Përçarjet në PS, gati partia e Nanos

609
Sigal

Në rast se nuk pranohet platforma e Nanos nga PS, krijohet Partia Socialiste Liberale (PSL)

Ka qenë një deklaratë e deputetit socialist Arben Malaj që ka rizgjuar “Lëvizjen Nano”. Pardje, në një TV lokal të qytetit bregdetar të Vlorës, Malaj është shprehur se në rast se do të vazhdojnë grindjet, sherret dhe përçarjet në Partinë Socialiste, së shpejti do të krijohet një parti e re e majtë nën drejtimin e ish-liderit të PS-së, Fatos Nano. Në fakt prej disa muajsh është paralajmëruar një formacion i ri, por më e kristalizuar ajo është bërë këta muajt e fundit. E nisur si Lëvizja “Nano President”, pas dështimit për të kapur kreun e shtetit, Nano e shndërroi atë në lëvizje politike, duke e lënë gjithnjë të nënkuptohej se mund të kthehej në një forcë politike. Tashmë mësohet edhe emir i kësaj partie që do të quhet Partia Socialiste Liberale (PSL). Nano vazhdimisht ka trumbetuar bashkimin e socialistëve dhe të të majtëve. Mirëpo, pas një fillimi të vrullshëm, ku u tha se po ngriheshin edhe strukturat e Lëvizjes Nano në bazë dhe ku u përfshinë emra të njohur që njihen si mbështetës të ish-liderit, Nano u zhduk dhe s’është bërë i gjallë prej më shumë se dy muajsh. Mirëpo, burime të besueshme brenda kësaj Lëvizjeje, tha dje për “Telegraf” se, shumë shpejt do të ndodhë kjo lëvizje e re brenda së majtës. Madje, një emër i njohur i socialistëve në kryeqytet, Enver Reçi konfirmoi se si do të veprohet më tutje, që nga parashtrimi i platformës nga ana e vetë Nanos në mbledhjen e Asamblesë së PS-së dhe, mandej, në rast se do kundërshtohet dhe nuk pranohet kjo platformë, do të kalohet në formimin e partisë së re nën drejtimin e Nanos. Pra së shpejti në spektrin e majtë të politikës shqiptare do të kemi edhe PSL-në e Nanos, e cila pretendon të bashkojë të majtët e larguar prej Ramës dhe të pakënaqurit nga strategjia që po ndjek Rama për zgjedhjet e ardhshme. Partia e re e Nanos do të dalë me kandidatët e saj për deputetë në zgjedhjet e 2013-s, duke qenë një parti liberale e majtë. Është e natyrshme që shpresa e vetme e tyre është të marrin vota nga partia mëmë që tani drejtohet nga Rama. Rreth gjashtë muaj deri në zgjedhjet e ardhshme, për përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje duken të mjaftueshëm për të hyrë në ringun e politikës, pavarësisht skepticizmit të disave.

___________________________________________________________________________________

Flasin për “Telegraf” pas deklaratës së Arben Malaj

RAJMONDA STEFA

Në një prononcim për gazetën “Telegraf”, lidhur me mundësinë e krijimit të një force politike nën drejtimin e Fatos Nanos, ish-deputetja socialiste, Rajmonda Stefa tha se, socialistët nuk kanë besim te një fitore në 2013-n me Ramën, i cili, edhe pse duhen 6 muaj nga zgjedhjet, merret akoma me zgjedhjet në PS, pasi në shumë qarqe nuk janë zgjedhur akoma kryetarët e PS-së. Por, nga ana tjetër, nuk shikoj të mundshme një krijim partie te re socialiste, pasi edhe zoti Nano, edhe pse ka premtuar, nuk po duket më.

ENVER REÇI

Ish-deputeti i selisë rozë dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Enver Reçi tha dje për “Telegraf” se, në radhë të parë duhen bërë përpjekje maksimale për të bashkuar e kompaktësuar të majtën për zgjedhjet e ardhshme. Këtij qëllimi i kanë shërbyer dhe po i shërbejnë përpjekjet e Lëvizjes Nano. Unë jam një nga mbështetësit kryesore të Nanos në kryeqytet dhe jam në dijeni të përpjekjeve që po bëhen për të bashkuar të majtën. Vetë Nano, që si ish-Kryeministër dhe ish-Kryetar i PS-së, është anëtar i Asamblesë së PS-së, do të shkojë për këtë qëllim në mbledhjen e radhës të Asamblesë Kombëtare të PS-së, ku do të shpalosë platformën e tij. Ajo është një platformë bashkimi dhe Nano do të kërkojë që në listat e deputetëve të PS-së për zgjedhjet e 2013-s të futën figura të njohura dhe me kontribut të PS-së por që në një mënyrë a tjetër janë mënjanuar dhe larguar nga PS-ja. Nuk dimë se kur do të bëhet mbledhja e Asamblesë, pasi nuk ka një datë të përcaktuar. Por ky është një hap që do të hidhet, para se të ndërmerren hapa të tjerë. Gjithçka varet nga reflektimi i PS-së dhe vetë Ramës. Nëse nuk do të pranohet platforma dhe idetë e Nanos, atëherë ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe është e drejta e Zotit që të krijohet një forcë e re politike nën drejtimin e Fatos Nanos. Kjo do të jetë një forcë politike e majtë dhe do të hyjë në zgjedhje me kandidatët e saj. Kjo është e vërteta deri më tani.

MARK NIKOLLI

Një nga socialistët e vjetër, ish-Kryetar i Komisionit për Statutin dhe Mandatet në PS, Mark Nikolli deklaroi dje për “Telegraf”, mendimet e tij për Lëvizjen Nano. Dua të theksoj që në fillim se PS aktualisht ka nevojë për një kohezion të brendshëm dhe unitet që të rakordojë të gjitha forcat dhe energjitë e saj për zgjedhjet e vitit të ardhshëm dhe për të fituar. PS në mënyrë imediate duhet të ngrihet mbi interesat meskine të njërit e tjetrit dhe bashkohet. Këtij qëllimi i shërben tërësisht “Lëvizja Nano” dhe për këtë po punohet. Por asnjë lëvizje, çdo investim pozitiv nuk duhet paragjykuar e sulmuar. Sepse është fakt që PS po kërkon aleatë, madje dhe të panatyrshëm, kur aleatët i ka aty. Forcat vitale të socialistëve I ka aty, janë personalitete me emër dhe figura që kanë sakrifikuar për kauzën e majtë prej vitesh. Këta njerëz e këto forca duhen bashkuar dhe duhen inkurajuar. Se si do të bëhet ky bashkim nëpërmjet Lëvizjes Nano apo një procesi jashtë Partisë Socialiste, kjo do të shihet në të ardhmen e afërt. Në këtë kontekst, edhe Lëvizja Nano duhet mbështetur dhe inkurajuar, përfundoi Nikolli.