“Për Tahirin, procedimi u regjistrua më 27 tetor në Katania”

575
Gazetari investigative, Artan Hoxha, ka publikuar një koment në rrjetet sociale, duke theksuar, se më 27 tetor, pra gati një muaj e gjysmë më parë, Prokuroria e Katanias ka filluar hetimet, ndaj ish-ministrit të Brendshëm shqiptar, Saimir Tahiri. Procedimi në Itali është bërë pas kërkesës së prokurores Rovena Gashi, si dhe takimit mes prokurorëve të Katanias dhe atyre të Krimeve të Rënda të Shqipërisë. Hoxha shkruan se tani së paku do të ketë një hetim të paanshëm dhe të pa politizuar që do të na thotë të vërtetën. “Më në fund të vërtetën se si do të rezultojë Saimir Tahiri nga çështja ‘Habilaj’, do e marrim vesh nga prokuroria e Katanias… Në datë 27 tetor 2017, prokuroria e Katanias ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Fiks 10 ditë pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte regjistruar procedimin nr. 431 në ngarkim të Tahirit në Tiranë më 17 tetor 2017 nisur nga artikujt në median italiane dhe shqiptare”, u shpreh Hoxha. Sipas tij, “procedimi në Itali është bërë pas kërkesës së prokurores Rovena Gashi, drejtoresha e Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme. “Gashi ka dërguar si material shtesë edhe deklarimet publike të ish-oficerit të antidrogës, Dritan Zagani. Më datë 27 tetor në Katania ka udhëtuar kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmata dhe prokurori Genti Osmani. Ata kanë qëndruar për 3 ditë në Katania për të shkëmbyer informacion dhe për të tërhequr dosjen Habilaj. Ish-ministri Tahiri kishte siguruar në datë 20 tetor 2017 një vërtetim nga prokuroria e Katanias, se ndaj tij nuk kishte procedim penal. Por një javë më pas prokuroria italiane nisi regjistroi procedimin ndaj tij”, nënvizon Hoxha. Sipas gazetarit, “tani së paku kemi një hetim të paanshëm dhe të pa politizuar që do na thotë të vërtetën”.
Faktet e reja nga përgjimet
Janë publikuar detaje të reja nga dosja 1800 faqe e prokurorisë së Katanias lidhur me hetimin e grupit kriminal të njohur si Habilaj, ku flitet edhe për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Dosja hetimore është e ndarë në 4 kapituj dhe në të ka raporte të shërbimit nga oficerët e “Guardia di Finanza”, përgjime dhe dokumente të mbledhura gjatë hetimit. Në fashikullin e përgjimeve, ka vetëm 3 përgjime ku përmendet emri Saimir. Në njërin nga fashikujt, prokuroria e Katanias bën atë që e cilëson si puqja ndërmjet grupit të Habilajve dhe Tahirit. Ky kapitull mban emrin “Puqja ndërmjet grupit shqiptar të drejtuar nga Moisi HABILAJ dhe Florian HABILAJ dhe Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë, Saimir TAHIRI”. Aty flitet edhe për targat e makinës që përdornin Habilajt dhe për dhurata të shtrenjta për bashkëshorten e ish-ministrit. 
Sigal