Pensioni i minatorëve, Veliaj: Hera e I që të gjitha sindikatat dhanë OK

547
Sigal

TIRANË – Kuvendi i Shqipërisë, pritet të miratojë ditën e sotme projektligjin për pensionin e minatorëve, nga i cili pritet që 3840 minatorë, të përftojnë ulje me 5 vjet të moshës së pensionit, nga 60 në 55 vjeç si dhe rritje të pensionit të tyre.

Kuvendi futi në rendin e ditës edhe zgjedhjen e kreut të ri të Autoritetit të Mediave Audiovizive. Në fillim seancës, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi kërkoi që zgjedhja e kreut të ri të AMA-s, të futet në rend dite, propozim ky i aprovuar nga deputetët.

Ndërkohë në fjalën e tij, Ministri i Mirëqënies Sociale Erion Veliaj, teksa shprehu rëndësinë e këtij projektligji, tha se ky është rasti i parë që të gjitha sindikatat kanë rënë në një mendje për domosdoshmërinë e këtij ndryshimi.

Ministri nënvizoi faktin se të gjitha sindikatat e minatorëve gjatë konsultimit të projektligjit, kanë dhënë dakordësinë e tyre, si rasti i parë sipas tij që të gjitha sindikatat e punëtorëve bien në një mendje për një projektligj. Veliaj u shpreh se rishikimi i ligjit për pensionin e minatorëve vjen pas 13 vitesh.

“Ne jemi një koalicion që mbështesim ata që punojnë, të drejtat e punëtorëve, të drejtat e tyre elektorale, ndaj sot do të miratojmë vendimin e atyre që kanë bërë shpesh herë peticion për të drejtat e tyre. Hera e fundit që është adresuar e drejta e minatorëve, ka qenë po nga socialistët në vitin 2001. Është një privilegj që ky problem adresohet sërish nga socialistët. Ne si koalicion jemi të vetëdijshëm për punën e vështirë të minatorëve, për sëmundjet e rënda. Jetëgjatësia e tyre është nën mesataren e të gjithë kategorive të tyre. nisur nga kjo sindikata e minatorëve kanë kërkuar uljen e moshës së minatorëve. Ne e dimë që shumica e sindikatave kanë ndarje politike. Por ky është i vetmi rast, ku sindikatat nuk bien dakord për asgjë, me në krye Gëzim Kalanë, dhe të gjitha sindikatat individuale, kanë qenë dakord me këtë projektligj. Sigurisht mazhoranca e kaluar nuk e kishte mbledhur këshillin e punës, në 8 vjet, por ne e mblodhëm 8 herë brenda vitit. Dua ta falenderoj Gëzim Kalanë, jemi kundërshtar në shumë
prej bindjesh, por në këtë rast kemi qenë në një mendje.” tha Veliaj


Veliaj: Rritje me 75% të pensionit të minatorëve
Më tej, Ministri Veliaj u shpreh se nga ky projektligj, përftojnë rritje të pensionit edhe 75% e minatorëve. Veliaj hodhi poshtë akuzat e opozitës, duke u shprehur se projektligji në fjalë sjell jo vetëm ulje me 5 vjet të moshës së daljes në pension të minatorëve por edhe rritje të pensionit të tyre në 14 470 lekë.

“Ky është një shërbim i mirë për popullin tonë dhe për 3840 minatorë. Opozita kishte një pretendim për 150 minatorë. Nga ky projektligj, 3840 minatorët përfitojnë uljen me 5 vjet të pensionit, si dhe 75% e tyre rritjen nga 90 mijë lekë që ishte aktualisht në 14 470 lekë. Se me çfarë aritmetike u del kjo shifër më e vogël se pensioni paraardhës nuk e di.” u shpreh Ministri 

RENDI I DITËS
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare, datë 30.10.2014.
2. Projektligji “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera”. 
3. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin 
e shërbimeve mjedisore”. 
4. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim që vepron si 
Agjenci zbatuese për Fondin Global të mjedisit për projektin e shërbimeve mjedisore”. 
5. Interpelancë me Ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës, kërkuar nga deputeti Gledjon Rehovica, për ecurinë e investimeve dhe sinjalistikën rrugore.
6. Përgjigje pyetjeve të deputetit Petrit Vasili nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik,Tregtisë dhe Sipëmarrjes.
7. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.