Për vete pensione milionëshe, për popullin thërrime

615
Përparim HALILI
Për herë të parë pas 27 vitesh, 42 deputetë “bajraktarë” zonash “trokasin” te sporteli i pensionit
Gazeta “Telegraf” ka denoncuar skandalin që ligjvënësit nuk zbatojnë ligjin dhe nuk u ndërpritet mandati, kur plotësojnë moshën
Referuar listës përfundimtare zgjedhore të deputetëve të mandatuar pas zgjedhjeve të 25 qershorit, krahasuar me ish-listën emërore të deputetëve të mandatit që u mbyll, rezulton se Legjislatura 2017-2021 do të ketë më pak “gjyshe e gjyshër” në sallë, për shkak të humbjes në zonat e tyre, për shkak të listave preferenciale e klienteliste të kryetarëve të partive dhe të nxjerrjes jashtë loje, të partiçkave aleate “këpusha”, të drejtuara nga stërgjyshër që lakmuan të mbeteshin, ose ribëheshin deputetë. 
Nis fundi, i sulltanizmit të deputetëve
Nuk do janë më pjesë e parlamentit, deputetë të cilëve u ka kaluar me disa vite mosha ligjore e daljes në pension, por edhe ata që janë në moshë e në prag moshe pensioni pleqërie! Çfarë po bëjnë deputetët e mbetur jashtë parlamentit? Disa kanë vendosur të presin për ndonjë vend në pushtetin e shtatorit, disa do ta shtyjnë pagën që do marrin si ish-deputetë, disa “nuk po lënë gurë pa lëvizur” për të “kapur” ndonjë vend pune në bashkitë, prefekturat, qarqet, këshillat bashkiakë, agjencitë, inspektoratet, ndërmarrjet dhe shërbimet publike që drejtohen nga zyrtarë të linjave të tyre partiake. Të tjerët që janë “pleq e plaka në vakt”, kanë vendosur ndryshe. Nga burimeve të gazetës “Telegraf”, mësohet se deputetët e moshuar janë “vërsulur” në zyrat e Sigurimeve Shoqërore, për të bërë “letrat e pensionit”. Deri tani, ata kanë mbledhur vitet e punës e të pagave, në ndërmarrjet dhe institucionet ku kanë qenë para bërjes deputetë e po kështu, kanë marrë “letrat” në zyrën e financës së Kuvendit dhe po plotësojnë dosjet e pensionit. Sipas informacionit nga brenda ISSH, thuhet se deri tani, në zyrat e daljes së pension kanë “trokitur” 42 deputetë. Nga këta, 20 janë deputetë të PS, 19 deputetë të PD dhe 3 të partive të vogla aleate! Në listë, janë edhe emra, që kanë qenë deputetë deri në vitin 2013, të cilët kanë ëndërruar të futeshin në listat e 25 qershorit 2017, por që nuk janë futur dot. Të bindur se u “iku mosha” dhe se nuk janë më pjesë e “klaneve të reja” e për rrjedhojë, nuk kanë më shpresë për t’u ribërë deputetë, ata kanë vendosur të bëjnë letrat e pensionit, ku u llogariten edhe vitet e punës (qejfit) si deputetë! Ndër deputetët që janë paraqitur për pension, ka shumë politikanë të njohur, të cilët menduam të mos ua përmendim emrat. Por ka edhe deputetë, që nuk njihen fare, për shkak se nuk kanë folur asnjëherë në parlament, ka nga ata që paraqiteshin në parlament vetëm 10 minuta në 1 seancë në çdo 6 muaj, sa për të mos humbur mandatin, por që janë paguar rregullisht për pagat mujore dhe dietat e shpërblimet! Paraqitja e deputetëve për të dalë në pension, mund të duket si veprim i zakonshëm “moshor”, por në fakt është një “ngjarje e madhe ligjore”. Pse? Për herë të parë në këto 27 vite, po dëgjojmë që dalin deputetë në pension, mbasi ata kanë dalë nga parlamenti kur janë ndarë nga jeta, kur kanë përfunduar në burg, kur janë përzënë nga kryetari i partisë, ose kur kanë janë zgjedhur në detyra të tjera! 
“Telegraf” ka denoncuar shkeljen e ligjit
Gazeta “Telegraf”, nëpërmjet shpjegimit ligjor të ekspertit Fadil Kepi, ka denoncuar faktin që vetë ligjvënësit (deputetët), nuk zbatojnë ligjin e daljes në pension dhe që institucioni përkatës (Kuvendi), nuk u ndërpret marrëdhëniet e punës (mandatin), kur ta plotësojnë moshën për të dalë në pension! Në parlament, ka akoma një listë deputetësh që e kanë kaluar moshën e daljes së detyrueshme në pension me 2 deri në 9 vite dhe as nuk dalin e as nuk nxirren në pension, sipas ligjit që kanë miratuar vetë. Ndërsa punonjësve të administratës, dalja në pension u kujtohet 3 muaj para dhe u ndërpritet marrëdhënia e punës! Gjithsesi, provën e parë të zbatimit të ligjit për daljen në pension të deputetëve e dhanë 42 deputetët që pas 20-27 vitesh deputetë, kanë trokitur këto ditë në zyrat e ISSH, duke nisur kështu edhe dhënien fund të fenomenit të “deputetë-bajraktarëve” të zonave! 
Për vete pensione milionëshe, për popullin “thërrime”
Pas rritjes në dhjetor 2014, të pagave e shpërblimeve të tyre mujore deri në 3.4 milionë lekë, deputetët majtas e djathtas, në “mirëkuptim dhe pa asnjë debat” publik në parlament, në datën 26 mars 2015 kanë miratuar Ligjin Nr. 27/2015, për rritjen e pensioneve milionëshe të pleqërisë vetëm për veten e tyre, duke i caktuar mbi… 1 milionë lekë, madje “udhëheqësit” e lartë të shtetit t’i kenë pensionet deri në 1500 dollarë në muaj, ose sa 16 pensione invaliditeti e sa 15 mesatare pleqërie që u jepen popullit! Pensione mbi 1 milionë lekë në muaj, sipas Ligjit Nr. 27/2015, datë 26 mars 2015, përveç deputetëve dje shtetarëve të lartë përfitojnë dhe vartësit e tyre si shefa kabineti, sekretarë të përgjithshëm, këshilltarë, prefektë etj., mjafton të kenë deri në 2 vjet në këto funksione! Përfitojnë pensione deri në 1 milion e mbi 1 milionë lekë, të gjithë ata që kanë qenë shtetarë qysh prej vitit 1991, mjafton të kenë qenë 2 vjet në poste, por edhe pasi nuk janë në detyrë, përfitojnë aq paga shtesë, sa muaj kanë qenë në funksione! 

Sigal