Peleshi: 40 milionë € për zonën e Fierit dhe Lushnjës

427
Zëvendëskryeministri Niko Peleshi ka inspektuar zonën e përmbytjeve ne qarkun e Fierit pas rreshjeve të ditëve të fundit. Peleshi u shpreh se është miratuar projekti për rehabilitimin e lumit Gjanica. Gjithashtu ai u tha banorëve se grupet e punës do të konstatojnë të gjitha dëmet e shkaktuara, për të cilat do të mbahet edhe përgjegjësia përkatëse, aty ku ajo do të evidentohet.
“Qeveria nuk mjaftohet me konstatimin e problematikës dhe nuk heq përgjegjësinë e vet, pavarësisht se problemet janë akumuluar në 25 vite. Madje angazhohemi t’i mbyllim në tre vite ato që nuk janë bërë në 25 vitet e fundit. Natyrisht, edhe çdo i dëmtuar nga përmbytjet do të ketë përkrahjen dhe mbështetjen tonë”, – u shpreh Peleshi.
Zëvendëskryeministri bëri të ditur gjithashtu se ka përfunduar projekti për kanalin Vjosë-Levan-Fie dhe parashikohet të zbatohet vitin e ardhshëm. Sipas Peleshit vetëm për zonën e Lushnjes dhe Fierit janë 40 milionë euro që do të fillojnë të investohen vitin e ardhshëm.
“Qeveria, ka bërë një plan shumë ambicioz për rreth 270 ha tokë bujqësore që sot mbulohen me kanale kulluese, brenda tre vitesh të pastrohen. Kemi pastruar deri tani në gjithë territorin e Shqipërisë, 32 mijë hektarë. Ngelet një sipërfaqe edhe më e madhe, por në dy vitet që vijnë, me prioritetin e buxhetit të shtetit dhe me projekte të donatorëve, vetëm për zonën e Lushnjes dhe Fierit janë 40 milionë euro, tashmë të kontraktuara të Bankës Botërore, që do të fillojnë të zbatohen vitin që vjen. 6 milionë euro ka filluar të zbatohen në 16 spote në gjithë Shqipërinë, projekte parandaluese, argjinatura, mbrojtje nga erozioni i lumenjve. I kemi vënë vetes objektivin t’i përfundojmë ndërhyrjet në 16 spote, në mënyrë që të jemi gati për të pritur dimrin. Buxheti i shtetit i ka dhënë prioritet të fortë Ministrisë së Bujqësisë dhe programit të kanaleve ujitëse dhe kulluese”, thekësoi zëvendëskryeministri. 
Sigal