Peleshi apel njësive vendore: Qytetarët të paguajnë tarifë për mbetjet urbane

174
Zv.kryeministri Niko Peleshi u bën apel njësive të qeverisjes vendore që të aplikojnë tarifën për mbetjet urbane. Ai tha se kjo tarifë që paguhet nga qytetarët nuk duhet të trajtohet politikisht por është e nevojshme në mbështetjen e njësive vendore për menaxhimin e mbetjeve urbane.
“Tarifa për mbetjet urbane të trajtohet me guxim politik nga pushteti vendor dhe të mos luhet politikisht, si nga njëri krah apo tjetri, në përpjekje për të fituar simpatinë apo një grusht votash, dhe në këshillat bashkiak shpesh luftojnë për të mos vendosur tarifë apo për të mos e ndryshuar tarifën. Ne sot duhet të marrim përgjegjësinë politike dhe qytetare për t’u bërë apel qytetarëve që të paguajnë”, tha Peleshi.
Qeveria do të ofrojë ndihmën e saj financiare për pushtetit vendor në menaxhimin e mbetjeve urbane. Gjatë prezantimit të hartës dixhitale të mbetjeve të ngurta, Peleshi tha se kjo hartë do i shërbejë shumë njësive vendore, të cilat po hartojnë edhe planet e përgjithshme vendore.
“Duket si një produkt i thjeshtë, një hartë dixhitale po bëhet i rëndësishëm se vjen në kohën e duhur. Çdo lloj plani bazohet mbi bazën e informacioneve dhe kjo hartë është shumë profesionale dhe do t’i shërbejë të gjitha njësive vendore që sot janë duke filluar hartimin, të paktën 26 prej tyre, hartimin e planeve të përgjithshme vendore. Shumë shpejt do të lancojmë fituesit e procedurës prokuruese për 26 qytete kryesore, që do të mbështeten nga qeveria qendrore financiarisht për të zhvilluar me ekspertizë ndërkombëtare planet e përgjithshme vendore. Identifikimi dhe planifikimi territorial i landfilleve, apo i fushave të menaxhimit të mbetjeve është i domosdoshëm dhe primar”, u shpreh zv. Kryeministri.