Pëllumb Zaimi: Rilindja ide të varfëra, veteranët dhe ushtarakët të braktisur

86
Pëllumb Zaimi, koloneli në lirim, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se qeverisja e Rilindjes udhëhiqet nga pragmatizmi dhe jo nga morali dhe se bën gabime strategjike. Nuk e ka filluar punën nga burimet potenciale, punësimi, edukimi, prodhimi, shkollimi, por e ke filluar nga bishtërat, nga BunkArtet. Zoti Zaimi thotë se Rilindja i ka braktisur veteranët, sepse asnjëherë nuk i ka nderuar dhe nuk i ka vlerësuar. Edhe për 70 vjetorin e Fitores mbi Fashizmin, Rilindja, thotë zoti Zaimi, nuk vlerësoi vlerat antifashiste të popullit shqiptar, sepse, Edi Rama ka shkruar një libër, ku LANÇL e cilëson “luftë civile” dhe ende nuk ka bërë reflektim. Rilindja, shprehet koloneli në lirim Pëllumb Zaimi, nuk e respekton ushtarakun, sepse nuk zbaton statusin e ushtarakut, por ndjek Aktin Normativ të Saliut të 2010. Zoti Zaimi shpreh edhe mendimin se kryeministri ka falsifikuar edhe kushtetutën e PS, statutin e partisë, ku me 2-3 veta ka marrë vendim që të zgjatë mandatin e kryetarit në 6 vjet, kur këtë të drejtë e ka vetëm kongresi i PS, duke e kthyer PS në një parti liderësh dhe jo në një fabrike idesh, dialogu, reflektimi dhe debati. Zoti Zaimi shprehet se as veteranët, as ushtarakët nuk përfaqësohen në pushtetin lokal, sepse Pushteti lokal është bërë me shoqëriçka, me miqësiçka, me vogëlsiçka. 
-Zoti Zaimi, në 2 vjetët e qeverisjes, Rilindja a i ka përmbushur pritshmërinë e elektoratit të saj?
– Si qytetar, si ushtarak them se Rilindja në rrugën e saj është udhëhequr më shumë nga pragmatizmi, sesa nga morali. Qeverisja pragmatiste nuk të çon shumë larg. Një politikë pa moral nuk të çon asgjëkundi. Në këto 2 vjet të qeverisjes “Rilindje” shikoj shumë gabime strategjike dhe siç thotë një mendje e shquar e Njerëzimit, “ Kur ke bërë një gabim në strategji, rrallëherë ju shpëton pasojave”. Ndaj Rilindja tani heq pasojat e gabimeve të saj strategjike. 

– Cilat janë, sipas jush, gabimet strategjike të qeverisjes së Rilindjes?
– Merren më shumë me makiazhin, me shovv, sesa me ato drejtime të zhvillimit të Shqipërisë. Psh, Shqipëria është një vend bujqësor e blegtoral. Këtë e pranojnë të gjithë, që Shqipëria bazën e zhvillimit e ka patur të bujqësia dhe blegtoria. Tani është shtuar dhe turizmi. Më thuaj, a ka ndonjë investim të kapaciteteve strategjike në bujqësi e blegtori? A ka ndonjë bashkim fermerësh, fshati apo grup fshatrash, të krijojnë një fermë moderne dhe t’i financojë shteti? Nuk ka. Edhe në bujqësi, e njëjta gjë. E, këto janë gabime strategjike, sepse Rilindja nuk e fillon punën nga ato asete e drejtime, ku arrihet zhvillimi i Shqipërisë, por fillon nga makiazhi, e fillon nga “BunkArti”, “Shtëpinë me Gjethe”, me “Ishull në lumë”, etj, etj. Kush janë investimet strategjike? Kur nuk ka investime strategjike, krijohen premisa për gabime strategjike. Unë nuk kam parë të thithen idetë e njerëzve të mençur, që vendi ynë i ka potentë dhe me shumicë. Edhe te gazeta “Telegraf” i kam lexuar. Nuk i thërrasin këta njerëz që t’u thithin idetë. Shpallën në fillim “Fabrikë të ideve”, m’u në hyrje të katit të dytë të selisë të PS dhe thanë, që këtu po prodhohen idetë, për zhvillim, për industrinë, për të gjitha fushat. Nuk di që të kenë bërë ndonjë ide nga ajo fabrikë. Ja, makiazhi politik se ç’bën. Thelbi është se qeverisja e Rilindjes nuk ka ide, thelbi është se nuk ka transparencë për të gjitha ato ide që u thanë dhe thuhen nga specialistët. Ku janë mendimet e njerëzve të mençur? Nuk thithet fare mendimi i tyre nga kjo Rilindje. I ka kapur punët nga bishti kjo qeveri. Nuk e ka filluar qeverisjen nga burimet potenciale, punësimi, edukimi, shkollimi, prodhimi, por e ke filluar nga bishtërat, nga BunkArtet…
– Meqë Rilindja bazën e saj elektorale e ka te veteranët, ish ushtarakët, te të varfërit, sa i ka shprehur interesat e tyre te reformat që ka ndërmarë?
– Unë isha pardje si ushtarak në rezervë në një takim elektoral me kandidatin për kryebashkiak të Tiranës, Erion Veliaj. Ai foli shumë mirë për veteranët, për ushtarakët, për pasardhësit e tyre, për vlerat antifashiste të popullit tonë, të cilat janë edhe vlera europiane, por nuk kanë funksionuar nga Rilindja, mekanizmat sesi ti (nuk) i çmon dhe (nuk) i realizon në praktikë këto vlera antifashiste, sesi ti i çmon në praktikë këta veteranë, sesi ti i çmon në praktikë këta pasardhës, këta ushtarakë, si i vlerëson konkretisht. Sepse praktikisht, deri sot nga Rilindja nuk është bërë asgjë. Nuk është shfuqizuar vendimi antiushtarak i marrë nga qeveria e Saliut në muajt e dëbimit, kështu i quaj unë, ato 2 muaj që qeverisi pas 23 qershorit 2013. Nuk është marrë asnjë vendim që të dëbojë nga SHQUP-i PD-në, sepse është partia më antiushtarake, më antikombëtare në historinë e Shqipërisë. Nuk i takon PD-së Shtëpia e Oficerëve , e cila ka qënë shtëpi e Gaqo Avrazit, kompozoitorit të shquar, ka qënë shtëpia ku janë kompozuar e kënduar këngët e famshme partizane e marshet ushtarake, aty janë varrosur dëshmorët e heronjtë me nderime të veçanta ushtarake. Si ja jep ti një partie që nuk i respekton dëshmorët? Që nuk respekton vlerat antifashiste të popullit tonë? Që nuk respekton monumentet, qëndrat historike të LANÇL? Që nuk respekton LANÇL, por që tenton ta quaj luftë civile? Ti ia jep Shtëpinë e Oficerëve atyre që i ranë me top ushtrisë dhe e katandisën sot ushtrinë në hiç. Ky është një paradoks i paparë, është një turp i paparë. 
– Sa e respekton qeveria e Rilindjes statusin e ushtarakëve?
– Statusi i ushtarakut i miratuar në mars 2004, me votat thuajse 100 të Parlamentit, nuk është vënë në asnjë rresht në zbatim. Sot komuniteti i ushtarakëve është 342. 000 vetë të të gjithë brezave. Kë mashtron ti, kryeministër? Nuk ke bërë asgjë për ushtarakët! Nuk ke çfuqizuar Aktin Normativ antiushtarak të Saliut, të miratuar në dhjetor 2010. More një ushtarak dhe the që ky merr 342.000 lekë, kur të tjerët marrin 135.000 lekë pension. Pse gënjen kështu, mor zotëri,e thua se 342.000 lekë marrin të gjithë ushtarakët, se gjete, fjala vjen, një kolonel? Me këto forma përpiqen të mbulojnë boshllkëqet që kanë për ushtarakët, kur ndërkohë nuk kanë zbatuar as detyrimet që kanë për ne, edhe për ato detyrime që nuk duan shpenzime financiare. Unë, si ushtarak në lirim, kur vete në një festë ushtarake, kam të drejtë që të kem uniformën ushtarake, kam të drejtë të shkoj për mjekim falas, kam të drejtë lehtësim taksash dhe tatime, kam të drejtën për strehim, etj. Asgjë nuk është bërë për këto. U zhduk punëtoria ushtarake dhe nuk kemi ku të bëjmë një uniformë ushtarake, sipas statusit të ushtarakut, edhe pse e bëjmë me paratë tona, për të dalë në një ceremoni shtetërore. Në SHBA takohet Obama 1 herë në 2 muaj me veteranët e Luftës e të ushtrisë, kurse Mimi Kodheli nuk i takon kurrë. Mimi Kodheli, ministrja e Mbrojtjes, nuk pret kurrë shoqatat e ushtarakëve, përfaqësuesit e tyre juridikë, u ka mbyllur derën e Ministrisë së Mbrojtjes, pale që të pretendojmë të na trajtojë financiarisht. Kryeministri nxorri një ushtarak për shovv, dhe tha se iu bën të gjithë ushtarakëve 342.000 lekë. Me cilin ligj, zoti kryeministër, e bëre pensionin e ushtarakëve 342.000 lekë? Qeveria nuk ka nxjerrë ligje, nuk ke futur në veprim statusin e ushtarakut. Domethënë, ti, kryeministër, mburresh që zbaton ligjin e Saliut, Aktin Normativ antiushtarak të Saliut? Atëhere, si ia rrite ushtarakut pensionin në 342.000 lekë? Mashtrojnë, ta themi më shqip! Për ushtarakët, për veteranët, nuk kanë bërë asgjë! Asgjë!
– Pse jeni kaq kategorikisht që edhe Rilindja nuk ka bërë asgjë për veteranët dhe ushtarakët?
– Çfarë ka bërë (Rilindja) për 70 vjetorin e çlirimit të Atdheut? U shpik BunkArti për të anashkaluar 70 –vjetorin e Antifashizmit. Unë kam parë italianët, kur vajti presidenti Napolitano në 70 – vjetorin e Fitores mbi Fashizmin, para një muaji. Të kishte lezet shpirti të shikoje 70 – vjetorin me nderimet e veçanta të shtetit Italian. Presidenti Napolitano takoi me nderim dhe respekt të madh të gjithë veteranët, u përqafua me ata, këndoi me veteranët. Ti, kryeministër i Rilindjes, çfarë bërë për këtë 70 – vjetor të Fitores mbi Fashizmin? Një vendim qeverie, që ta propozoi LSI dhe nuk doli kurrë. Këta veteranë të LANÇL sa kanë mbetur gjallë? 300, ta themi. Çfarë të kushtoi, ty kryeministër, t’u jepje nga një shpërblim? Neve ushtarakëve të na kishe thënë, që na jep nga 10.000 lekë dhe të shpërblejmë veteranët, me siguri shuma do ishte astronomike dhe do t’jua jepnim. Asnjë shpërblim, asnjë dekorim, nuk u dhe veteranëve të LANÇL, përkundrazi, i prite në një mbledhje në kryeministri, veteranët me të përndjekurit. Është absurde kjo. Është e turpshme. Nuk shkon, që veteranët dhe ish të përndjekurit t’i bënte bashkë kryeministri, nga ana morale. Ti kryeministër nuk ke një përfaqësues të veteranëve dhe të ushtarakëve në rezërvë dhe në pension, në pushtetin qëndror, qoftë edhe si këshilltar. Administrata amerikane është plot me ushtarakë në rezervë dhe pension. 
– Sa janë të përfaqësuar tani në listat e këshilltarëve për në bashkitë, veteranët dhe ushtarakët?
– Unë, koloneli në rezervë, dhe flas për gjithë kolegët e mi, nuk e ndjej veten të përfaqësuar në asnjë shkallë të pushtetit qëndror dhe vendor. Kush i përfaqëson vlerat antifashiste? Ke ndonjë përfaqësues të veteranëve në pushtetin lokal? Pse, të duket i vjetër ty? Mund të jetë i vjetër në moshë, por është i ri në mendime. I njeh problemet e veteranëve më mirë se 100 inspektorët e tu. Po vlerat antifashiste, kush i përfaqëson në pushtetin lokal? Që të kujdeset për monumentet, për dëshmorët, për ngjarjet historike, etj?! Mua, si pasardhës të veteranëve kush më përfaqëson? Po mua, si ushtarak, kush më përfaqëson? Vetëm në Tiranë janë 263.000 elektorati i ushtarakëve i të gjitha brezave. Kush i përfaqëson këta ushtarakë? Asnjë. Pushteti lokal është bërë me shoqëriçka, me miqësiçka, me vogëlsiçka. Asnjë komunitet i madh nuk ka përfaqësuesin e vet në pushtetin lokal. 
– Thuhet se kandidatët për këshilltarë në këshillat bashkiake janë përfaqësues të partisë?
– Këta këshilltarë nuk duhen ngatërruar me forumet partiake. Partia duhet të shërbejë si qëndër e rrahjes së mendimeve. Ndryshe, partia është një organizëm i vdekur. Partia nuk përbëhet e përfaqësohet vetëm nga liderët. Partia është vendi ku rrihen idetë, dialogohen idetë, prodhohen idetë, propozohen idetë. Nuk kemi parë të funksionojë partia. Mblidhet qeveria, merr vendim qeveria. Si rrihen problemet në parti? Unë kam 5 vjet që nuk shikoj një mbledhje partie të PS. Mblidhet kryesia e PS 3 minuta. Partia është organizëm politik, fabrikon ide politike, ia jep qeverisë për zbatim. Edi Rama e ka kthyer partinë në hiç, se vendos ti si lidership në emër të partisë. Ndryshojnë statusin e partisë, 2, 3, apo 4 veta dhe e bëjnë mandatin e kryetarit nga 4 në 6 vjet. Ndryshimet e statutit të partisë, e bën kongresi, e propozon Asambleja Kombëtare, sepse statuti është Kushtetuta e partisë. Kur ti kryetar, e rrëzon me 2-3 veta, e falsifikon statutin e partisë. Faktikisht, statusi i PS është i falsifikuar nga kryeministri. Ku ke ti të drejtë ta bësh mandatin e kryetarit të PS në 6 vjet? Këtë të drejtë e ka vetëm kongresi i PS. Po kthehen partitë e majta në parti liderësh. Kjo është shumë e rrezikshme. Jo vetëm “Një anëtar, një votë, por një anëtar një mendim duhet”. Lideri rrëmben të gjitha kompetencat dhe pastaj, partia nuk funksionon fare. Ben Blushi, për mua, me kritikat e tij ndaj Rilindjes, ka shumë të drejtë. 
– Ju besoni që premtimet e kandidatëve për kryebashkiakë, janë të mundshme t’i realizojnë?
– Ndjesia ime është që premtimi më i madh që na bëjnë është joshja. Na joshin përpara fushatës elektorale. Mbaron fushata, ndërpritet shiriti i premtimeve dhe na harrojnë, edhe neve, edhe ato që na thanë që gjoja do bëjnë për ne. 
– Kjo qeveri ka shpërblyer materialisht shumë here ish të përndjekurit e ish të dënuarit politikë, por asnjëherë veteranët e LANÇL. Madje, kryeministri Rama është shprehur se veteranët nuk duan shpërblim material. Për ju, a është e drejtë?
– Veteranët dhe ushtarakët janë idealistë dhe këta (Rilindja) kanë shfrytëzuar këtë, duke thënë që veteranët e ushtarakët e mbështetin të Majtën pa kushte. Dhe ata (Rilindja) thonë si pragmatistë: Hë, mo se këta, për ne do votojnë! Por ky është diferencimi më i ndyrë. Ky është diskriminim në raport me të përndjekurit. Mirë bëre që u dhe ish të përndjekurve. Por ti, kryeministër, nuk u ke dhënë ushtarakëve ligjin e statusin, pa pritur më për shpërblime. Po, pse gjithë veteranët, Vito Kapo i përfaqëson? Ajo ka merita, po nuk është Vito Kapo gjithë LANÇL, zotëri. Po ti të thërrisje në kryeministri veteranët që ende janë gjallë, e t’u jepje dekoratë për 70 – vjetorin e çlirimit. Në pushtetin qëndror dhe lokal veteranët e ushtarakët nuk janë të përfaqësuar, shpërblime nuk u ke dhënë, njohje meritash nuk ke bërë. 
– Sipas jush, përse kjo mosmirënjohje e Rilindjes ndaj veteranëve?
– Sepse Edi Rama, ka bërë dikur një libër dhe e ka cilësuar të bardhën mbi të zezë e LANÇL si luftë civile. Dhe unë nuk kam parë, deri më sot, një reflektim nga Edi Rama, për këtë vlerësim politik të tij ndaj LANÇL. Të bëjë autokritikë. Të pohojë, që nuk u qëndron më këtyre pikëpamjeve mbi vlerësimin ndaj LANÇL. 
Një nga premtimet e mëdha elektorale të Rilindjes në 2013 do t’ rikthente ushtarakëve Spitalin Ushtarak dhe SHQUP. Ju si e cilësoni këto premtime të pambajtura?
– Më përpara ne ushtarakët në Spitalin Ushtarak bënim çdo 6 muaj bënim kontroll total të shëndetit tonë. Pse, dje në diktaturë kishim nevojë për shërbim shëndetësor, tani në demokraci, ne ushtarakët nuk kemi nevojë?! Jemi 340.000 ushtarakë të të gjithë brezave, me sëmundje të shkaktuara për shkak të detyrës, nuk paskemi nevojë për shtrim e kurim? E kanë bërë Spitalin Ushtarak copa-copa, ia kanë dhënë amerikanit, turkut, anglezit, kinezit, neozilandezit, etj. Dhe përreth tij janë dhjetëra klinika private, që çuditërisht i kanë ish mjekët e Spitalit Ushtarak. Qendrën e Shërbimit Social Ushtarak çfarë e bëtë? Nuk ka transparencë. Kur në NATO transparenca e buxhetit ushtarak bëhet e ditur, debatohet dhe publikohet, këtu te ne nuk marrim vesh ku shkojnë pronat e ushtrisë. Pastaj, pas shitjes së objekteve e pronave të ushtrisë, ku kanë shkuar paratë? Shkuan për modernizim të ushtrisë, apo për buzëkuqin e Mimit, për manikyr-pedikyrin e ministres së Mbrojtjes? 
– Sipas jush, përse u shkarkua zvministri i Mbrojtjes Dritan Hila?
– Mënyra se si u kalua në heshtje, mua m’u krijuan dyshime. Pastaj u interesova dhe mora vesh të vërtetën nga njerëz shumë të besuar pranë ministres. Dorëheqja e Hilës erdhi sepse ai ka qënë në kundërshtim me politikat ushtarake të Mimi Kodhelit, me kompetencat funksionale që ka lidershipi I Ministrisë së Mbrojtjes. Deri tani ministra e Mbrojtjes Mimi Kodheli nuk ka asnjë politikë ushtarake të hartuar nga ajo dhe stafi i saj. Ministrja e Mbrojtjes nuk merret me politikat ushtarake, por merret me të tjera gjera anësore. Mimi Kodheli ka prishur Kolegjin e Mbrojtjes. Çfarë strategjie ka deleguar Mimi për Shtabin e Përgjithshëm? Strategjinë e Forcave Detare? Strategjinë e Forcave Ajrore? Strategjinë e Forcave Tokësore? Unë nuk kam dëgjuar asgjë.