Peleshi dhe Gjiknuri takime në Izrael, marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin e vendit

432
Sigal

Zv. Kryeministri i Shqipërisë z.Niko Peleshi dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë, z.Damian Gjiknuri, kanë kryesuar delegacionin shqiptar gjatë vizitës disa ditore që është zhvilluar në Tel Aviv, Izrael. Gjatë kësaj vizite janë takuar me ministrin e Infrastrukturës Kombëtare, Energjisë dhe Ujit të Izraelit  z.Silvan Shalom, ku diskutuan një sërë çështjesh që lidhen me rehabilitimin e sistemit të ujërave dhe sistemit energjetik në Shqipëri. Ministri Shalom, zv/kryeministri Peleshi e ministri Gjiknuri diskutuan për nxitjen e bashkëpunimit mes të dy vendeve për hartimin e një Master Plani Kombëtar për rregullimin e sistemit të ujërave në Shqipëri, iniciativë, e cila u prit me interes nga pala Izraelite. Pala shqiptare shprehu dëshirën që Shqipëria të përfshihet në projektin strategjik të linjës së interkonjuksionit dhe energjisë mes Izraelit, Qipros, Greqisë dhe Italisë.

Ministri Shalom shfaqi interesim të veçantë për disa fusha potenciale investimesh siç janë ato të energjisë, ujit dhe teknologjisë së informacionit.  Në kuadër të këtyre bisedimeve, Shqipërinë pritet ta vizitojë shumë shpejt një grup ekspertësh nga qeveria izraelite me qëllim përgatitjen e marrëveshjeve të nevojshme të bashkëpunimit në këto fusha specifike e me rëndësi për zhvillimin e vendit. Gjatë qëndrimit të tyre në Izrael, z.Peleshi dhe z.Gjiknuri patën rastin të takohen edhe me shoqëritë më të mëdha izraelite në fushën e energjisë, turizmit dhe industrisë prodhuese. Këto të fundit shprehën interes për t’u njohur me politikat e qeverisë dhe lehtësirat që do të krijohen për të garantuar investimet e huaja në Shqipëri.