Për gazetën “Telegraf” Marko Bello, ish-ministër i PS-së: Qeverinë e konsiderojnë si klub shokësh e miqsh për të bërë plaçkë dhe qytetarët një turmë që duhet sunduar

651
Sigal

Qëkurse vendosi t’i propozonte Presidentit veten e tij si Ministër i Jashtëm, Kryeministri Edi Rama e bëri të qartë se ai do të ishte përkohësisht “de jure” shefi i diplomacisë, deri sa të konstituohej Gjykata Kushtetuese, duke nënkuptuar se “de facto”, Ministër i Evropës dhe Çështjeve të Jashtme do të ishte zëvendësministri Genti Cakaj, të cilin Presidenti kishte refuzuar ta dekretonte si ministër të Jashtëm. Kështu që akti i sotëm ishte thjesht konfirmimi i asaj që kreu i qeverisë kishte njoftuar disa ditë më parë. Përtej debatit ligjor mbi kushtetueshmërinë ose jo të këtij veprimi, ajo që mbetet të diskutohet lidhet sa me aspektin politik, aq edhe me seriozitetin e politikanëve shqiptarë në përgjithësi, dhe kryeministrit aktual në veçanti. Ky rast demonstron se kreu i qeverisë shqiptare e ka realisht të pamundur që të kuptojë se me interesat e vendit dhe dinjitetin e shtetit nuk mund të luhet. Ndryshe, nuk mund të shpjegohet insistimi i tij për të eksperimentuar me drejtimin e diplomacisë në prag të sfidave të rëndësishme për të dhe vendin. Gjithsesi, përtej çdo argumenti pro dhe kundër këtij veprimi, mendoj se është e udhës të risjell në vëmendjen e lexuesit të nderuar të gazetës “Telegraf” shprehjen e famshme të filozofit francez të shekullit XVIII, Eduart de Maistre se “çdo popull ka qeverinë që ai meriton”. Sa kohë shumica e shqiptarëve do të votojnë dhe tolerojnë politikanët që veprojnë ndryshe nga sa premtojnë, që shfrytëzojnë autoritetin publik për qëllime private, që ndajnë pronën publike më lehtë sesa pasurinë e tyre, që qeverinë e konsiderojnë si klub shokësh e miqsh për të bërë plaçkë dhe qytetarët-votues një turmë që duhet sunduar dhe jo qeverisur, ne do të kemi qeverinë që meritojmë.Nëse shqiptarët nuk do të kthjellohen dhe kuptojnë se sovraniteti i popullit ka kaluar praktikisht në duart e një njeriu të vetëm, ata do ta kenë të pamundur të bëjnë ndryshimin e madh dhe të ndalin rrëshqitjen e vendit drejt një regjimi autokratik me pasoja të frikshme për të ardhmen e fëmijëve të tyre.