Përçahen dy akademitë në Shqipëri për konferencën e 100- vjetorit të Pavarësisë

450
Sigal

Historiani Bernard Fisher pohon se, gjermani i fundit ka ikur nga Shqipëria më 4 dhjetor

Akademia solemne kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë ka përplasur dy institucionet shtetërore të shkencës, Akademinë e Shkencave dhe Qendrën e Albanologjisë. Mbajtja e të njëjtës konferencë edhe nga Qendra e Albanologjisë ka bërë që përfaqësues të shtetit të bojkotojnë konferencën e mbajtur në Akademinë e Shkencave, që sipas nënkryetarit Myzafer Kërkuti ishte planifikuar shumë kohë më parë. Më i ashpër në qëndrimin e tij është treguar Paskal Milo, i cili në cilësinë e historianit, thotë se mbajtja e dy aktiviteteve shkencore tregon se ka një përçarje të qëllimshme nga ana e Qeverisë duke bërë që edhe në 100-vjetorin e Pavarësisë siç shprehet ai, të mos jemi të bashkuar.  “Nuk ishte e nevojshme që të kishte në të njëjtën ditë dy aktivitete shkencore. Këto dy institucione janë shumë të rëndësishme dhe duhet të koordinoheshin. Kjo tregon një përçarje të qëllimshme, përçarje të organizuar nga ata që duan që këtë 100-vjetor ta festojmë të ndarë”, tha Milo. Rezultatet shkencore të studiuesve me përvojë shumëvjeçare synohet të përmblidhen në një botim, që më pas do të prezantohet në shkolla.

Fisher: Gjermani i fundit iku më 4 dhjetor

Në prag të kremtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe Ditës së Çlirimit të vendit nga pushtimi nazist, historianët nxjerrin fakte të reja të cilat risjellin sërish në vëmendje debatin politik mbi datën e çlirimit. Historiani Bernd Fisher tha se, ekzistojnë dy raporte për Shqipërinë të publikuara në vitin 1945, njëri i shkruar nga misioni diplomat amerikan që ndodhej në atë periudhë në Shqipëri dhe tjetri i përpiluar nga gjermanët. Sipas raportit të shkruar nga gjermanët, thuhet se gjermani i fundit u largua nga territori shqiptar më 4 dhjetor. “Ushtria gjermane kishte në Shqipëri përfaqësuesin e tij, i cili përpilonte raporte të hollësishme mbi situatën. Të dyja raportet, ai amerikan dhe gjerman ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri. Në raportin amerikan, flitet me nota pozitive për regjimin e Hoxhës, për shqiptarët dhe luftën e tyre, ndërsa raporti gjerman kuptohet se përdor një gjuhë krejt ndryshe për shqiptarët. Por në raportin gjerman dalin fakte të reja historike, që mund t’i shërbejnë debatit tuaj mbi datën e çlirimit të vendit, pasi në të thuhet qartë se ushtari i fundit gjerman është larguar nga Shqipëria në datën 4 dhjetor”, tha Fisher. Drejtori i Institutit të Historisë Beqir Meta tha se historianët shqiptarë kanë nxjerrë fakte e analiza të reja mbi historinë e Shqipërisë nga Periudha e Rilindjes dhe deri në Periudhën e Komunizmit.