Peleshi: Reforma Territoriale do të trnasformojë gjithë zonën e Tropojës

462
Sigal

TROPOJE – Zëvendëskryeministri Niko Peleshi ishte sot në zonën turistike të Valbonës në Tropojë, ku inspektoi punimet në rrugën Bajram Curri – Valbonë, ndërsa më pas bëri një ndalesë edhe në Qendrën e Zhvillimit të Turizmit në Valbonë. Ai bisedoi me banorë dhe drejtues lokalë për perspektivën e zhvillimit të zonës, ku shprehu bindjen se reforma Territoriale por edhe filozofia e zhvillimit të qeverisë shqiptare do ta transformojnë zonën e Tropojës. “Është një rrugë shumë e rëndësishme që i jep një frymëmarrje të madhe një zone  turistike që është zhvilluar me forcat e veta, dhe këtë duhet ta themi. Ne jemi të bindur që ndryshimet e fundit, pra Reforma Territoriale Administrative nga njëra anë, por edhe filozofia e qeverisë së re shqiptare për të mbështetur lokalitetet tona dhe bashkitë tona të reja do ta transformojë zonën.  Plani yne për zonën e Tropojës është një plan integral. Ne nuk do të mjaftohemi vetëm me përfundimin e një cope rrugë apo të një ujësjellësi. Ne duam që të përfundojmë një plan zhvillimor që i ka të gjithë komponentët brenda që nga infrastruktura, ujësjellësat, kanalizimet, shërbimet, zhvillimin e turizmit.” theksoi Peleshi. Zëvendëskryeministri nënvizoi potencialin e madh turistik të Valbonës dhe suksesin e saj në tërheqjen e turistëve të huaj, ndërkohë që për shqiptarët ajo vazhdon të mbetet në një masë të madhe e panjohur. “Këtu potenciali i turizmit është shumë i madh. Pra programe mbështetje dhe kjo zonë ka arritur sukses sepse ka rritur shumë numrin e turistëve. Dhe është për t’u thënë me turp që bukurinë e kësaj zone e kanë zbuluar më parë të huajt sesa shqiptarët nga pjesët e tjera të Shqipërisë, sepse ka më shumë të huaj vizitorë sesa shqiptarë.” nënvizoi zëvendëskryeministri. Ndërtimi i rrugës Bajram Curri – Valbonë pritet të zgjidhë një nga pengesat më të mëdha që kanë penguar zhvillimin e turizmit.