Pehlivanët që nxjerrin fytyrën për zgjedhjet e pushtetit vendor

621
Sigal

Në një kohë që situata politike është mëse e acaruar, ekonomia disi e dobësuar, Pehlivanët kërkojnë të heqin vallen e pinguinit. Fusha elektorale po troket, në shumë bashki dhe komuna pothuajse pushteti është venitur. Partitë politike mbajnë ndezur luftën, si për forcimin e ligjit ashtu dhe për bombat terroriste. Populli i çoroditur, por dhe i kthjellët se çfarë do të bëjë para kutisë së votimit në datën 21 qershor. Elektorati shqiptar tashmë e kreu shkollën e të votuarit, di, njeh, mban shënim, i thërret kujtesës, paralajmëron, kryen detyrat dhe qartëson më së miri veten se çfarë do të bëjë para kutisë së votimit. Elektorati ka filluar dhe bën vetë testin e kandidatëve dhe teston dhe udhëheqësit e partive, se çfarë mendje do të kenë për të përputhur kandidatin me elektoratin. Elektorati i fyer, deri tani nga kandidaturat e propozuara për deputet, apo për vende të tjera në administratën shtetërore, atë gjyqësore, etj., etj. Është i fyer se, i zgjedhuri deri tani, është i panjohuri, i pasuri, i mikut dhe i shokut dhe rezultati është evident, deputetë që nuk kanë mbaruar shkollën e mesme, deputetë me precedent penal, deputetë karagjozë, deputetë që kanë rrënuar ekonominë dhe ligjshmërinë e këtij vendi, që kanë qenë ministra, etj., etj. Dhe që taksapaguesi elektorat paguan haraçet, për të legjitimuar një popull të tërë, që të kthejë sytë nga ligji, pas kaq vjetësh, dhe sot shikojnë financat e tyre të hedhura në koshin e mbeturinave. Financa që po hidhen poshtë nga ndërtimet pa leje në zënien  e hapësirave publike, financa të hedhura poshtë nga mashtrimi i shtetarëve, që merrte përsipër mbylljen e të pambyllurës, vjedhjen e energjisë elektrike, mbylljen e bilanceve me detyrime, mbylljen e veprave penale dhe civile nga gjyqësori i korruptuar, shkollimin e padrejtë, apo shumë padrejtësi tjetër në kurriz të këtij elektorati, kundrejt shpërblimeve që u merrnin dhe u morën shtetarët. Sa shumë ka për të thënë në këto 25vjet korrupsion. Sa turp është që shtetarin nuk e shikon më si shërbëtor të elektoratit, por si hajdut kaubojs, që po nuk e  ushqeve, të merr në qafë, të rrënon biznesin, të merr pronën, të ndan nga familja, të fut në burg, të bën skllav, që shtetari të bëhet gjigant. E, pra, fushata po afron prapë, nëpër tavolina bisedohet, kush do jenë kandidatët për kryetar bashkie. Nga një tavolinë në tjetrën dëgjon lloj-lloj emrash, që nga emra hajdutësh, presuesë hashashi, shoferë, elektriçistë, kontrabandistë, imoralë dhe deri nga ata që flasin në emër të deputetit, ministrit dhe të kryeministrit. Intelektualët e vërtetë, presin, heshtin, flasin me zë të ulët, elektorati çon duart në kokë, për pehlivanët që nxjerrin krye dhe për intelektualët, që heshtin. A ka vende që krerët e partive, të zgjohen nga gjumi, të konsultohen se kush do t’i përfaqësojë në bashkitë e ardhshme, çfarë mendon për zhvillimet e reja me hartat e bashkive, apo do të çojmë në krye të këtyre bashkive ai që ka vjedhur më shumë lekë dhe që i teprojnë edhe për të blerë emrin e kryetarit të ri të bashkisë.

Patriot Islamaj