Peleshi, "2.6 miliardë lekë, fondi më i madh ndonjëherë për sektorin"

Mbështetja financiare për fermerët, Ahmetaj: "Pajisuni me Nipt, rimbursimi është dhjetëfishuar në vetëm pak vite" 

Në kuadër të takimeve në qarkun Dibër, në një bashkëbisedim me sipërmarrësit e zonës për buxhetin 2018 dhe paketën fiskale, Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi, kanë folur edhe për mbështetjen që do t'i jepet vitit të ardhshëm, sektorit të bujqësisë.

Ministri Ahmetaj i ftoi fermerët të pajisen me Nipt, si një instrument kyç që jo vetëm ndihmon formalizimin e sektorit, por mbi të gjitha garanton rimbursimin e fermerëve që në vitet e fundit është dhjetëfishuar.

"Unë ju sugjeroj që të krijoni linjën tuaj, network-un tuaj dhe të fermerëve me NIPT dhe t’i tregoni që NIPT-i është bërë për t’i favorizuar.

Dua të ndaj me ju që, po shkon rimbursimi i fermerëve në 20 milionë dollarë. E dini sa ka qenë përpara disa viteve? 2 milionë dollarë. Është rritur 10 herë rimbursimi! Pra, është një instrument favorizimi shumë i madh. Nëse ju vini me NIPT-in, qeveria ka mundësi t'ju japë 20% mbrapsht. Ne i rimbursojmë me vendim qeverie 20% eksportuesit brenda 30 ditëve dhe prodhuesit siç jeni ju brenda 60 ditëve" - tha Ahmetaj. Ministri i Bujqësisë Peleshi e vuri theksin tek rritja e mbështetjes financiare për bujqësinë të parashikuar në vitin 2018 në buxhetin e shtetit, por jo vetëm:

"Vitin që vjen, ne do të kemi një fond fal bujarisë edhe të Ministrit të Financave, që është më i madhi që ka pasur ndonjëherë Shqipëria në mbështetje të bujqësisë dhe zhvillimit rural, 2.6 miliardë lekë. Në qoftë se do t’ia dalim me sukses, mund të hapim brenda këtij viti, edhe IPARD-in. IPARD është një program mbështetjeje i Bashkimit Evropian në mbështetje me qeverinë shqiptare që është 93 milionë euro. Pra, viti 2018 do të jetë viti i parë ku ne do të kemi, jam i sigurt, më shumë para se sa sektori dhe sektorët kanë mundësi të thithin” – tha Peleshi