Pension për ata që kanë mbaruar shkollën e Partsë

1106
Sigal

LIGJI/ Atyre që kanë kryer studimet në Shkollën e Lartë të Partisë “V. I. Lenin”, diploma që kanë fituar, u njihet si diplomë e një shkolle të lartë

 Një letër e një qytetari që po i afrohet moshës së pensionit ka hapur një debat jo të vogël. Debati është ky: A duhet të njihen diplomat e ish-Shkollës së Lartë të Partisë “VladimirIliç Lenin” si diploma të shkollës së lartë për të përfituar pensionin e pleqërisë. Specialisti i mirënjohur i këtyre punëve, Fadil Kepi, që është dhe një bashkëpunëtor shumë i ngushtë dhe I shpeshtë në faqet e gazetës sonë, përgjigjet:Po! U takon ky pension, pasi janë paguar sit ë tillë dhe kanë derdhur sigurimet shoqërore përkatëse. Dhe Fadili nuk flet qesim. Njeriu me një kujtesë fenomenale dhe me një njohje të pakrahasueshme të ligjeve të shtetit, çdo fjalë e ka të argumentuar. Dhe përpara kemi një shkresë zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës me nr. 3170, datë 7 korrik 2003, që mban firmën e Drejtorit Agim Muçaj, ku thuhet shprehimisht:

“Në bazë të legjislacionit të Arsimit të Lartë, Ligjit Nr. 8461, datë 25.02.1999 “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, personave që kanë përfunduar studimet e larta në Shkollën e Lartë të Partisë “V. I. Lenin”, diploma që kanë fituar, u njihet si diplomë e një shkolle të lartë”.

Pra kemi të bëjmë me një argumentim të mbështetur tërësisht në ligjet e shtetit. Vendimi ka dalë kur në pushtet socialistët, por ai vazhdon të jetë në fuqi edhe tani që janë demokratët. “Zbulimi” i këtij fakti ka ngjallur reagimin e menjëhershëm të shtresës së ish-të përndjekurve, të cilët mendojnë se kjo është një padrejtësi që u bëhet, pasi kanë mbi 20 vjet që presin dëmshpërblimin për vuajtjet e tyre gjatë kohës së diktaturës. Madje ka nga ata që mendojnë se “studentët e Leninit” vazhdojnë të drejtojnë në këtë vend dhe ky është tërësisht një paradoks shqiptar. Një ithtar i regjimit komunist, sikurse është Muharrem Xhafa, njohjen e këtyre diplomave e quan një gjë normale dhe për këtë sjell argumentet e veta.  Por të tjerë si: Daut Gumeni, Besim Ndregjoni, Uran Butka e Kurt Kola mendojnë krejtësisht të kundërtën. Ata e quajnë këtë një absurditet të kohës, diskriminim dhe një padrejtësi që bëhet nga pushtetarët e sotëm dhe politika aktuale.

Një pyetje për specialistin Fadil Kepi

Pyetjes së një qytetari nga Librazhdi që shkruan se: këtë vit plotësoj moshën 60 vjeç. Në vitet 1978-1980 kam vazhduar ish shkollën e lartë të partisë me rrogë 680 lekë në muaj, duke paguar rregullisht kontributet e sigurimeve shoqërore. Pyes, në cilën moshë përfitoj pension, sa vite pune të siguruara duhen gjithsej dhe a përfshihen kjo periudhë dyvjeçare që kam qenë në shkollë, kohë pune për pension ?

Zoti Fadil Kepi i përgjigjet:

Ju do të përfitoni pension të plotë në moshën 65 vjeç, nëse do të keni 35 vjet punë të siguruara përfshi: kohën që keni qenë ushtar, periudhën që keni vazhduar shkollën e mësipërme por jeni paguar me rrogë dhe keni paguar kontributet e sigurimeve shoqërore, vitet e siguruara si bujk, sigurimet vullnetare, etj. Për shembull, në Moshën 65 vjeç, po të keni 34 vjet punë të siguruara gjithsej, do të merrni pension të pjesshëm në masën 97 për qind të pensionit të plotë që llogaritet duke pjesëtuar 34 vjet punë me 35.

 Flasin për “Telegraf”

 Besim Ndregjoni, ish-i përndjekur politik

Ky është një nga absurditetet dhe anormalitet që ne përjetojmë në Shqipëri. Kjo është një fatkeqësi kombëtare! Si mund të vazhdojnë të shpërblehen ish-persekutorët e diktaturës dhe ish-të përndjekurit politikë të vazhdojnë të nëpërkëmben kaq paturpësisht për dëmshpërblimet.Por këta që drejtojnë sot politikën e Shqipërisë nuk janë aspak demokratë, por banditë të demokracisë. Prandaj dhe sikurse theksonte para pak ditësh Freedom House, demokracia në Shqipëri është vazhdimisht në rënie dhe ne po i afrohemi një diktature të re. Është fakt i pamohueshëm se Shkolla e Partisë dhe ish-studentët e asaj shkolle po drejtojnë sot Shqipërinë. Ilustrimi më i qartë për këtë është qëndrimi që u mbajt ndaj grevës së ish-të përndjekurve politikë.

 Daut Gumeni, publicist, ish i përndjekur

Nuk më çudit ky fakt. Përkundrazi, e kundërta do të më çudiste. Sepse edhe sot e kësaj dite vazhdon të drejtojë punët e këtij vendi ish-drejtoresha e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste. Ato veprat me kapakë të kuq vazhdojnë të frymëzojnë ata që kanë sot çelësat e pushtetit në duar. Vetë brigadieri i pushtetit të sotëm, pra Kryeministri i vendit, ka mbaruar në mënyrë autodidakte shkollën e partisë me emrin e Leninit. Përpara këtij fakti, ish-të përndjekurit politikë e kanë të kotë që shpresojnë të dëmshpërblehen për vuajtjet e tyre.

 Muharrem Xhafa, Sekretar i Parë i KQ të PPSH

Unë mendoj se vendimi është i drejtë. E them këtë pasi kjo shkollë ka funksionuar për disa dekada, ajo është hapur pas çlirimit, saktësisht më 8 Nëntor 1945 dhe aty janë formuar mijëra kuadro nga i gjithë vendi. Shkolla ka funksionuar në dy nivele: të mesëm në fillim dhe të lartë më vonë, pas vitit 1966. Por duhet të kemi parasysh faktin që 70-80 për qind e atyre që mbaronin këtë shkollë,kishin mbaruar një shkollë tjetër të lartë, dhe aty merrnin formimin politik, për filozofinë, ekonominë politike, luftën kundër revizionizmit etj. Ata që kanë ushtruar më pas profesionin në bazë të kësaj diplome, duhet t’u njihet si diplomë e shkollës së lartë. Kjo mua më duket normale dhe për këtë nuk duhet të ketë keqkuptime.

 Kurt Kola, ish i përndjekur politik

Kjo është pjesë e lojës dhe strategjisë komuniste. Pasi sot më servilët janë ish anëtarët e Partisë së Punës dhe më të përndjekurit mbeten të përndjekurit dhe ish pronarët. Ndaj komisarët politikë mbeten njerëzit që menaxhojnë shtetin në kohën e demokracisë.

 Uran Butka, ish-ipërndjekur dhe ish-deputet i PD-së

Kjo nuk është normale as nga pikëpamja institucionale dhe as nga pikëpamja programore. Kemi të bëjmë me dy sisteme të kundërta dhe është krejtësisht e padrejtë dhe absurde njohja e këtyre diplomave. Gjatë kohës së diktaturës kudo që kam qenë kam njohur shumë nga këta persona që pas shkollës 7-vjeçare kishin mbaruar atë që quhej shkollë e lart e partisë dhe ishin sekretarë byroje dhe kryetarë kooperativash. Ata ishin tërësisht tëindoktrinuar dhe ishin instrumente të diktaturës. Ata I kanë bërë një dëm shumë të madh vendit dhe shoqërisë. Ndërsa që të vazhdojë të jetë në fuqi edhe sot e kësaj dite një ligj i tillë më duket sa e çuditshme aq dhe absurde.