Pendohen teknikët, nuk e lëshojnë karrigen e ministrit deri në shtator

411
Zv/kryeministrja Ledina Mandija ka dhënë një tjetër deklaratë për dorëheqjen e ministrave teknikë. Tre ditë pas dorëzimit të detyrës, ata kërkojnë të qëndrojnë ende
Janë gjatë ministra dhe zv/kryeministrja, ata që dorëzuan disa ditë më parë dorëheqjen tek shefi i qeverisë duke kaluar edhe kompetencat tek zv/ministrat. Por dita e djeshme ka sjellë një tjetër deklaratë. Ministrat sipas zv/kryeministres nuk do të largohen nga detyra deri në fillim të shtatorit, kur në karriget e tyre të ulen ministrat e rinj. Pavarësisht raportit të dorëzuar dhe akuzave për vjedhjen e votës, ministrat tashmë do të duhet të qëndrojnë, qoftë edhe formalisht në detyrë. Ata kanë shprehur gatishmërinë për të qenë pranë partisë Demokratike, ndërkohë që rezervat për mënyrën sesi u zhvilluan zgjedhjet dhe për qeverisjen e Edi Ramës, janë të mëdha. Sipas zëvendëskryeministres Ledina Mandija gjashtë ministrat do të mbajnë postet e tyre ashtu siç e parashikon Kushtetuta deri në zëvendësimin nga parlamenti. “Kushtetuta e përcakton qartë që edhe në rastin e dorëheqjes është detyrimi i çdo ministri apo edhe zëvendëskryeministri të qëndrojë në detyrë, derisa të përmbushen kërkesat ligjore, që janë dekreti i Presidentit dhe votimi në parlament. Detyra nuk braktiset në asnjë rast, puna vijon derisa të çlirohemi nga përgjegjësia që e kemi marrë nga votëbesimi në parlament”, u shpreh ajo. Mandija nuk pranon që ajo dhe 6 ministrat teknikë kanë dështuar në misionin e tyre për të garantuar zgjedhjet e lira, pasi sipas saj, me përfshirjen e tyre në qeveri gjatë procesit zgjedhor janë frenuar shumë fenomene që cenonin standardet e zgjedhjeve edhe pse shprehet së janë minimale. “Zv/ kryeministrja e dorëhequr teknike hedh poshtë akuzat e kryeministrit sipas të cilit raporti përmbledhës i të propozuarve të Bashës në qeveri për zgjedhjet, është hartuar pikërisht në zyrën e këtij të fundit. “Fakti që të dhëna apo raportime, apo edhe zhvillime të ndryshme gjatë procesit elektoral mund te mos jenë të pëlqyeshme nga subjekte të ndryshme elektorale, kjo nuk e bën këtë raport të anshëm apo edhe jo legjitim”, u shpreh ajo. Qëndrimin për 3 muaj në postet e tyre, edhe pse marrëveshja politike parashikonte që detyra e tyre përfundonte me përfundimin e zgjedhjeve, Mandija e justifikon me zvarritjen e raporteve monitoruese nga ministri dhe institucionet e tjera. Pavarësisht se shprehet se gjatë mandatit të tyre monitorues në qeveri, u janë vendosur një sërë barrierash, Mandija e cilëson si eksperiencë të vlefshme përfshirjen e ministrave teknikë që sipas saj teknikisht mund të vleje për t’u aplikuar edhe në të ardhmen. Zëvendëskryeministrja e PD në detyrë, Ledina Mandija, deklaroi se ministrat teknikë janë penguar për të realizuar punën e tyre. “Ministrat janë penguar në punën e tyre nga zyrtarë të lartë në hierarkinë shtetërore apo edhe persona të tjerë politikë. Ky konkluzion u arrit jo vetëm në këtë raport, por edhe nga vetë zhvillimet e përditshme që kanë ndodhur gjatë procesit zgjedhor”, theksoi ajo. Sipas zëvendëskryeministres raporti final i task-forcës do të shërbejë për institucionet e drejtësisë. “Task- forca nuk mund të mblidhej më në fund të procesit zgjedhor. Informacionet mendojmë se do të shërbejnë për institucionet e drejtësisë. Unë kam bërë takime me partnerë ndërkombëtarë, dhe u kam dorëzuar raportin në fjalë. Partnerët ndërkombëtarë pas zgjedhjeve kërkuan që të përmblidhen të gjitha informacionet dhe ngjarjet e ndodhura në një raport final. Misioni i ministrave nuk ishte komplet i dështuar, ndoshta ishte i dështuar për të garantuar totalisht një proces të lirë zgjedhor për votuesit” “, theksoi zonja Mandija.
Sigal