Për çfarë arsyesh u afruan te Rilindja personat me rekorde kriminale

366

Jakup B. GJOÇA

Kryeministri për deputetët socialistë të dënuar për krime: “Unë kam qëndruar strikt dhe nuk i heq asnjë presje nga ajo që kam thënë”

Edi Rama ka dhënë një intervistë për gazetën austriake “Kurier”, në të cilën, ndër të tjera është shprehur: “…Tani (evropianët) na thonë që duhet të bëjmë më shumë për të luftuar krimin e korrupsionin. A ka mënyrë më të mirë për të bërë këtë se të ndërtosh një sistem drejtësie plotësisht të ri? Në Shqipëri nuk ka qenë problem që të arrestohen njerëzit, por që të dënohen…”.

Reforma e Ramës ka paralizuar Gjyqësorin.

Kryeministri mburret se ka krijuar një sistem të ri drejtësie, e cila tashmë do të gjykojë njerëzit me probleme, të cilët nuk dënoheshin deri më tani. Por në fakt, sistemi i drejtësisë, i cili po ndryshohet sipas “Reformës në Drejtësi” është në kolaps. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë janë jashtë funksionimit. Prokuroria e Përgjithshme drejtohet nga një prokurore e Përkohshme, e cila deri tani bën vetëm shkarkime dhe emëron prokurorë, pa marrë mendimin e asnjë organi zgjedhor të Prokurorisë dhe, sipas cilësimit të opozitës, është “kamikaze e kryeministrit”. Gjyqtarët dhe prokurorët janë nën presionin e Vetingut, një proces që po realizohet nga njerëz të zgjedhur nga qeveria e Edi Ramës.

Deputetë dhe kryebashkiakët e Ramës, të dënuar për krime

Edhe pse, shumë deputetë dhe kryebashkiakë socialistë u larguan nga Parlamenti dhe bashkia, për rekorde kriminale, kryeministri pohon se, jo vetëm nuk ndjen përgjegjësi politike, por edhe thotë se do të bënte të njëjtën gjë për ata, domethënë, do t’u besojë sërish atyre personave. “Unë kam qëndruar strikt dhe nuk i heq asnjë presje nga ajo që kam thënë” – është përgjigjur kryeministri i pyetur për gjithë ministrat e kryebashkiakët që ka emëruar, e më pas kanë dalë të lidhur me krimin.

Sipas opozitës, një kompani e gruas së kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini është nën hetim për përfshirje në trafikun e drogë

Me sa duket, Kryeministri Rama vazhdon të mbrojë me këmbëngulje të besuarit e tij, pavarësisht të gjithë skandaleve të ndodhura dhe fakteve të zbuluara që tregojnë të shkuarën e tyre kriminale. Sot të besuarit e Kryeministri ndodhen në:

Sipas exit.al, një kompani e gruas së kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini është nën hetim për përfshirje në trafikun e drogës, ndërkohë që vetë Zoti Sejdini është nën verifikime nga prokuroria, në kuadër të veprimtarive kriminale të disa grupeve të organizuara në zonën e Elbasanit.

Ish-ministri Saimir Tahiri ndodhet në arrest shtëpiak. Ai është duke u hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për bashkëpunim në trafikun e drogës në kuadër të një organizate kriminale. Gjithashtu, një sërë ish-drejtues të lartë të Policisë së Shtetit janë nën hetim për përfshirje në trafikun e drogës.

Ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi është nën hetim për shkelje të ligjit të dekriminalizimit, dhe së bashku me ish-kryetarin socialist të Kavajës Gentian Daja janë pjesë e hetimeve për përvetësim të paligjshëm pronash në bregdet.

Armando Prenga, deputet i PS, dorëzoi mandatin në shkurt 2017-s, pasi prokuroria kishte kërkuar heqjen e mandatit në bazë të ligjit të dekriminalizmit për mos deklarimin e precedentë të mëparshëm penal.