Përdoret nderimi me grushtin lart për homazhet e 5 Majit, përplasen forcat politike

456
Sigal

FORUM/ Flasin, Marko Dajti, Artur Roshi, Simon Miraka dhe Dalan Buxheli

Festimi dhe përkujtimi i Ditës së Dëshmorëve të Atdheut, në datën 5 Maj u shoqërua me debate të forta. Përdorimi i grushtit lartë në shenjë nderimi në Varrezat e Dëshmorëve dhe prania e fëmijëve u kthye në një mollë sherri. Lidhur me këtë çështje, flasin për “Telegraf”, Marko Dajti, Artur Roshi, Simon Miraka dhe Dalan Buxheli.

 

Marko Dajti:

(Kryetar i Partisë se Punës së Riorganizuar)

 Shqiptarët të marrin shembull amerikanët nëse u ka ngelur pak gjak shqiptari

 Ne e festuam 5 Majin, Ditën e Dëshmorëve të Atdheut, ashtu sikurse e festojnë të gjithë popujt e luftës së dytë botërorë, si BS, anglo-amerikanët etj.. Së pari, një pjesë e kundërshtarëve të Ballit Kombëtar dhe të kësaj kohe, këta dëshmorë nuk i quajnë partizanë, por i quajnë viktima të luftës. Ata janë partizan që luftuan për çlirimin e atdheut dhe është turp t’i quash viktima të luftës. Ata që dolën në mal zbathur, në moshë fare të re dhe jo si ballistët që bashkëpunuan me fashistët, për të përfituar. Kjo shprehje mund të përdoret vetëm nga njerëz që kanë qenë dhe janë antishqiptar. Së dyti, ceremonia e 5 Majit pati një jehonë të gjerë, kjo jehonë është zhurmë e së Djathtës, e atyre që nuk i kanë respektuar as një herë të rënët e luftës për qëllime politike, si antishqiptarë që kanë qenë deri më sot. Të mos nderosh të rënët e luftës, nuk ndodh në as një vend të botës, kudo të rënët e luftës përkujtohen me nderim. Këtu e djathta, si formacion politik antishqiptar, i dirigjuar nga jashtë, nuk i nderon të rënët, duke i quajtur viktima të luftës. Së treti, për sa i përket nderimit me grusht në ceremoni, pati një reagim të ashpër, duke e konsideruar si nderim të diktatorit. Këta, demokratët, nuk e argumentojnë dot as pjesën e luftës dhe as atë mbas luftës. Hoxha ishte komandanti suprem, ai që drejtoi luftën dhe i dha fitore Shqipërisë. Të gjithë të rënët ishin nën komandën e tij. Këta nuk e argumentojnë dot faktin se, Hoxha ishte diktator. Së katërti, të përndjekurit e konsiderojnë vendosjen e portretit në memorial të dëshmorëve si një shuplak kundër tyre.

Kush janë të përndjekurit politik, se nuk kam parë as një të përndjekur politik që të ketë shkuar në gjykatë për të kërkuar pafajësinë dhe të jetë shpallur i pafajshëm. Të dali dhe të thotë që unë jam i pafajshëm dhe regjimi i ka dënuar. Ata nuk kanë përse ndërhyjnë.

Ne do të vazhdojmë të festojmë datën 28-29 Nëntor, si dhe datën 16 tetor, dita e lindjes së Enver Hoxhës, që do jetë dita simbol e Shqipërisë. Pavarësia e vërtetë është në 29 nëntor 1944. Pavarësia mbaroi në vitin 1991. Për sa i përket çështjes se përfshirjes së fëmijëve në ceremoninë e zhvilluar në varrezat e dëshmorëve, ishte diçka mjaft e bukur dhe përgëzime arsimtarëve që i kanë çuar ata fëmijë dhe u mësojnë se si duhen nderuar të rënët e luftës për atdhe. Këtu fillon ndjenja e patriotizmit, e cila nëpër shkolla nuk mësohet dhe orientohen drejt drogës, prostitucionit etj.. P.sh, grekët kanë ngritur varreza të të rënëve të luftës që as nuk i dinë ku janë dhe kush janë, kurse ne varrezat tona i kemi përdhosur dhe nuk i nderojmë të rënët në data përkujtimore, si ndodhi me Heronjtë e Vigut. Shqiptarët duhet të marrin shembull nga amerikanët, të cilët nderojnë çdo vit të rënët e Luftës së Dytë Botërore nëse e ndiejnë vetën sadopak shqiptar të paktën në sytë e opinionit, sepse kanë dhënë jetën për lirin e vendit. Kështu duhet të veprojnë shqiptarët nisu u ka ngelur pak gjak shqiptari dhe dhembshuri për dëshmorët.

Simon Miraka

(ish-drejtor i Institutit të të Përndjekurve Politikë)

Ne pretendojmë të shkojmë në Europë me simbolin e diktaturës?

Sigurisht që ne përulemi me respekt ndaj të gjithë atyre që ranë në luftë kundrejt asaj diktature që mori miliona jetë njerëzish. Shfaqa në varreza me grushtin lartë tregon një miopi dhe për fat të keq edhe pse jemi mbas 23 vitesh demokraci, ende kanë nostalgji për diktaturën. Për sa i përket fotografisë ishte mjaftë e dukshme dhe ministri i drejtësisë duhet që menjëherë të merrte masa. Njëkohësisht dhe përfshirja e fëmijëve në varrezat e dëshmorëve ishte një vepër kriminale, edhe kur vdes familjari nuk çohen fëmijët në varreza. Pra t’i injektosh fëmijët me virusin e së keqes, dhe t’i detyrosh fëmijët të ngrenë grushtin, i cili është simbol i diktaturës është krim. Kjo gjë u vërtetua menjëherë kur ky gisht goditi inteligjencën, në të gjitha fushat dhe aspektet. Ekzekutuan, burgosën, internuan. Të gjithë kanë luftuar në botë, por askush nuk e përdor grushtin. Simbol i luftës dhe i fitores janë dy gishtat. Nuk mund të ndalosh dikë që të ketë simpati për Enver Hoxhën, por është përgjegjësia e zyrtarëve dhe edukatorëve të shkollës që çuan fëmijët. Ne pretendojmë të shkojmë në Europë me simbolin e diktaturës? Pavarësisht se ai ka qenë komandant i luftës, francezët kanë një shprehje: “Kush mundohet të shfajësohet, ngarkohet më shumë me faj”, pra ata e përdorin si një justifikim. Çfarë komandanti ka qenë, sepse të gjithë komandantët e luftës i vrau, ku janë komandantët që kanë drejtuar luftën, nuk u dihet as varri. Ne do të dalim me një deklaratë kundër këtyre shfaqjeve të simboleve komuniste.

Artur Roshi

( Kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat)

Diktaturë demokratike etërit, demokraci diktatoriale bijtë

Nëse mund të kishte patur diçka fisnike në nderimin e viktimave luftëtarë të Luftës së Dytë Botërore,-që në vendin tonë si asgjëkund tjetër u zhvillua në suazën e luftës civile me lajtmotivin “të vrasim kundërshtarët ideologjikë, për të akumuluar pushtetin”-ky nderim i diktaturës e baltosi sërish. Nuk i quajta partizan siç i kanë quajtur rëndomtë, por viktima luftëtare të idealeve dhe të një lufte që nuk e kuptonin, preh e të cilave ranë edhe vetë, disa që në kohën e luftës dhe të tjerët në kohën e çlirimit të pushtuar, lirisë së robëruar, rrethuar me tela me gjemba, që i dhuruan atdheut të tyre. Në emër të shenjtërisë së përdhosur të kësaj lufte të munguar dhe me kontributin e saj në “heqjen qafe”të elitës intelektuale dhe zëvendësimi i saj me një elite të pashkolluar, e ndihmoi regjimin komunist që të instalonte në Shqipëri një diktaturë që paturpësisht e quanin demokratike. Një diktaturë demokratike të proletariatit, që e mbylli në izolim të plotë Shqipërinë, i skllavëroi shqiptarët në gjithë kuptimin e fjalës, i mbyti në mjerim, dhe përfundoi, duke çuar në gijotinë edhe kokat e atyre që kontribuuan në këtë rend diktatorial që po ndërtonte e vetme Shqipëria e mbas luftës-njëlloj si revolucioni jakobin. Në vitet ‘90 në Europë ra “perdja e hekurt” dhe komunizmi me të gjitha të këqijat që i kishte bërë jetës njerëzore. Ky nderim i dëshmoreve me sfond të qartë politik adhurimin e diktaturës është një regres në historinë tonë dhe me pasoja për proceset integruese. Nuk e kuptoj drejt kujt adresohet ky adhurim, drejt shqiptarëve? Shqiptarët u ndan në vitin 1990 nga diktatura. Ata nuk e votuan këtë qeveri si bijtë e etërve, por u dhanë pushtet me bindjen se, janë larguar nga mendësitë e prindërve të tyre, por kjo rilindje e diktaturës dhe diktatorit tregoi të kundërtën dhe kjo është një shuplake për një milionë veta që votuan dhe besuan në të kundërtën. Kjo përulje para fotografisë së diktatorit dhe qëndrimi në roje nderi me grushtin lart është një shuplakë e madhe morale për të përndjekurit, ky ishte kësti i parë i dëmshpërblimit të tyre që ata morën nga rilindësit në qeverisje. Ky riadhurim i diktaturës që filloi me shfaqen si padashje të fotografisë së diktatorit në ceremonialin qeveritar të 29 nëntorit, që u rihodh në qarkullim ditën në diell në disa varreza dëshmorësh, me pretekstin e mitizimit të kësaj pseudo lufte në 5 maj dhe sipas skenarit të qeverise do të agravohet me tepërt në ditët e festimit të 70 -vjetorit të çlirimit. Ndërkohë që, shqiptarët e dinë që ajo që erdhi pas lufte mund të përshkruhet me mijëra fjalë, por si çlirim nuk mund ta përshkruash dot. Pra, kjo frymë adhurimi shkon ndesh me interesat e vendit, me mbështetjen e perëndimit ,me integrimin në BE.

Dalan Buxheli

( Veteran lufte)

Të nderojmë gjakun e dëshmorëve çliruan vendin

 Të flasësh e të shkruash për luftën dhe për dëshmorët sot, në epokën e integrimit e të globalizimit, është sakrilegj i secilit prej nesh për vlerat dhe veprat e tyre si pjesë përbërëse e historisë sonë. Ne kemi një ditë në vit, 5 Majin, si festë përkujtimore për dëshmorët. Duke përkujtuar 5 Majin si Ditën e Dëshmorëve, na jepet rasti të nderojmë dëshmorët e të gjitha kohërave, gjithë atyre që luftuan me armë në dorë për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, si dhe për mbrojtjen e saj. Historikisht është vërtetuar se patriotët shqiptar, në çdo kohë nuk kanë luftuar për poste e për të shpëtuar lëkurën e tyre, por kanë sakrifikuar dhe jetën për të vetmin qëllim, shpëtimin e kombit. Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare, si më masivja nga pjesëmarrja dhe e shtrirë në të gjithë Shqipërinë, kishte qëllime dhe objektiva të qarta, si brenda dhe jashtë vendit, si një luftë e përbashkët antifashiste. Ajo çka sot përbën një problem shumë të mprehtë në gjithë shoqërinë shqiptare, është tendenca e ndryshimit, e deformimit apo dhe fshirja e një periudhe historike siç është Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare. Në vendin tonë kanë ndodhur trauma që nuk kanë të krahasuar me asnjë vend tjetër demokratik, siç është shkatërrimi i varrezave të dëshmorëve, muzetë, lapidarët e pllaka përkujtimore. Qeveria që iku nuk mund të restauronte varrezat e dëshmorëve që i shkatërroi vetë. Ata si qëllim kanë mohimin e Luftës, duke e quajtur atë Luftë Civile, të ulin luftëtarët e vërtetë të lirisë dhe të ngrenë tradhtarët për të larë turpin e tyre historik, tradhtinë e tyre si bashkëpunëtorë të pushtuesve nazifashistë.