Përçahet koalicioni i majtë, Gjinushi, Milo, Beqiri, Koçi e Dajti paralajmërojnë Ramën nga Rogneri

437
Sigal

Nëse beteja jonë do të bëhet me dajre e cyle, na pret dështimi i sigurt!

 Dje, paradite, në ambientet e hotel “Rogner” është zhvilluar një takim mes 5 kryetarëve të partive aleate të PS-sw, përkatësisht Skënder Gjinushi i PSD-sw, Paskal Milo i PDS, Petro Koçi i PSV ‘91, Idajet Beqiri i PUK dhe Marko Dajti i PPSHR, për të diskutuar mbi situatën zgjedhore dhe rreziqet në rritje ndaj procesit të votimit. Ata theksuan se situata në KQZ mbetet e papranueshme dhe përbën një kërcënim për manipulim të rezultatit zgjedhor në favor të PD. U kërkua një ndërhyrje më energjike nga faktori ndërkombëtar për të riformatuar këtë institucion të lartë të administratës zgjedhore. Gjithashtu,  u vu në dukje rreziku se përpjekjet e mundshme të komisionerëve të majtë për të mos mbrojtur votat e aleatëve të PS gjatë procesit të numërimit do të krijonin terrenin e përshtatshëm për ndërhyrjen e komisionerëve të PD për të manipuluar procesverbalet në dëm të opozitës.

U identifikua fenomeni në rritje i përdorimit të parasë për blerjen e votave në shumë raste dhe indiferencën e institucioneve ligjore ndaj këtij fenomeni shtetkapës. Gjinushi, Milo, Koçi, Beqiri dhe Dajti theksuan angazhimin total të partive që drejtojnë për të realizuar rotacionin qeverisës dhe fillimin e reformave të thella që garantojnë pavarësinë e institucioneve, luftë kundër korrupsionit dhe një sistem zgjedhor më pluralist e më të drejtë që rrit pushtetin e qytetarit mbi politikën e qeverisjen. Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar i bën edhe një herë thirrje lidershipit të Partisë Socialiste të shkojnë të enjten në parlament për të zënë vendet që u takojnë në KQZ si dhe për ligjin për amnistinë fiskale. PS duhet të marrë seriozisht në dorë fatet e opozitës shqiptare dhe ta udhëheqë popullin drejt fitores mbi regjimin antipopullor të Sali Berishës. Çdo gabim dhe mungesë serioziteti do të ketë pasoja fatale dhe nuk do të na e falë historia, pasi nuk ka një mundësi të dytë. Në qoftë se beteja jonë do të bëhet me dajre e cyle, rezultati i zgjedhjeve do të na ndëshkojë. Të gjithë të pranishmit në takim ishin shumë të ashpër me indiferentizmin e PS-së, ndaj aleatëve të koalicionit.

  Marko Dajti: Nuk na duhen këngët e mejhaneve se nuk kemi vetëm votuesit e Bregut të Lanës

 Madje për këtë, përveç fjalëve të ashpra që lëshoi në takim, kreu i komunistëve të PPSHR shkroi edhe një deklaratë në formë proteste kundër kryesocialistit Edi Rama. Në këtë deklaratë Dajti shkruan se: “E majta nuk mund të vijë në pushtet me dajre e këngë mejhanesh, pasi nuk janë vetëm votuesit nga Bregu i Lumit që vendosin për të ardhmen. Në këtë sfidë të madhe elektorale ne kemi hyrë për të zhvilluar një betejë historike, ndoshta betejën më të madhe të këtyre dy dekadave të fundit dhe sfida të tilla përballohen me një sens të lartë përgjegjësie ndaj qytetarëve që na votojnë. Berisha me regjimin e tij diktatorial ka ndëshkuar më shumë biznese të majta, për arsye thjesht të qëndrimeve politike, prandaj amnistia fiskale është një nga ligjet që duhet votuar patjetër për t’u dhënë frymëmarrje atyre njerëzve që na kanë besuar dhe na kanë mbështetur. Prandaj ne i bëjmë thirrje Partisë Socialiste të dërgojë urgjentisht deputetët e vet në Kuvendin e Shqipërisë që në datë 30 maj të votohet ky ligj që vë në vend një padrejtësi të madhe. Nga ana tjetër, ripërsërisim qëndrimin tonë për dërgimin e kandidaturave për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pasi në këtë mënyrë opozita po i lë fitoren në tavolinë hajdutit të votave, Sali Berisha. Praktikisht, kemi lënë ujkun të ruajë qengjat. Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar konstaton me keqardhje se “treni” i së majtës ka filluar të dalë nga binarët, për faj të “lokomotivës”. Fushata për zgjedhjet e 23 qershorit po shoqërohet me një vetëdenigrim dhe vetëdiskreditim të së majtës, e cila nuk po ofron alternativa, por vetëm një shoë politik të orkestruar keq dhe të orientuar drejt tallavasë. Me keqardhje konstatuam se në mitingun për prezantimin e kandidatëve të Partisë Socialiste, Edi Rama u shndërrua në një artist cirku. Praktikisht, pas dajres dhe ahengxhinjve të rëndomtë, në Pallatin e Sportit mungonte vetëm arusha Mira. Pamë kandidatët socialistë të këndonin me stonatura këngë stadiumesh, ndërkohë që vetë kryesocialisti ka nisur t’i këndojë fikut që nuk po arrin dot t’i marrë kokrrat. Një performancë e tillë është fyese jo vetëm për socialistët dhe qytetarët e Tiranës, por edhe të gjithë Shqipërisë.

Nuk e dimë nëse një fushatë e tillë i dedikohet shijes së keqe artistike të liderit të së majtës, këshilltarëve mediokër apo pagesave nën dorë që kanë si qëllim të lënë në pushtet Sali Berishën. Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar, e cila i është bashkuar koalicionit të majtë për të siguruar fitoren në zgjedhjet e 23 qershorit, është thellësisht e shqetësuar për mënyrën aspak serioze me të cilën po prezantohet përpara publikut kandidati ynë për kryeministër” Kështu e mbyll deklaratën e tij, .Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSHR, Marko Dajti