave” ka nisur prej kohësh dhe në datën 2 maj 2015, “pretenca” ndaj tyre do të do të jetë gati për t’u lexuar nga KQZ. Sipas informacioneve tona, deri tani në garën për 61 bashkitë janë shpallur shumë kandidatë nga partitë politike PS, PD, PR, PDIU, PSD, PBDNJ. Po kështu janë vetëshpallur edhe kandidatë të pavarur. Natyrisht që do të jenë vetëm 61 fitues edhe pse mund të jenë më tepër garues për kolltukët e 61 bashkive. Ata që janë shpallur nga partitë dhe që janë vetëshpallur si kandidatë të pavarur nuk e dinë se janë futur në “rreth të kuq”, për t’u nxjerr nga kandidimi. Sipas skenarit të partive politike, “plani nr. 2” parashikon eliminimin e disa kandidatëve, të cilët politika i shikon si rrezik për marrje votash. Ky skenar është bërë gati prej kohësh dhe do të konkretizohet nga KQZ pas datës 2 maj 2015, duke shpallur emrat e eleminuar për “njolla në biografi”, që bien ndesh me ligjin dhe kriteret e vendosura prej ndërkombëtareve. Sa për kujtesë, asnjë nuk do të eleminohet nga lista si spiunë, por si individë me precedentë penalë, aktualë e të mëparshëm, qofshin këto edhe në adoleshencën e tyre, mjafton që t’u gjendet një “kleçkë” sa për “damkosje”.
Ja numri i kandidatëve që do të eliminohen në KQZ
1. Tirana: 2 kandidatë
2. Berati: 2 kandidatë
3. Durrësi: 3 kandidatë 
4. Fieri: 2 kandidatë
5. Elbasani: 3 kandidatë
6. Korça: 2 kandidatë
7. Vlora: 2 kandidatë
8. Shkodra: 1 kandidat 
9. Gjirokastra: 2 kandidatë
10. Lezha: 1 kandidat
11. Kukësi: …
12. Dibra: 1 kandidat
Lista e parë, e drejtuesve lokalë që do shkojnë në pranga
1. Tirana: 4 drejtues
2. Berati: 2 drejtues
3. Durrësi: 4 drejtues 
4. Fieri: 4 drejtues
5. Elbasani: 4 drejtues 
6. Korça: 3 kandidatë
7. Vlora: 2 drejtues
8. Shkodra: 3 drejtues
9. Gjirokastra: 2 drejtues
10. Lezha: 2 kandidat
11. Kukësi: 2 drejtues
12. Dibra: 3 drejtues
Sigal